Në të kaluarën, njerëzit ankoheshin për mungesën e zgjedhjeve.
Sot, duket se problemi është përmbysur krejtësisht.
Pothuajse në çdo aspekt të jetës, mundësitë janë më të shumta se kurrë më parë.
Specializime të panumërta.
Profesione të pafundme.
Qindra produkte të ngjashme.
Mijëra përmbajtje.
Dhe dhjetëra alternativa për çdo vendim.
Do të pritej që kjo bollëk zgjedhjesh t’i bënte njerëzit më të qetë dhe më të lumtur.
Por ajo që ndodhi në të vërtetë ishte ndryshe.
Shumë studime bashkëkohore në psikologji tregojnë se shtimi i zgjedhjeve, përtej një kufiri të caktuar, nuk e rrit kënaqësinë, por mund ta zvogëlojë atë.
Ky fenomen njihet si “Paradoksi i Zgjedhjes”.
Sa më shumë alternativa të ketë, aq më e madhe bëhet dilema.
Dhe sa më e madhe dilema, aq më i vështirë bëhet marrja e një vendimi.
Pastaj vjen ankthi edhe pasi vendimi është marrë.
A ishte kjo zgjedhja më e mirë?
Mos humba një mundësi më të mirë?
A duhej të prisja edhe pak?
Për këtë arsye, shumë njerëz jetojnë në një gjendje të vazhdueshme rishikimi të vendimeve të tyre.
Dhe kjo nuk kufizohet vetëm te vendimet e mëdha, por shtrihet edhe te detajet e jetës së përditshme.
Shumë të rinj sot nuk vuajnë nga mungesa e mundësive, por nga tepria e tyre.
Bollëku i alternativave i shtyn disa prej tyre të vonojnë vazhdimisht marrjen e një vendimi, duke pritur zgjedhjen ideale.
Mirëpo, në shumicën e rasteve, zgjedhja ideale nuk ekziston.
Çdo rrugë ka përparësitë dhe sfidat e veta.
Çdo vendim përmban fitime, por edhe sakrifica.
Prandaj, pjekuria nuk qëndron në gjetjen e zgjedhjes së përkryer, por në aftësinë për të zgjedhur një rrugë të përshtatshme dhe për të ecur në të me besim.
Një nga arsyet e qetësisë shpirtërore që gëzonin brezat e mëparshëm nuk ishte se kishin më shumë mundësi, por se kishin më pak zgjedhje dhe, rrjedhimisht, më pak dilema.
Ndërsa sot, njeriu mund të humbasë vite të tëra duke kaluar nga një alternativë te tjetra, pa u vendosur kurrë në një drejtim të caktuar.
Prandaj, urtësia nuk qëndron gjithmonë në shtimin e mundësive, por në të diturën se kur duhet të ndalojmë së kërkuari dhe kur duhet të marrim një vendim.
Sepse disa njerëz nuk e pengojnë jetën e tyre për shkak të një vendimi të gabuar…
Por për shkak të një vendimi që nuk e morën kurrë.
Ndoshta një nga aftësitë më të rëndësishme të kohës sonë është të mësojmë si të zgjedhim, e pastaj t’i përkushtohemi ndërtimit të asaj që kemi zgjedhur, në vend që ta kalojmë jetën duke krahasuar zgjedhjen tonë me atë që mund të kishim zgjedhur.
Problemi nuk është gjithmonë mungesa e mundësive, siç mendojmë ndonjëherë…
Por fakti se shumësia e tyre mund të na bëjë të paaftë për t’i shfrytëzuar ato.
Dr. Abdul Kerim Bakkar











