Kompania turke planifikon mbi 100 milionë euro investime në Kosovë

Kompania turke, ESAN me mbi 5 vite përvojë në Kosovë është e interesuar të investojë në sektorin minerar, për të nxjerrë plumb dhe zink.

Kompania turke ESAN tashmë mbi 5 vite ndodhet në Kosovë dhe pas hulumtimeve në sektorin minerar po shpreh interesim për investime të mëdha. Për këtë qëllim, është mbajtur takimi ndër-institucional me kompaninë në fjalë, ku kanë marrë pjesë ministrat që merren me çështje ekonomike e ambientaliste si dhe kryetarë të komunave ku synohet të investohet. Ky në fakt ishte takimi i parë i këtij niveli pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Investime Strategjike në shkurt të këtij viti.

Drejtoresha e kompanisë ESAN, Serpil Demirel, tha se investimet dhe hapja e vendeve të punës varen nga sasia e xeheve.

“Varësisht nga sasia e xeheve që do të gjenden pas kërkimeve, investimet tona mund të shkojnë nga 10-tra deri në mbi 100 milionë euro si dhe do të krijohen vende pune nga qindra deri në për mbi 1000 punëtorë”, tha Demirel.

Ministrat prezentë mirëpritën interesimin e kompanisë, përderisa ministrja e Tregtisë e Industrisë Hikmete Bajrami, duke potencuar se projekti duket shumë ambicioz, njoftoi për kushtet e kualifikimit si investitor strategjik.

“Ligji ka disa kritere të cilat do të thosha janë mjaft strikte. P.sh. që nga marrja e statusit të investitorit strategjik deri në fillimin e investimit kompania ka afat vetëm 6 muaj. D.m.th. që nga marrja e statusit deri në fillim të investimit janë vetëm 6 muaj kohë. Kështu që besoj se për kompaninë absolutisht nuk është në interes që në këtë fazë ku ende s’ka fillua edhe nuk e ka licencën e eksplorimit me e marrë statusin e investitorit strategjik sepse e pamë që ju nevojiten thuajse 18 muaj për ti kryer të gjitha eksplorimet”, tha ministrja.

Gjithashtu ministrja Bajrami theksoi se minimumi i investimeve për tu kualifikuar si investitor strategjik është 30 milionë euro në sektorin e minierave dhe mineraleve. Drejtoresha Demirel, duke u pajtuar me ministren Bajrami, tha se do të vazhdojnë me periudhën e hulumtimeve dhe ndërkohë kur të jenë të gatshëm për studim të fizibilitetit, ajo u shpreh e sigurt se Esan do të jetë ndër investitorët më të mirë në Kosovë.

***

Çka ka gjetur Esan në Kosovë?

Drejtori për hulumtime në ESAN, Ali Can Akpinar duke prezantuar aktivitetet e kompanisë përgjatë pesë viteve në Kosovë, ka theksuar se këtu kanë parë potencial, prandaj kanë kryer hapin e parë që ka qenë eksplorimi.
“Në vitin 2015 dhe 2016 ne kemi bërë shpime diku 8 mijë metra në Bellaqicë. Në këtë periudhë pesëvjeçare ne kemi shpenzuar 5 milion euro. Në hapin tjetër ne kemi marrë harta dhe në kemi parë potencial për plumb dhe zink në tri zona me interes siç janë: Karaqa e Gumnishta (Vushtri) dhe Bresalci (Gjilan)”, tha Akpinar.
Sipas tij, në zonën e Gumnishtës kanë parë potencial për Plumb, Zink dhe Argjend ndërsa në Bresalc kanë hasur potencial për Ari dhe Plumb.
Nismat për investime në këto zona i kanë mirëpritur edhe drejtuesit e komunave ku gjendet këto resurse siç janë Vushtrria dhe Gjilani.

***

Thaçi premton ushtri shumë shpejt

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka ripërsëritur se ushtria e Kosovës do të themelohet shumë shpejt. Në tubimin përkujtimor të betejës së Koshares, i cili u organizua në kuadër të manifestimit “Ditët e Shqipes”, Presidenti Thaçi tha se në dy dekadat e fundit, Kosova ka kaluar nëpër procese shumë të rëndësishme transformuese.

“Duke themeluar UÇK-në, duke fituar luftën, duke transformuar TMK-në, për të shpallur pavarësinë, për të ardhur deri te themelimi i FSK-së, dhe sot jemi në prag të themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Ushtria e Kosovës do të themelohet në ditët dhe javët, apo muajt e ardhshëm. Por një gjë është e sigurt, ushtria do të themelohet, do të ruhet partneriteti me SHBA-të, dhe Kosova do ta ketë ushtrinë sikur të gjithë vendet e tjerë të rajonit. Do ta ketë ushtrinë dhe do të jetë pjesë e NATO-së”, ka thënë Thaçi.

Kurse kryeministri Isa Mustafa duke i dhënë mbështetje presidentit Thaçi, tha se stabiliteti ekonomik dhe buxhetor është garancia më e mirë se Kosova ka krijuar para-kushte për të financuar një ushtri moderne.

“Është garanci se Republika e Kosovës, ashtu siç tha edhe presidenti, Forcën e saj të Sigurisë do ta shndërrojë në Forcë të Armatosur. Stabiliteti jonë ekonomik dhe buxhetor është garancia më e mirë se kemi stabilizuar financat dhe shteti jonë ka krijuar parakusht për të financuar një ushtri moderne, partnere të denjë të NATO-së”, tha Mustafa.

***

Kryeministri Mustafa: Beteja e Koshares vlerë dhe trashëgimi për brezat që vijnë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe mori pjesë në tubimin përkujtimor për nder të Ditës së heqjes me luftë të kufirit Kosovë-Shqipëri, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”.
Me këtë rast kryeministri Mustafa tha se heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, më 9 prill 1999, shënon njërën prej fitoreve më domethënëse të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Të gjithë ne sot ndihemi krenar me veprën e heronjve, Agim Ramdani, Salih Cekaj, Abaz Thaci, Gjemajl Fatahu, me veprën e të gjithë heronjve e dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe betejave anekënd Kosovës. por poashtu krenohemi edhe me luftëtarë të gjallë të kësaj brigade”, tha Mustafa.

Për të gjithë ata që u flijuan për Kosovën, përgjigja më e mirë është ndërtimi i një Kosove të fortë, të zhvilluar ekonomikisht, të aftë për të mbrojtur sovranitetin e saj shtetëror, të respektuar nga fqinjët dhe vendet tjera, ka thënë më tej kryeministri Mustafa.

***

Presidenti: Beteja e Koshares, kapitull i rëndësishëm i fitoreve të UÇK-së

Të pranishmëve të shumtë në tubimin përkujtimor në Koshare, iu është drejtuar edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai tha se para tetëmbëdhjetë vjetëve, në Koshare filloi zbatimi i fazës së parë të operacionit “Shigjeta”, duke hapur kështu një kapitull të rëndësishëm të fitoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Operacioni shigjeta brenda planit të studiuar mirë, kishte edhe misionin e bashkërendimit me ekspertë të NATO-s për të saktësuar vendndodhjet e forcave serbe në territorin e Kosovës”, ka thënë Thaci.

Beteja e Koshares rriti vetëbesimin e sprovuar të UÇK-së, shtoi presidenti Thaçi, duke bërë që me forcë për herë të parë të thyhet kufiri ndarës Kosovë – Shqipëri dhe të mundet ushtria serbe në kufi.

Në fund të ceremonisë u ndanë mirënjohje nga kryetari i Bashkisë së Tropojës, për komandantin e Brigadës 138, Rrustem Berisha si dhe nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së Koshares, u ndanë mirënjohje për dy shoqatat që funksionojnë në diasporë me emrin e heroit të Kosovës, Sali Çekaj.

***

Thaçi tërheq Projektligjin për FSK-në

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka tërhequr nismën e tij ligjore për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Thaçi tha se i ka dërguar letër kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nga i cili ka kërkuar që Projektligji i propozuar për transformimin e FSK-së të mos vihet për miratim në Kuvend.

“Ngrirja” e projektligjit sipas Thaçit bëhet me qëllim që të provohet sërish mundësia e fundit, që transformimi i FSK-së të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, ku do të përfshiheshin në bisedime faktori ndërkombëtar dhe komuniteti serb.

Këto qëndrime, presidenti i Kosovës i prezantoi në një konferencë organizuar nga një Institut Kërkimor për Çështje Evropiane.

Ndërkohë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie tha se shndërrimi i FSK-së në ushtri përmes ligjit, siç kishte pretenduar presidenti i Kosovës, nuk është veprim i duhur.

Përfaqësuesi i Listës Serbe në këtë debat, Branimir Stojanoviq, aktualisht zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, tha se standardi i jetës është në minimum, kurse mosbesimi është aq i lartë.

“Si atëherë është e mundur që të pritet nga serbët që të mbështesin transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës”, tha Stojanoviq.

***

VV reagon pas tërheqjes së Thaçit

Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka reaguar për tërheqjen e Projektligjit për FSK-në nga procedimi i mëtejmë në Kuvendin e Kosovës. Deputeti i kësaj lëvizje, Rexhep Selimi tha se Vetëvendosje e ka mbështetur projektligjin, ndonëse e ka ditur që në fillim se kjo është farsë e presidentit Thaçi.
“E kemi thënë që kjo është nisur për të mos u bërë, e na vjen keq që nuk na demantoi koha, e kemi thënë që kjo është një rrezikim i raporteve që ka dhe duhet të ketë Kosova me aleatët e saj strategjik”, tha Selimi.

Selimi në një konferencë për media tha se Kosova nuk do të ketë ushtri me këtë qeveri, për shkak se mungon vullneti politik i tyre. Sa i përket premtimit të presidentit për dorëheqje në rast të dështimit të transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, Selimi tha se ai nuk do ta bëjë këtë dorëheqje, madje nuk do ta pranojë se e ka dhënë një premtim të tillë.

***

Mustafa thotë se demarkacioni do të procedohet në Kuvend shpejt

Demarkacioni me Malin e Zido të procedohet në Kuvend brenda muajit, ka deklaruar kryeministri Isa Mustafa, duke shtuar se ky është një obligim që duhet të kryhet herët apo vonë. Këto komente Mustafa i bëri gjatë vizitës që u bëri disa bizneseve vendore në Kosovë.

Kryeministri Mustafa tha se është përgjegjësi shumë e madhe që qytetarët të lëvizin të lirë. Përgjegjësia është më e madhe sesa krenaria e njerëzve në Kuvend, tha Mustafa.

I pyetur rreth mocionit nga ana Nismës për Kosovën për shkarkimin e qeverisë, Mustafa tha se është i preokupuar me zhvillimin e vendit, përderisa opozita nuk ka punë tjetër se me çfarë të merret.

***

Kosova me rritje ekonomike, por me ulje të investimeve

Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 3.6 për qind në vitin 2016 duke mbetur vendi me rritjen më të madhe në rajon. Këtë vlerësim e ka dhënë Banka Botërore gjatë prezantimit të raportit më të ri ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Banka në fjalë, për vitin 2017 parasheh rritje ekonomike të Kosovës në shkallën prej 3.9%.

Agim Demukaj, ekonomist në Bankën Botërore tha se investimet e huaja direkte kanë rënë, për shkak të uljes në radhë të parë të kërkesës së diasporës për blerje të patundshmërive.

“Kryesisht ka qenë e ndikuar nga rënia e investimeve të huaja direkte, për shkak se kemi pa një që ne e konsiderojmë fillim të ngopjes së kërkesës në radhë të parë të diasporës tonë, për të financuar në banesa.”

Demukaj tha se blerja e patundshmërive, ku përfshihen banesa, troje apo e shtëpive nga diaspora përfshin rreth 60% të investimeve të huaja direkte. Këto investime sipas Demukajt, nuk janë produktive sepse nuk krijojnë vlerë të re përmes punësimeve apo rritjes së eksportit. Periudha e ardhshme shihet me disa rreziqe, theksoi Demukaj.

“Nëse BE kalon prapë në një rritje më të dobët se sa përpara atëherë krejt rajoni edhe Kosovë ndikohet përmes eksporteve, por Kosovë ndikohet edhe përmes uljes së remitencave.”

Sidoqoftë, Banka Botërore sugjeron që Kosova duke ruajtur disiplinën fiskale të ri-definojë shpenzimet publike në të mirë të zhvillimit ekonomik.

***

Kosova dhe Luksemburgu thellojnë bashkëpunimin ekonomik

Në vazhdën e vizitës në Luksemburg, ministri i Financave Avdullah Hoti, është takuar me drejtorin gjeneral të Odës Ekonomike të Luksemburgut Carlo Thelen.

Gjatë këtij takimi ministri Avdullah Hoti dhe drejtori gjeneral i Odës Ekonomike të Luksemburgut Carlo Thelen, kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut, si dhe për përgatitjet për Forumin e Investimeve Kosovë – Luksemburg.

Të dyja palët theksuan se Kosova dhe Luksemburgu duhet që të forcojnë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik, duke ndikuar në rritjen e raporteve pozitive tregtare ndërmjet dy vendeve.

Ministri Hoti në Luksemburg është pritur edhe nga zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane për Investime (EIB) Dario Scannapieco. Gjatë këtij takimi me theks të veçantë u diskutua rreth Portfolios që ka Kosova me Bankën Evropiane për Investime, ku me këtë rast Ministri Hoti kërkoi mbështetjen edhe më tutje të Bankës, me theks të veçantë për projektet që janë në kuadër të Klauzolës për Investime që përfshijnë projektet në sektorin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, në sektorin e shëndetësisë, në sektorin e ujërave, si dhe në sektorin e ngrohjes qendrore.

– Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI –

Artikulli paraprakKompania “Esan” nga Turqia shpalos planet për investime në Kosovë
Artikulli tjetërBorxhi publik prej 5 miliardë eurosh i Maqedonisë: ja pse dhe cila është rrugëdalja sipas ekspertëve…