Kriteret e zgjedhjes së drejtuesve dhe administratorëve
Allahu i Lartësuar thotë në Librin e Tij: “Vërtet, më i miri që mund të marrësh në shërbim është i forti dhe besniku.” Surja El-Kasas: 26.
Shejhu i Islamit, Ibn Tejmije, ka thënë se këto dy cilësi të përmendura në ajet janë themeli i zgjedhjes së drejtuesve dhe administratorëve.
Fuqia kërkohet për ta kryer detyrën e ngarkuar, sepse i paafti nuk ka mundësi ta përmbushë atë.
Ndërsa amaneti (besnikëria) kërkohet që ai të mos tradhtojë përgjegjësinë që i është besuar.
Këtë parim e vërteton edhe përvoja historike. Ibn Halduni, kur flet për fazat e dobësimit dhe rënies së shteteve, përmend despotizmin dhe përqendrimin e pushtetit në duart e një personi. Në këtë fazë, sundimtari shpesh largon njerëzit e aftë dhe mbështetet te servilët e oborrit, sepse i sheh si më të sigurt për pushtetin e tij.
Servili zakonisht nuk zgjidhet për shkak të fuqisë dhe amanetit, por për shkak të bindjes së verbër. Kështu humbet kriteri i “të fortit dhe besnikut”, administrata dobësohet, padrejtësitë shtohen dhe shteti fillon të ecë drejt rrënimit.
Prandaj, ruajtja e shtetit dhe e institucioneve lidhet ngushtë me vendosjen e njerëzve sipas aftësisë dhe amanetit, e jo sipas servilizmit dhe afërsisë me pushtetin. Ky është një parim që garanton drejtësi, stabilitet dhe mirëqeverisje në çdo kohë.
/Hoxhë Dr. Abdullah Nabolli/











