Nëse nuk ia del dot mbanë në një fushë, nuk do të thotë se nuk do t’ia dalësh mbanë në fusha të tjera të dijes

Nëse nuk ia del mbanë në një fushë, atëherë merru me një fushë tjetër pasi mund të kesh sukses. Disa dijetarë kanë pasur arritje të mëdha kur janë marrë me studimin e disa fushave të reja që nuk i kishin studiuar më parë.

Shpirti dhe zemra janë si toka, jo çdo tokë është e përshtatshme për të mbjellë çdo bimë. Disa bimë kërkojnë habitat të veçantë e disa toka janë të përshtatshme për kultivimin e disa bimëve, por jo për disa bimë të tjera.

Kontrollo mendjen dhe zemrën tënde që të shikosh se cilat dije janë më të pranueshme për ty dhe pastaj hidh të gjithë mundin dhe mendjen tënde tek ato dije që mund të mbijnë, të rriten e të japin prodhimin e tyre njësoj si pemët.

Nëse dikush është i dhënë pas një dijeje, cilado qoftë ajo, le të fokusohet tek ajo veçanërisht e të mos e përziejë me dijet e tjera, përndryshe “do të mbjellë arrë kokosi në Andaluzi dhe pemë ulliri në Indi, ndërkohë që ato nuk mund të rriten në ato vende.” ¹

Këtu ngrihet një pyetje nga shumë të rinj: Si ta kuptoj që unë preferoj vërtet një dije dhe kam perspektivë për të pasur arritje në atë fushë? Para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, dua të theksoj se studenti i ri nuk duhet të nxitohet në këtë stad derisa të formojë të gjitha mjetet e duhura të shkencave dhe të ketë përfunduar formimin bazë. Kjo periudhë konsiderohet si periudha e marrjes së një drejtimi konkret ose rruga drejt kësaj. Prandaj për t’i dhënë përgjigje pyetjes po shtrojmë katër pika:

1- Të vëresh se ke dashuri për atë shkencë, ke dëshirë të lexosh në të, të njohësh temat me të cilat ajo merret, sikundër ta kesh përzemërt e të të duket e thjeshtë në pikëpamjen tënde.

2- Të shikosh se ke goxha përzemërt të blesh librat e asaj shkence, ke dëshirë të njohësh tituj, autorë që kanë shkruar në atë shkencë, botime e gjëra të kësaj natyre.

3- Nëse dikush nga profesorët apo miqtë e tu ta vë në dukje prirjen tënde në atë shkencë, faktin që ti ke aftësi për të kuptuar librat e asaj shkence dhe analizimin e problematikave që kanë të bëjnë me të.

4- Mund ta zbulosh vetë prirjen tënde drejt një shkence gjatë periudhës së studimeve.

 

Marr nga libri: ” NGUSHËLLIMI I STUDENTIT” – Dr. ALI IMRANI

 

¹ Shprehje e Ibn Hazmit në librin “Risaleh mudavat en nufus”, v. 1, f. 344

Artikulli paraprakParashikimi për ekonomitë e Ballkanit: ku në ulje e ku në ngritje?
Artikulli tjetërKosovë, ATK inkasoi 423 milionë euro në gjashtë muajt e parë të vitit