Atëherë kur shpirtrat janë të mëdhenj

Ambicia është një aspiratë e vazhdueshme, një këmbëngulje për ngjitje, një përpjekje për
plotësim, ajo është sfiduese e egos epshore dhe rezistencë e pa kompromis përballë çalimeve të jetës. Ajo i përgjigjet thirrjes për lavdi, zërit të arsyes, britmës për ringjallje: Ejani në shpëtim!
Ambicia lind me fëmijën, ushqehet me qumështin, gjahu i saj kurrë nuk shpëton. Ajo është kalë garues që nuk gremiset, është shpatë vezulluese që kurrë nuk del huq. Ajo rrjedh si furtunë dhe ecë si re. Mos e lë këtë furtunë të të ikë, derisa të të dërgojë në planetët e larta. Derisa të të hipë mbi kuajt e mbretërve. Aroma e saj zgjat me muaj, njeriu me ambicie e përçmon injorancën, e hedh poshtë padrejtësinë, e refuzon ankesën, e braktisë imitimin.
Me ambicie njeriu ngjitet në botën e përjetësisë në mbretërinë e shpëtimit, në ulëset e fisnikëve. Ambicia është një ndëshkim që nuk mbaron. E them këtë ngase ajo është çarëse, shqetësuese, djegëse dhe zgjuarëse.
Disa urtarë kanë thënë: “Nga njeriu ngelet vetëm mishi dhe gjaku, nëse s’ka ambicie”.
Ai që është stolisur me ambicie të lartë, i tejkalon muret e aspiratave. I shembë krizat, sepse ai njeri është gjithmonë në ngutje dhe nxitim, nuk i bëjnë përshtypje rrethanat e as nuk ndalon në ndonjë pengesë.

Ambicia më e ndershme dhe vendosmëria më e famshme është që njeriu të arrij ta fitojë dashurinë e Zotit.
Të arrijë dijeni gjigante dhe ta shpërndajë atë. Të bëhet asket me të përkohshmen dhe lakmitar i pangopshëm i së përhershmes, ta bëjë jetën udhëtim për fitore, anije për shpëtim.
Kujt i është dhuruar mendje udhëheqëse, Uni paepur dhe aspiratë e pashmangshme, ai është kapur fort për suksesin.
Ambicia është zjarr që patjetër i duhet lëndë djegëse. Dikush e ushqen atë me dashuri dhe nuk pushon derisa të fitojë, edhe nëse i fluturon koka dhe me gjakun e tij ngjyrosen shpatat.
Dikush është i pasionuar pas pasurisë, bredh nëpër qytete, bëhet çdo ditë më i zellshëm në ndjekjen e saj, gjersa më në fund e kap.
Dikush ka prirje për asketizëm, miqësohet me teshat e rëndomta duke e privuar egon e tij nga ëndjet e shumta.
Tregohet i zellshëm në devocion derisa ta vendos kurorën e prestigjit.
Dikujt i pëshpërit zemra për të kërkuar dijeni dhe për t’u thelluar në shkencë. Ai në këtë bëhet shërbëtor i papërtueshëm, duke u djegur në flakën e pasionit. Ëndrra e tij është dituria, synimi i tij njohuria dhe bisedat e tij janë kryeput shkencore tek rri ulur, shtrirë apo në këmbë.

Çelësi i Suksesit nga Aid El Karni | Përktheu Agron Islami

Artikulli paraprakSODITJA NDËRMJET RËNKIMIT DHE ZHURMËS
Artikulli tjetërVRITE FJALËN ME VEPËR!