Banka e Shqipërisë rrit normën bazë të interesit, pritet shtrenjtim i kredive në lekë

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të rrisë me 0.5 për qind normën bazë të interesit për lekun. Aktualisht, ajo është 0.5 për qind dhe me vendimin e sotëm të Këshillit Mbikëqyrë shkon 1 për qind.

Vendimi më i fundit vjen për shkak të rritjes së fortë të çmimeve që kanë dalë mbi parashikimit të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit inflacioni duhet të qendrojë në rreth 2.5 për qind.

Në janar, inflacioni ishte 3.7 për qind, në shkuar 3.9 për qind dhe në mars sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pritet të jetë edhe më lartë. Ndikimi kryesor pritet të jetë të çmimet e ushqimeve, të cilat sipas Bankës së Shqipërisë do të rriten edhe më tepër gjatë muajve në vijim.

Ndikimi

Nisur nga situata e krijuar me çmimet, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur që të shtrenjtojë lekun duke e  bërë atë me konkurrues në raport me monedhat e huaja dhe pritet që kjo të ndikojë edhe në kursin e këmbimit.

Megjithatë, ndikimi më i fortë pritet të jetë të kreditë në lekë, të cilat duket se do të shtrenjtohen gjatë muajve në vijim. Përmes shtrenjtimit të lekut, Banka e Shqipërisë synon kanalizimin në sistemin bankar të një sasie nga këto para në treg duke ulur kështu presionin mbi çmimet.

Sejko tha se rritja e normës bazë të interesit për lekun pritet të ndikojë te çmimet për një periudhë 3-6 mujore dhe se efektet nuk do të jenë të menjëhershme.

Çfarë është norma bazë e interesit?

Norma bazë e interesit është norma e interesit që Banka e Shqipërisë vendos si objektiv për transaksionet e saj me bankat tregtare. Thënë më thjeshtë, është norma që Banka Qendrore paguan për depozitat e bankave tregtare ose që u ofron bankave për kreditë afatshkurtra.

Duke ndryshuar normën bazë, banka ndikon të gjitha normat e interesit në treg, në mënyrë që të krijojë kushte për të garantuar sasinë e kërkesës dhe ofertës së ekonomisë për mallra dhe shërbime të balancuar në një nivel që prodhon çmime që ndryshojnë afër objektivit të inflacionit të bankës prej 3%.

Kur norma e interesit ngrihet, investimet bëhen më të kushtueshme dhe vlera e kursimit rritet. Kjo ndodh kryesisht kur Banka mendon se ekonomia po tejnxehet – kur ajo po ecën me ritme më të shpejta se ato të ekuilibrit.

Kur Banka e ul normën e interesit, shpenzimet inkurajohen, pasi normat e interesit për depozita dhe kredi ulen, duke nxitur investimet dhe shpenzimet. Kjo ndodh kryesisht kur Banka mendon se ekonomia po ecën më ngadalë se ritmi i vet i ekuilibrit. /abcnews.al/

Artikulli paraprakSondazhi/ Punëtorët në Europë më pak kërkesë për rritje pagash, edhe pse kostot e jetesës po rriten
Artikulli tjetërEgjipti, importuesi më i madh i grurit në botë, me çmim fiks të bukës