BASTI SPORTIV NGA PIKËPAMJA ISLAME – Qëndrimi i Islamit ndaj këtij fenomeni

Basti sportiv njihet tek njerëzit si parashikim i rezultateve të ngjarjeve sportive. Ata që luajnë bast sportiv nuk luajnë kundër njëri tjetrit, por luajnë kundër bastores apo kompanisë që e organizon bastin. Nëse parashikimi është i saktë atëherë ata që e kanë qëlluar e ndajnë shpërblimin mes tyre. Përpara se të hyjmë në zbërthimin e kësaj teme do të përmendim disa shkaqe të cilat flasin rreth bastit sportiv dhe efekteve të tija negative për sportin në përgjithësi dhe për fansat e sportit në veçanti. Ky është edhe shkaku që në shumë shtete është ndaluar me ligj basti sportiv, ndërsa në shumë shtete tjera është ndaluar për shkaqe fetare, ndërsa në ato shtete që nuk është ndaluar janë bërë rregulla dhe korniza më të rrepta për parandalimin e skandaleve. Prej dëmeve që basti sportiv ia bën sportit veçojmë: Korupsionin, larjen e parave, mashtrimet në atë se cili prej ekipeve do të jetë fitimtarë, poashtu basti sportiv shkakton që ai që luan bast të bëhet i mvarur prej bastit si dhe devijime të tjera shoqërore.

Disa prej këtyre që i përmendëm janë shkaqe për të cilat kanë marrë masa edhe institucionet sportive ndërkombëtare siç janë: UEFA, FIFA dhe Komiteti Olimpik Ndërkombtarë.

Qëndrimi i Islamit ndaj këtij fenomeni

Qëndrimi i Islamit ndaj bastit sportiv është i njëjti qëndrim të cilin e ka Islami ndaj bixhozit (komarit). Përderisa Islami lejon sportet në brendi të kornizave hallall, Islami e ndalon çdo lojë e cila ka elemente të bixhozit. Thotë Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Kush i thotë shokut të vet: “Eja të luajmë Bixhoz, le të jep sadaka”. Pra në fund të hadithit thuhet se ai që thotë një fjalë të tillë dhe shpreh dëshirë për të luajtur bixhoz duhet që të jep sadaka si dëmshpërblim për gjunahin që e ka bërë vetëm me shprehjen e dëshirës. Nuk i lejohet muslimanit që të kërkojë relaksim apo rekreim nëpërmjet bixhozit dhe as që të mundohet të përfitojë para në këtë mënyrë.

Pse basti sportiv dhe bixhozi janë haram?

  • Islami na mëson që ne si musliman t’i ndjekim urdhërat e Allahut të cilat e urdhërojnë muslimanin që të punoj hallall për jetesë. Njeriu që luan bixhoz dhe në këtë rast bast sportiv faktikisht mbështetet në atë që ai e quan “fat” dhe në “dëshira boshe”, në këtë mënyrë ai largohet prej fitimit të pasurisë në mënyrë fer dhe meritore duke punuar. Ai që luan bixhoz dhe bast sportiv e humb respektin ndaj ligjeve të Allahut të cilat e ndalojnë bixhozin.
  • Në Islam pasuria dhe malli janë gjëra të mbrojtura dhe marrja e pasurisë së tij nëpërmjet bixhozit është haram.
  • Nuk është befasues fakti se ata që luajnë bast sportiv në mes tyre zhvillojnë armiqësi kundër njëri tjetrit, edhepse ata zakonisht thonë se një gjë e tillë nuk ekziston, por dihet  se ne këto raste ka dy palë, ata janë: humbësi dhe fituesi. Ai që ka humbur mundohet që ta mbaj veten e tij se kinse nuk është i shqetësuar duke u munduar në brendi që ta mbajë frustrimin, pendimin dhe mllefin për humbjen e parave duke u penduar se përse nuk e ka luajtur kombinimin fitues.
  • Basti sportiv ka vetdetyrim dhe shkakton mvarësi. Humbësi luan përsëri duke shpresuar se këtë radhë do të fitojë, ndërsa fituesi dëshiron që të fitojë edhe më shumë, por fakti është se ndonjëherë humbësi bëhet fitues dhe fituesi bëhet humbës, në këtë mënyrë vazhdon “loja” derisa të mos mbeten para për të vazhduar me bast.
  • Nga shkaku se basti sportiv shkakton mvarësi, kjo njëherit paraqet rrezik për shoqërinë dhe për individin. Ky ves i keq luajtësve ua konsumon kohën dhe energjinë dhe i bën ata joproduktiv dhe i bën parazit të shoqërisë të cilat vetëm marrin dhe nuk japin, të cilët vetëm konsumojnë dhe nuk prodhojnë. Krahas kësaj bixhozxhiu i neglizhon dhe i harron obligimet që ai i ka ndaj Krijuesit dhe obligimet që i ka ndaj komunitetit në të cilin jeton. Ky është edhe shkaku që ata që meren me bixhoz dhe me bast sportiv janë të mvarur prej basteve, këta i gjen se si ata e shesin fenë dhe nderin e tyre, sepse vlerat sportive dhe paraja tek ata kanë vlerë më shumë se çdogjë tjetër.

Allahu e ka përmendur bixhozin dhe alkoolin në ajet së bashku, përshkak se janë të ngjashme përsa i përket mvarësisë. Na mëson Kur’ani se këta dy gjëra janë vepra të inspiruara nga Shejtani. Thotë Allahu : “Të pyesin për alkoolin dhe bixhozin. Thuaj: “Që të dyja janë mëkat i madh“. (el Bekare 219).

Poashtu thotë Allahu:

O ju që keni besuar! Të gjitha pijet alkoolike dehëse e maramendëse, bixhozi, ”ensab”-ët (altarët ku flijohen kurbane për idhuj e tjerë), ”ezlam”-ët (hedhja e shortit ose kërkimi i fatit me shigjeta) janë punë të neveritura prej shejtanit, kështu që hiqni dorë prej gjithë atyre ashtuqë të shpëtoni“. (el Maide 90).

Basti sportiv dhe bixhozi janë vese të këqija të cilat janë kundër interesit shoqëror. Bixhozi ndalon prej përmendjes së Allahut dhe Namazit. Kur ai që luan bixhoz-bast sportiv ai rrin ulur orë të tëra duke u koncentruar në “lojën” e tij derisa e harron çdogjë duke i harruar edhe familjarët dhe obligimet që i ka ndaj tyre. Këta “lojëra” të ndaluara ngjallin armiqësi dhe mospajtim mes njerëzve edhe nëse ka dobi në bixhoz dhe në alkool, duhet ta dijmë se dëmi është më i madh sesa dobia. S’mund që të ketë shoqëri të shëndoshë përderisa këta vese mbizotërojnë në atë shoqëri dhe s’mund të ketë shoqëri të shëndoshë përderisa njerëzit nuk kthehen tek Ligji i pandryshuar i Allahut i cili është burim i jetës së shëndoshë dhe të lumtur në këtë botë dhe në botën tjetër.

Përgatiti: Enis Arifi

Artikulli paraprakNGRËNIA E KAMATËS – Rreziku i kamatës
Artikulli tjetërSukses i madh: Ushtria e Kosovës veçse u pajis me dronët Bayraktar