Bankat ‘trashin’ sërish fitimet –Vetëm deri në maj, ato morrën 56.4 milionë euro

Bankat në Kosovë po vazhdojnë të shtojnë fitimet e tyre dukshëm vit pas viti. Në këto fitime enorme të tyre, po kontribuojnë në masë të lartë tarifat e larta të shërbimeve (të hyrat nga jo-interesi) si dhe normat e larta të interesit në kredi.

Vetëm nga janari deri në muajin maj të këtij viti, të njëjtat kanë arkëtuar në stoqet e tyre gjithsej 56.4 milionë euro profit neto, derisa vetëm një muaj më herët, fitimi i tyre ishte regjistruar në një shifër prej 44.6 milionëve, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për rrjedhën e sistemit financiar për muajin maj të vitit 2022, të hyrat totale në këtë sektor deri në fund të majit, ishin në vlerë të 139.3 milionë eurove. Prej tyre, gjithsej 101.5 milionë euro ishin vetëm të hyra nga interesi.

Shpenzimet totale të këtij sektori për këtë periudhë ishin 82.9 milionë, ndërsa shpenzimet për interes ishin vetëm 7.7 milionë euro.

Ndërkohë, normat efektive të interesit mbetën të njëjta siç ishin edhe në muajin prill, duke u kalkuluar në një përqindje prej 5.9%. Norma e interesit për kreditë e dhëna për ekonomitë familjare në këtë periudhë ishte 5.8%, për ato konsumuese 6.2% nga 6.1% sa ishte në muajin prill, kurse ajo për kreditë për korporatat jofinanciare ishte 5.9%.

Vlera totale e shumës së dhënë për kredi deri në muajin maj të këtij vitit, arriti në 4 miliardë e 34.8 milionë euro, nga 3 miliardë e 989.9 milionë euro sa ishte vlera e kredive në muajin prill. Prej gjithë kësaj shume, 1 miliardë e 496.6 milionë euro ishin kredi për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 513.8 milionë tjerat për korporatat jo financiare, dhe 9.0 milionë euro për korporatat tjera financiare.

Kurse depozitat e qytetarëve të ruajtuara nëpër bankat komerciale në vend, në maj arritën në 4 miliardë e 795.7 milionë euro, nga 4 miliardë e 766.3 milionë sa ishte vlera e tyre në prill.

Aktualisht, vlera totale e aseteve të sektorit bankar në vend, është 5 miliardë e 890.2 milionë euro.

Kujtojmë se gjatë vitit 2021, fitimi neto i këtyre institucioneve bankare në vend kishte shkuar mbi 100 milionë euro, duke e tejkaluar kështu mesataren disavjeçare që zakonisht ishte përmbyllur me nga 80 milionë euro./Buletini Ekonomik/

Artikulli paraprakÇfarë i nxit normat e interesit? Pyetja e vjetër është çelësi i ekonomisë së re
Artikulli tjetërÇfarë është një skemë piramidale?