Në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës sot u mbajt takimi ndërinstitucional, ku kompania “Esan” nga Republika e Turqisë shpalosi idetë dhe planet investive për sektorin minerar në Kosovë
PRISHTINË (AA) – Në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës sot u mbajt takimi ndërinstitucional, ku kompania “Esan” nga Republika e Turqisë shpalosi idetë dhe planet investive për sektorin minerar në Kosovë, e cila parasheh investime në vlerë prej më shumë se 100 milionë eurosh, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij, ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci tha se ligji për investime strategjike, i cili ka hyrë në fuqi më 8 shkurt të këtij viti, u ka hapur mundësi të reja kompanive në sektorin minerar. Ai po ashtu njoftoi se janë duke punuar në amandamentimin e ligjit për miniera dhe minerale dhe ligjin për përmbatje industriale, në mënyrë që të ketë sa më shumë investime në sektorin minerar.
“Normalisht që ka pasur edhe hapësira, zbrazëtira ligjore ndoshta pak në mungesë të këtij kuadri ligjor e pak në mungesë të iniciativave konkrete nga sektori privat nuk është se gjërat kanë lëvizur edhe aq shumë, sidomos në raport me pritjet të cilat i kemi me potencialin i cili ekziston në sektorin minerar. Prandaj këtë ligj dhe jo vetëm ligjin por në anën tjetër edhe investitorët t’i shohim si një mundësi për të ngjallur sektorin”, tha Stavileci.
Nga ana e saj, menaxherja gjenerale e kompanisë “Esan”, Serpil Demirel, e cila informoi lidhur me kompaninë e tyre tha se holdingu Eczacibasi, pjesë e së cilës është “Esan”, përbëhet nga 13 mijë punonjës dhe se në vitin 2016 ka pasur një qarkullim prej më shumë se 3 miliardë eurosh. Ajo vuri në dukje se kompania “Esan” është eksportuesi më i madh i plumbit në Turqi dhe se në vitin 2015 kishte filluar me prodhimin e magnezit, si kompania e parë e këtij lloji në Evropë.
Duke bërë të ditur se në Kosovë ndodhen për një periudhë prej 5 vitesh, Demirel lidhur me planin e investimeve në këtë vend tha se “Ne kemi katër skenare dhe në këto skenare ne duhet të vendosim disa supozime dhe ne ju kemi dhënë nota për shembull 5.5 për zink. Kjo është më e ulët se në Minierën e Balas (Ankara) dhe ne në bazë të këtyre i dimë fazat e investimit, kostot”.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se per fillimin e investimeve duhen të paktën 18 muaj të përgatitjes ku do të shpenzohen rreth 10 milionë euro dhe ku do të punojnë 160 punonjës. Sipas saj, deri në fund të gjithë projektit do të bëhen deri në 116 milionë investime dhe do të punojnë 1.150 punonjës.
Kurse, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Hykmete Bajrami gjatë fjalimit të saj dha sqarime rreth procedurave të ligjit për investime strategjike dhe se si shkon mënyra për t’u kualifikuar si investitor strategjik. Sipas saj, ky ligj ka disa kritere mjaft strikte.
“Është mirë që të vazdhohet me liçencat për eksplorim, kur ju ta keni edhe fizibilitetin e projektit atëherë le të ulemi dhe të bisedojmë për dhënien e statusit e investitorit strategjik. Gjithashtu minimumi i investimeve për t’u kualifikuar si investitorë strategjik është 30 milionë euro domethënë në sektorin e minierave dhe mineraleve, edhe këtu meqenëse jemi shtrirë në disa lokacione dhe disa projekte ndoshta është mirë që të punohet si një projekt i përbashkët në mënyrë që ju të arrini këtë minimum”, tha Bajrami.
Kurse eksperti nga kompania “Esan” Alican Akpinar foli për aktivitetet e ndërmarra nga kjo kompani për gjatë pesë vitesh në Kosovë, ku sipas tij janë shfrytëzuar mbi 5 milionë euro. Sipas tij, pas kësaj periudhe është parë që në Kosovë ka potencial për t’u investuar, sidomos në zonat Gumnishtë (Vushtri) dhe Bresalcë (Gjilan).