Karakteristikat bazë të organizimit ekonomik islam, të nxjerra nga parimet teorike të përmendura më herët, janë:
- Është një ekonomi e drejtuar moralisht, duke qenë pjesë e një filozofie të përgjithshme morale siq është Islami. Kjo është në kontrast me organizimin ekonomik moralisht neutral në shoqëritë kapitaliste.
- Iniciativa individuale duhet të realizohet brenda kornizës së përgjegjësisë sociale, pra nuk ka një treg të lirë në kuptimin absolut dhe as pronësi absolute.
- Ekonomia ka një qëllim të qartë për krijimin dhe mirëmbajtjen e një organizimi të mirëqenies sociale për sektorët më në nevojë të shoqërisë.
- Puna është faktori bazë i prodhimit, është një mjet për krijimin dhe shpërndarjen e pasurisë. Ajo legjitimon fitimin e pasurisë.
- Është një ekonomi e orientuar drejt aseteve, ku paraja është vetëm një mjet shkëmbimi dhe ruajtje vlere. Nuk lejohet të jetë mall i tregtueshëm, për shkak të ndalimit të interesit, i cili përjashton tregtinë me “hua”.
- Për shkak të kornizës së saj të fortë morale dhe synimeve sociale, agjenti kryesor i riciklimit të pasurisë është një detyrim fetar i fiksuar dhe i qëndrueshëm – “Zekati”, i cili është një tatim social mbi pasurinë dhe përdoret posaçërisht për mbrojtjen e shoqërisë. Nuk është një masë fiskale që varet nga ndryshimet në politikat qeveritare.
- Ekzistojnë edhe mjete të tjera të riciklimit të pasurisë: ligjet e trashëgimisë në Islam e shpërndajnë pasurinë në një bazë më të gjerë sesa në shoqëritë kapitaliste. Ka gjithashtu një presion të fortë moral për të dhënë lirisht (Sadaka). Tatimet fiskale, siç njihen sot, janë vendosur dhe mund të vendosen përveç Zekatit, nëse shteti e sheh të nevojshme.
- Zekati llogaritet si një përqindje e vlerës totale të kapitalit dhe fitimeve, minus borxhet e këqija dhe amortizimi. Për asetet tregtare, si qiratë, arrin deri në 10%. Në bujqësi, varion nga 2.5% deri në 10%, në varësi të llojit të ujitjes. Për kafshët ka një mënyrë të ndryshme llogaritjeje.
- Zekati duhet të mblidhet dhe shpërndahet në nivel lokal – vetëm teprica mund të dërgohet diku tjetër dhe ka kategori të përcaktuara për shpërndarjen e tij: të varfërit, nevojtarët, të zhyturit në borxhe që nuk kanë mundësi shlyerjeje, të konvertuarit rishtazi në Islam, mbrojtja e shoqërisë, punonjësit që mbledhin Zekatin, çlirimi i skllevërve në kohët e vjetra dhe udhëtari në nevojë.
Është e qartë se ka dallime themelore mes orientimit teorik dhe organizativ, qëllimeve dhe strukturës së ekonomisë islame dhe asaj kapitaliste. Kur bëhet fjalë për instrumentet e politikës ekonomike (si politikat monetare, çmimet, organizimi i tregut etj.), Islami nuk ka përcaktuar procedura të detajuara për arsyen e përmendur më parë: këto janë çështje organizative që një shoqëri islame duhet t’i projektojë dhe t’i përshtatë në mënyrën që e sheh më të përshtatshme për të zbatuar karakteristikat bazë të organizimit të saj ekonomik.