DREJTËSIA TATIMORE NË MENDIMIN EKONOMIK ISLAM
Kontributi i Imam Ebu Jusufit (731–798)
Kur flasim për historinë e ekonomisë dhe zhvillimin e mendimit ekonomik, zakonisht vëmendja jonë përqendrohet te ekonomistët perëndimorë dhe teoritë që janë zhvilluar në Evropën moderne. Ndër emrat më të njohur në këtë drejtim është Adam Smithi (1723–1790), i cili në veprën e tij The Wealth of Nations (1776) paraqiti katër parimet e njohura të tatimit: drejtësinë, sigurinë, përshtatshmërinë dhe ekonomizimin në mbledhjen e tatimeve.
Por, a duhet ta fillojmë historinë e mendimit mbi drejtësinë tatimore vetëm nga ekonomistët e Evropës moderne?
Mendoj se jo.
Për ta kuptuar më drejt zhvillimin e mendimit ekonomik, është e rëndësishme t’u kthehemi edhe kontributeve të dijetarëve myslimanë, të cilët shumë shekuj më herët trajtuan çështje që edhe sot mbeten pjesë e rëndësishme e ekonomisë publike.
Kush ishte Imam Ebu Jusufi?
Imam Ebu Jusufi, emri i plotë i të cilit ishte Jakub ibn Ibrahim el-Ensari (731–798), ishte një nga dijetarët më të shquar të jurisprudencës islame dhe nxënësit më të dalluar të Imam Ebu Hanifes. Ai dha kontribut të rëndësishëm në zhvillimin dhe përhapjen e medhhebit hanefi.
Rëndësia e tij nuk qëndron vetëm në veprimtarinë shkencore, por edhe në rolin që ushtroi në administratën gjyqësore të shtetit abasid.
Gjatë sundimit të kalifit Harun er-Rrashid, Ebu Jusufi u emërua në pozitën e kryegjykatësit dhe konsiderohet personi i parë që mbajti titullin Kadi el-Kudat (Gjykatësi i Gjykatësve) në historinë islame.
Ky emërim dëshmon autoritetin e tij shkencor dhe rëndësinë që kishte jurisprudenca në organizimin dhe administrimin e shtetit islam.
Një ndër kontributet e tij më të rëndësishme është vepra Kitab el-Haraxh, të cilën e shkroi me kërkesë të kalifit Harun er-Rrashid.
Kjo vepër nuk ishte thjesht një trajtesë juridike. Ajo përfaqëson një studim të rëndësishëm mbi financat publike, tatimet, administrimin e pasurisë shtetërore dhe përgjegjësinë e pushtetit ndaj qytetarëve.
Në të trajtohen disa çështje me rëndësi të veçantë:
Drejtësia tatimore
Detyrimet tatimore duhet të mbështeten në drejtësi dhe të mos shndërrohen në barrë të padrejtë për qytetarët.
Tatimi mbi tokën bujqësore
Trajton mënyrat e përcaktimit dhe mbledhjes së haraxhit, duke marrë parasysh kushtet e prodhimit bujqësor.
Mbrojtja e bujqve
Kundërshton praktikat e padrejta dhe ngarkesat e tepërta që mund të dëmtojnë bujqit dhe zhvillimin e prodhimit bujqësor.
Përgjegjësia e shtetit
Thekson rëndësinë e administrimit të drejtë të të ardhurave publike dhe përgjegjësinë e atyre që ngarkohen me mbledhjen dhe menaxhimin e tyre.
Çfarë e bën të rëndësishëm këtë kontribut?
Ajo që më duket veçanërisht e rëndësishme në qasjen e Imam Ebu Jusufit është se tatimin nuk e shihte (ose se Ebu Jusufi nuk e shihte tatimin) vetëm si një mjet për sigurimin e të ardhurave të shtetit, por edhe si çështje drejtësie, përgjegjësie dhe mirëqenieje shoqërore.
Duke e krahasuar këtë qasje me parimet që Adam Smithi do t’i sistematizonte shumë shekuj më vonë, vërejmë se disa shqetësime themelore, veçanërisht drejtësia dhe përshtatshmëria e barrës tatimore, ishin trajtuar edhe në traditën e hershme ekonomike islame.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë se të dy autorët kanë formuluar të njëjtën teori. Secili duhet kuptuar në kontekstin historik dhe intelektual të kohës së tij.
Sipas mendimit tim, vërejmë një nga mangësitë në njohjen e historisë së ekonomisë është se jo gjithmonë u kushtojmë vëmendjen e duhur kontributeve të mendimtarëve myslimanë.
Ekonomia islame nuk është zhvilluar vetëm rreth rregullave të tregtisë, ndalimit të kamatës dhe fitimit hallall. Ajo ka trajtuar edhe çështje të gjera të organizimit ekonomik, financave publike, pronësisë, tatimeve dhe përgjegjësisë së shtetit ndaj shoqërisë.
Prandaj, njohja e këtyre kontributeve nuk duhet të jetë vetëm çështje krenarie historike, por pjesë e një përpjekjeje serioze për ta kuptuar më drejt historinë e mendimit ekonomik.
Sepse për ta kuptuar ekonominë e sotme, duhet ta njohim edhe historinë e ideve që kanë ndihmuar në formësimin e saj.
✍️ Hoxhë Fuad Ferati
Mr. Ekonomi Islame











