Ekonomiksi Islam në praktikë

Një zhvillim i rëndësishëm gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit ka qenë kryerja e studimeve empirike që testojnë hipotezat e bazuara në literaturën ekzistuese të ekonomisë islame, në dritën e realitetit përkatës.

A ekziston një realitet që korrespondon me ekonomiksin islam në botën e sotme? Në mes të shekullit, përgjigja do të kishte qenë një jo kategorike. Në fakt, disa autorë theksonin se sjellja ekonomike e myslimanëve, institucionet dhe politikat, veçanërisht politikat qeveritare, po devijonin ndjeshëm nga Islami. Për shumë njerëz, kjo nënkuptonte se ekonomiksi islam nuk kishte një referencë në botën reale.

Më nuk është kështu. Dy faktorë kanë ndryshuar këtë perceptim. Së pari, disa vende po përpiqen të çlirojnë ekonomitë e tyre nga interesi dhe të vendosin në vend të tij një sistem financiar pa interes. Pakistani, Irani dhe Sudani e nisën këtë proces në fillim të viteve ‘80. Malajzia, në fund të viteve ‘80, filloi të ndërtonte një strukturë financiare pa interes paralelisht me atë konvencionale. Disa vende gjithashtu po mbledhin dhe shpërndajnë zekatin.

Së dyti, po kuptohet se sjellja e myslimanëve në kohët moderne nuk është plotësisht devijuese. Ajo përbën një situatë të përzier. Shumë myslimanë përpiqen të ndjekin mësimet islame si konsumatorë, prodhues, punëdhënës, etj. Gjithashtu, ekzistojnë institucione islame të rëndësishme që nuk mund të injorohen, si vakëfët(fondacionet bamirëse). Prandaj, është e drejtë të trajtohet secili rast në bazë të meritës, për sa i përket përputhshmërisë me parimet islame të politikave qeveritare, rolit të institucioneve shoqërore dhe sjelljes së agjentëve ekonomikë. Një refuzim i përgjithshëm nuk është i justifikuar dhe, për më tepër, është joproduktiv.

Ka një rritje të ndjeshme të studimeve të zbatuara dhe empirike. Shumica e temave të aprovuara për disertacione doktorature tani i përkasin kësaj kategorie, ndërsa në periudhat e mëparshme nuk ishte shkruar asnjë disertacion mbi këtë temë. Ky është gjithashtu një tregues i prioriteteve aktuale të kërkimit.

Zbatimi praktik i ekonomiksit islam po merr më shumë vëmendje sesa thjesht përshkrimi dhe lavdërimi i saj. Gjithashtu, prirja naive për të ndërtuar modele duke supozuar sjelljen ideale dhe shembullore islame të agjentëve ekonomikë po moderohet duke futur koncepte të përputhshmërisë së pjesshme dhe sjelljes dytësore më të pranueshme.

Artikulli paraprakNjë perspektivë islame mbi diskontimin
Artikulli tjetërKarakteristikat bazë të ekonomiksit islam