Ballina banka Banka si partnere biznesi

Banka si partnere biznesi

Duket se ka një marrëveshje midis juristëve dhe bankierëve islamë mbi çështjen se një bankë mund të veprojë si partnere në një biznes edhe pse nuk ka përgatitje paraprake për të drejtuar një biznes. Në rast se ndonjë nga partnerët mbikëqyr këtë biznes, banka mund të marrë rolin e një partneri pasiv (të heshtur). Teorikisht, Sheriati nuk kundërshton këtë pozicion sepse, në një shirka (partneritet) islame, të gjithë partnerët kanë të drejtë të punojnë por nuk janë të detyruar të punojnë. Por kjo nuk mund të pretendohet në rastin e mudarabas. Praktikimi i mudarabas do të ngrinte një numër çështjesh, thjesht nga këndvështrimi i Sheriatit, përpara se banka të përfshihej në këtë kontratë. Së pari, a mund të konsiderohet banka si partnere punuese në një kontratë mudarba? Nëse po, a pritet që banka të punojë vetë apo lejohet t’ia kalojë fondet e mudarbas një pale të tretë për të bërë biznes apo ta lejojë palën e tretë t’ia kalojë fondet një pale të katërt, e kështu me radhë? Pastaj, a mund ta ndërmarrë ligjërisht mudaraban në çdo sektor të ekonomisë që dëshiron?

Në thelb, rregullat e Sheriatit zakonisht nuk e lejojnë kontratën e mudarbas. Arsyeja pse Profeti (paqja qoftë mbi të) e bëri atë shprehimisht duke anashkaluar rregullat ishte që kursimet në dorën e një pronari të papërvojë të fondeve dhe aftësitë e një sipërmarrësi pa burime të mos mbeten të papërdorura. Kjo do të thotë që qëllimi pas legalizimit të institucionit të mudarabas ishte transferimi i kapitalit të papërdorur tek një sipërmarrës, por jo tek një financues. Me fjalë të tjera, mudaraba është një kombinim i kapitalit dhe sipërmarrjes, por jo kapital dhe ndërmjetës financiar duke shpallur depozituesin si pronarin e fondeve dhe institucionin financiar si tregtar (mudarib). Nuk ka dyshim që banka është përdoruese e fondeve, por ky përdorim është thjesht një rialokim  parash ndërmjet atyre palëve që i përdorin këto fonde për bizneset e tyre. Pra, një bankë, edhe pse ligjërisht e aftë të lidhë një mudarba si agjent apo ndërmjetës, nuk është e aftë praktikisht të veprojë si palë punuese. Arsyeja pse banka këmbëngul të marrë këtë pozicion është që të shmangë përgjegjësinë për të mbajtur çdo humbje të mundshme, gjë që nuk mund ta bëjë si financues.

Pika e dytë është se në rast se mund të provojë kompetencën e saj për të lidhur kontratë si partnere punuese për të shmangur rrezikun e biznesit, duhet të provojë që vërtet kryen punën ose menaxhon punën që ia ka kaluar një pale të tretë përmes një sub-mudarba. Por praktikisht kjo nuk është gjithmonë e nevojshme. Banka mund t’i japë fondet një institucioni tjetër financiar, i cili vetë mund të mos jetë ndërmjetësi i fundit në zinxhir. Le të marrim një shembull.

Supozoni që një grup depozituesish, A, i ofron fondet e tij bankës B në bazë të mudarbas. Por B ia kalon ato përmes një sub-mudarba një shtëpie financiare, C. C hyn në një sub-sub-mudaraba me një kompani leasingu, D. D, nga ana e saj, blen taksi për t’i dhënë me qira tek transportuesit E me kushtin e sub-sub-sub-mudarabas. Transportuesit i shpërndajnë këto taksi tek shoferët F, të cilët janë punëtorët e vërtetë, me kushtin e sub-sub-sub-sub-mudarabas. Janë shoferët që i drejtojnë këto taksi dhe dorëzojnë një pjesë të fitimeve të tyre tek transportuesit. Transportuesit, duke mbajtur një pjesë të fitimeve për vete, ia kalojnë pjesën e rënë dakord kompanisë së leasingut; kompania e leasingut e ndan atë me shtëpinë financiare; shtëpia financiare me bankën dhe banka me depozituesit apo pronarët e fondeve. Situata jo vetëm që është absurde por është gjithashtu e destinuar të ulë pjesën e fitimit për pronarin e fondeve në një pjesë absurde.

Ndoshta pikërisht për shkak të kësaj situate absurde, diskutimet në librat e fikhut nuk shkojnë përtej nivelit të sub-mudarabas.

Një pyetje tjetër lind në lidhje me fushën e zbatimit të mudaraba. Letërsia e fikhut këmbëngul që mudaraba aplikohet vetëm në operacionet tregtare, por jo në prodhim, transport, bujqësi, ndërtim, etj. Kështu, ndërsa një bankë mund të kualifikohet për t’u bërë partnere biznesi, mund të mos jetë e zbatueshme që ajo të ndërmarrë kontrata mudaraba.

Sa i përket kompetencës së një banke për të lidhur kontrata murabaha apo me marzh fitimi, ligjshmëria e praktikës ekzistuese të një numri bankash nuk është shumë bindëse. Të gjitha këto teknika përfshijnë ligjin islam të shitjes së mallrave. Një kusht i domosdoshëm për shitjen e mallrave është që malli të jetë në posedim të shitësit. Posedimi gjithashtu nënkupton që shitësi duhet ta transferojë atë nga ambientet e furnizuesit të parë. Një tjetër kusht i shitjes së mallrave është që malli të përcaktohet saktësisht. Për sa kohë bankat e vogla individuale me pjesë të papërfillshme të fondeve dhe me numër të kufizuar kërkuesish fondesh që kërkojnë artikuj të përzgjedhur janë në funksion, këto teknika do të konsiderohen të zbatueshme duke përmbushur kërkesat e Sheriatit. Por, bankat e mëdha me fonde të mëdha që duhet të përmbushin kërkesat e panumërta të qindra mijëra klientëve vështirë se mund të arrijnë të përmbushin të gjitha kërkesat e Sheriatit që kanë të bëjnë me murabaha, riblerje, bai salam apo me marzh fitimi.

Problemi bëhet edhe më serioz nëse kalimi përfshin të gjithë sistemin bankar. Të marrim shembullin e Pakistanit, ku pesë bankat kryesore pakistaneze kanë një rrjet prej mbi 7,000 degësh që përmbushin shumicën e kërkesave të të gjitha sektorëve ekonomikë. Këto banka kanë mbi 1.5 milion llogari kredie, dhe mallrat e shërbimet që hyjnë në këto sektorë ekonomikë dhe që duhet të përcaktohen saktë për transaksion sipas murabahas apo marzhit të miratuar nga Sheriati duhet të jenë me mijëra. Kategoria e përgjithshme si mobilie apo kimikate nuk mund të jetë objekt transaksioni nëse njësia e mallrave nuk përcaktohet saktë. Kështu, nëse një bankë kërkohet të rishesë mobilie një tregtari në bazë të murabahas apo riblerjes, ajo duhet të përcaktojë njësinë e mobilieve, p.sh. tavolinë, karrige, krevat, etj. dhe cilësinë e tyre. Rishitja e pastës së dhëmbëve nuk mund të jetë e vlefshme nëse nuk specifikohet marka. Këto shembuj duhet të transaksionohen në bazë të murabahas apo marzhit.

Del që praktikisht është e pamundur për bankat e mëdha apo sistemin bankar të praktikojnë mënyra si marzh fitimi, bai salam, riblerje, murabaha, etj. në një mënyrë që përmbush kushtet e Sheriatit. Por, për t’u bërë të pranueshme për të marrë kthime nga operacionet e tyre, bankat detyrohen të bëjnë manipulime me fjalët e ligjit. Ato në fakt nuk blejnë nuk zotërojnë, as nuk shesin e dorëzojnë mallrat por supozohet që transaksioni të ketë ndodhur. Duke nënshkruar një numër dokumentesh blerjeje, shitjeje dhe transferimi ato mund të plotësojnë një kërkesë ligjore, por kjo bëhet duke shkelur thelbin e ndalimit.

Një pikë interesante është se të gjitha këto teknika nuk përdoren në rrjedhën e tyre normale, që parashikon pagesë të menjëhershme. Përkundrazi, të gjitha këto teknika përfshijnë fonde bankare, pa të cilat askush nuk do të kishte motiv të kryente transaksione me bankën. Madje, edhe bankat nuk duken të interesuara të tërheqin klientë që mund të kryejnë pagesë të menjëhershme. Kjo gjithashtu tregon që performanca reale e bankës është avancimi i fondeve dhe jo blerja apo shitja reale e mallrave për tregti, apo marrja e qirasë së rregullt si pronar që mban rrezikun dhe fiton duke zotëruar një numër të madh pasurish të paluajtshme për spekulim, qira apo zhvillim. Një bankë e madhe nuk është dhe nuk do të jetë kurrë e interesuar të ofrojë vërtet mallra për shitje apo të ofrojë shërbimet e saj për transport, zhvillim apo ndërtim për ndonjë palë tjetër përveç asaj që realisht ka nevojë për fonde për këtë qëllim. Një blerës, një shitës, një zhvillues, një pronar toke, një prodhues i drejtohet bankës jo sepse ajo është magazinier, shitës, importues apo eksportues, por sepse ajo mund të sigurojë fonde për të përmbushur këto kërkesa.

Për të përmbledhur, vijmë në këto përfundime:

  • Ajo që bankat realisht po bëjnë është grumbullimi i burimeve monetare të papërdorura për t’i rialokuar ato për qëllime të dobishme kombëtare.
  • Arsyeja pse bankat kanë adoptuar një sërë teknikash financimi me theks të vogël në ndarjen e fitimit dhe humbjes (PLS) është pjesërisht për faktin se PLS nuk duket i zbatueshëm në të gjitha veprimtaritë ekonomike dhe pjesërisht sepse ai nuk garanton një kthim, i cili është i nevojshëm për të mbajtur institucionin dhe për ta shpërndarë atë ndër depozituesit — një nga treguesit e qëndrueshmërisë së tij.
  • Të gjitha teknikat përfshijnë përdorimin e fondeve të bankës për të financuar sigurimin e mallrave dhe shërbimeve, por jo anasjelltas.
  • Teknikat, të cilat pretendohet se janë adoptuar nga këto banka, shpesh nuk ndjekin procedurat që janë të domosdoshme në Sheriat, përkundrazi, supozohet se procedura është ndjekur.
  • Në të gjitha teknikat, pa përjashtim, përfitimi i bankës varet nga elementi i shtyrjes së pagesës. Me fjalë të tjera, fitimi varet nga kthimi i transaksionit në borxh.

Këto përfundime vërtetojnë se bankat po ofrojnë një shërbim dhe duhet të paguhen për këtë. Por ky fakt nuk i jep të drejtë bankave të pretendojnë një pjesë si fitim, ashtu siç pretendohet në mënyrë të vlefshme nga një shitës mallrash, një prodhues apo një transportues.

Pikat e mësipërme ia heqin besueshmërinë teknikave ekzistuese si një sistem ideal. Kjo situatë do të vazhdojë për sa kohë nuk ridizenjohet i gjithë sistemi duke njohur rolin thjesht financiar të bankës. Një qasje e re ndaj rolit të bankës në një ekonomi pa interes propozohet si më poshtë:

  • Për të siguruar që mënyrat islame të financimit të mos sjellin të këqijat që gjeneron interesi, është e domosdoshme të shmangen teknikat si mark-up, murabaha, riblerje, bai salam, etj., pasi të gjitha këto teknika sigurojnë një përfitim për bankën pa marrë parasysh produktivitetin e fondeve të bankës në duart e sipërmarrësit.
  • Bankat fillimisht duhet të specifikojnë ata sektorë ku ndarja e fitimit dhe humbjes mund të jetë e zbatueshme.
  • Praktikimi i mudarabas do të ngrejë një numër çështjesh para se banka të përfshihet në këtë kontratë. Gjatë lidhjes së mudarabas nuk do të jetë e lejueshme që banka të marrë rolin e sipërmarrësit apo të një partneri punues. Po ashtu, nuk është e këshillueshme që ajo të marrë pozicionin e një bashkë-financuesi dhe të mbajë rrezikun e humbjes.

Prandaj, në të gjithë sektorët apo transaksionet ku musharaka nuk është e zbatueshme apo e këshillueshme, një bankë mund të marrë një nga pozicionet e mëposhtme:

  • Mund të veprojë si amin (besnik/ruajtës) i depozitave.
  • Mund të trajtohet si një ndërmjetës mes kursimtarëve dhe përdoruesve të fondeve të bankës.

Sa i përket kësaj, nuk është e mundur të trajtohet banka si amin (besnik), sepse sipas rregullave të Sheriatit, një amin nuk ka të drejtë të përdorë fondet e pronarit pa lejen e tij. Aktualisht, kjo leje mund të konsiderohet e nënkuptuar dhe e zakonshme. Por problemi kryesor lind kur banka pëson humbje me këtë shumë, sepse sipas ligjit islam, e gjithë humbja duhet të mbulohet nga amin-i — në këtë rast banka. Në mënyrë të ngjashme, në rast fitimi, banka do të ketë të drejtë të marrë gjithë fitimin. Kjo gjendje nuk do të pranohej as nga banka dhe as nga depozituesi.

Artikulli paraprakSistemi financiar islam: Një hyrje e shkurtër
Artikulli tjetërBanka si ndërmjetësuese