SODITJA NDËRMJET RËNKIMIT DHE ZHURMËS

Kurani i lavdishëm ka treguar se zbrazëtia mendore dhe largimi nga rrëmujat është metodologji efikase për të menduar dhe soditur.

I Lartmadhërishmi ka thënë: Thuaj: “Unë ju këshilloj vetëm me një gjë: Për hir të All-llahut të angazhoheni sinqerisht dy nga dy ose një nga një, e pastaj të mendoni thellë (që ta kuptoni) se shoku juaj (Muhammedi) nuk ka ndonjë çmendje. Ai nuk është tjetër vetëm t’ju tërheqë vërejtjen për një dënim të ashpër (nëse nuk besoni)”.
Kuptimi i ajetit është:
“O Muhamed! Thuaju jobesimtarëve mes kurejshëve, atyre të cilët përgënjeshtruan mesazhin tënd, dhe menduan se të ka goditur çmendia. Unë ju tregoj një rrugë që të analizoni. Vetmohuni secili prej jush, deri në kufirin e mundësisë, ose dy veta të mblidhen bashkë. Kështu që të kenë mendim më të udhëzuar dhe mendje më të qetë, larg nga populli. Pastaj mendojini çështjet në mënyrë të paanshme”.

Ideja e përkushtimit ndaj një talenti dhe zbrazja e energjisë në perfeksionimin e saj është një art rreth të cilit janë unifikuar të gjithë të mençurit e botës dhe yjet e saj.
Për më tepër Robert Green në librin e tij Si të kapesh për rripin e forcës, shkruan një thënie të bukur: “Një lopë e majme është më e mirë se shtatë qengja!”

Të gjithë fisnikët dhe gjenitë kanë preferuar vetminë dhe të menduarit e thellë, madje poeti italian Dante ka thënë: “Vetmia është mbretëria e mendimeve”.
Ndërsa në librin tim Krenaria e vetmisë kam grumbulluar thëniet dhe mendimet e mëdha të thëna nga gojët dhe të shkruara nga lapsët e të ndershmëve, letrarëve dhe të urtëve, në lidhje me dobinë e vetmisë.

Kështu që kam konstatuar se çdo njëri i cili ka lanë mbas vetes një projekt dhe vepër të përjetshme, atë e ka lemuar në izolim dhe vetmi. Ja p.sh. përkujto Imam Ebu Hamid Ghazaliun i cili në një udhëtim të gjatë e shkroi librin gjigant ‘Rigjallërimi i shkencave fetare’, vepër kjo që lindi falë largimit nga përzierja me njerëzit.
Ndërsa në librin e tij “Një udhëtim i gjatë për në liri”, Nelson Mandela shkruan: “Mbasi dola nga burgu e humba kënaqësinë e të menduarit dhe të soditurit”.

Njeriu më i mirë i të gjithë bijve të Ademit a.s, Muhamedi a.s. vetmohej në shpellën e quajtur Hira dhe këtë kulturë e praktikonte përpara se t’i shpallej Kurani.
Me netë të gjata qëndronte i vetmuar, i izoluar, pa askënd, duke adhuruar dhe soditur. Derisa, Allahu i madhërishëm e nderoi me shpallje. Ndërsa kur e pyeti njëri prej shokëve të ti, ashtu siç gjendet në koleksionin e Tirmidhiut: “Ç’është shpëtimi?” Ai i tha: “Mbaje gjuhën tënde, përkushtoju shtëpisë tënde dhe qaj për mëkatin tënd!”

Kur nisën trazirat e El-Eshâthiut me Haxhaxhin, Sh’abiu i’a mësyu në shkretëtirë, ndërkohë që ishte një dijetar kolosal, dhe kur e kapi Haxhaxhi e pyeti: “Ku ishe o Sh’abij?”Ai i tha: “Isha atje ku thotë poeti:
“Uluriu ujku dhe u familjarizova me ulërimën e tij,
Por kur njeriu zë lëshoi, gati sa nuk kam fluturuar.”
Në librin Dashnorët e librave të shkruar nga el-Ferhaniju lexova një thënie që i atribohet tregimtarit botëror rus Leo Tolstoi, i cili thoshte: “Kënaqësia ime është të jem i vetmuar në një dhomë të zbrazur bashkë me librat e mi”.

Ndërsa Ibn Xheuziu në Gjuetia e meditimeve shkruan: “Nuk njoh diçka më të lëvduar, më të ndershme dhe më të lumtur për dijetarin se sa izolimi i tij me librat”. Po ashtu këtë e thotë edhe poeti i madh Mutenebbiu: “Në të gjitha kohërat, shoku më i mirë është libri”.

Çelësi i Suksesit nga Aid El Karni | Përktheu Agron Islami

Artikulli paraprakLigji i gradualitetit në reforma
Artikulli tjetërAtëherë kur shpirtrat janë të mëdhenj