KUJT I JEPET SADAKA?

Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk është detyrë e jotja udhëzimi i tyre. Është Allahu që udhëzon në rrugë të drejtë atë që Ai do. Çfarëdo të mire që të jepni, e keni për veten tuaj. Por çdo gjë ta jepni veçse për hir të Allahut, sepse çdo të mirë që ju jepni do t’ju kompensohet në mënyrë të plotë, pa ju cenuar aspak. Ajo (sadakaja) u takon të varfërve, të cilët janë të angazhuar në rrugën e Allahut dhe nuk kanë mundësi të lëvizin nëpër tokë. Ata nuk lypin, prandaj ai që nuk e di gjendjen e tyre mendon se ata janë të pasur. Ata njihen nga vetë pamja e tyre, ndonëse ata nuk kërkojnë me ngulm dhe nuk i bezdisin njerëzit. Çfarëdo të mire që të jepni, s’ka dyshim se Allahu e di shumë mirë. Ata që e shpërndajnë pasurinë e vet natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka as frikë, as dëshpërim.”. El Bekare 172 – 174.

Shpjegimi i ajeteve

“Nuk është detyrë e jotja udhëzimi i tyre. Është Allahu që udhëzon në rrugë të drejtë atë që Ai do.”

Allahu i Lartësuar, duke iu drejtuar Profetit të Tij, i thotë se udhëzimi i krijesave për të besuar apo jo, nuk është në kompetencën e tij. Detyra e një Profeti është thjesht përcjellja dhe sqarimi i të vërtetës. Ndërsa udhëzimi i tyre, që të besojnë apo jo, është në dorën e Zotit. Ky ajet mbështet qëndrimin se lejohet që sadakatë t’u jepen edhe jomuslimanëve, domethënë atyre që ende nuk janë udhëzuar të kuptojnë dhe të besojnë, sepse, më tej, Allahu i Lartësuar thotë:

“Çfarëdo të mire që të jepni, e keni për veten tuaj. Por çdo gjë ta jepni veçse për hir të Allahut…”

Pra, çfarëdo lloj të mire që të shpenzoni, të madhe apo të vogël, që ua jepni muslimanëve apo jomuslimanëve, mirësia e saj kthehet tek ju. Pra, ajeti nuk e përcakton që sadakatë duhet t’u jepen vetëm muslimanëve, por ai është gjithëpërfshirës. Në fakt, Allahu i Lartësuar na tregon këtu për sadakatë e besimtarëve, të cilët japin veçse për një qëllim të caktuar: që të kënaqin Allahun e Lartësuar, sepse besimi i tyre i pengon ata që të kenë ndonjë qëllim tjetër veç këtij. Besimi i tyre i detyron ata që të jenë të sinqertë e të pastër.

“…sepse çdo të mirë që ju jepni do t’ju kompensohet në mënyrë të plotë, pa ju cenuar aspak”

Shpërblimin për çdo bamirësi tuajën do ta gjeni të plotë Ditën e Gjykimit. Juve nuk do t’ju preket asgjë, domethënë nuk do t’ju pakësohet aspak shpërblimi që meritoni dhe nuk do t’ju shtohen aspak të këqijat që keni bërë. Më poshtë, Allahu i Lartësuar na udhëzon që t’ia japim sadakanë një kategorie të caktuar njerëzish, të cilët konsiderohen si më parësorët dhe që kanë gjashtë cilësi:

“Ajo (sadakaja) u takon të varfërve, të cilët janë të angazhuar në rrugën e Allahut dhe nuk kanë mundësi të lëvizin nëpër tokë.”

Cilësia e parë e atyre që e meritojnë më shumë sadakanë është skamja e tyre. Cilësia e dytë është: të jenë të angazhuar në rrugën e Allahut, domethënë, të jenë të përkushtuar në bindjen ndaj Allahut dhe të luftojnë në rrugën e Zotit. Si të tillë, ata nuk mund ta braktisin detyrën që kanë mbi supe. Ndërsa cilësia e tretë është pamundësia e tyre për të kërkuar rizkun, siç thotë i Lartësuari: “nuk kanë mundësi të lëvizin nëpër tokë”, pra, që të kërkojnë rizkun.

“Ata nuk lypin, prandaj ai që nuk e di gjendjen e tyre mendon se ata janë të pasur.”

Kështu, cilësia e katërt është: nëse nuk e di gjendjen e tyre, mendon se ata janë të pasur. Kjo ndodh, sepse ata janë të rezervuar në kërkesat e tyre dhe nuk bezdisin askënd. Ky është tregues për durimin e tyre në detyrën që i kanë vënë vetes.

“Ata njihen nga vetë pamja e tyre, ndonëse ata nuk kërkojnë me ngulm dhe nuk i bezdisin njerëzit.”

Cilësia e pestë është: ata mund t’i njohësh nga shenjat e tyre. Ata vërtet mund të dallohen, por jo nga çdokush. Pra, kjo fjalë nuk bie ndesh me cilësinë e lartpërmendur, ku Allahu thotë: “…ai që nuk e di gjendjen e tyre mendon se ata janë të pasur”. Ata në të vërtetë nuk bien në sy, sepse janë shumë të vetëpërmbajtur, aq sa ai që nuk i njeh nuk mund t’i dallojë dhe të gjykojë se janë të varfër, por një njeri inteligjent e i sprovuar mund t’i njohë ata shumë mirë, duke u nisur nga shenjat e tyre, të cilat Allahu i Lartësuar i ka sqaruar.

Ndërsa cilësia e gjashtë e tyre është: “…ata nuk kërkojnë me ngulm dhe nuk i bezdisin njerëzit”. Pra, edhe nëse mund të ndodhë që të kërkojnë ndonjëherë, këtë nuk e bëjnë me këmbëngulje, por e bëjnë vetëm njëherë dhe me butësi. Këta janë njerëzit që meritojnë të parët sadakanë, sepse ata kanë cilësi shumë të vyera. Megjithatë, kujtdo që t’i jepen, sadakatë konsiderohen si bamirësi, për të cilën dhënësi do të shpërblehet. Prandaj i Madhëruari thotë përsëri:

“Çfarëdo të mire që të jepni, s’ka dyshim se Allahu e di shumë mirë.”

Pra, çfarëdo që të shpenzoni dhe kujtdo që t’ia jepni, Allahu e di shumë mirë dhe do t’ju shpërblejë, gjithashtu, më së miri. Më poshtë, Allahu i Lartësuar flet për sadakadhënësit në mënyrë përmbledhëse.

“Ata që e shpërndajnë pasurinë e vet natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi…”Domethënë, ata që e shpenzojnë pasurinë e tyre në rrugën e Zotit, pra, për hir të Tij e jo për të përmbushur dëshirat e ndaluara apo të papëlqyeshme; ata që shpenzojnë natën dhe ditën, fshehtas apo haptas.

“…ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka as frikë, as dëshpërim.”

Njerëz të tillë do të kenë një shpërblim shumë të madh nga Zoti i tyre Bujar. Kur ata që kanë kryer vepra të këqija do të jenë të mbushur me ankth e frikë për veprat e tyre, këta fatlumë do të jenë të çliruar nga çdo lloj frike. Atë ditë, ata që e kanë tepruar duke shkelur kufijtë e Zotit dhe duke neglizhuar dispozitat e Tij, do të dëshpërohen dhe do të trishtohen, ndërsa këta të tjerët do të lumturohen, duke arritur çdo gjë që dëshirojnë. Këta do të gëzohen, sepse do të shpëtojnë nga çdo e keqe që i druheshin më parë. Kjo është gjendja e bamirësve, të cilët kujdesen për robërit nevojtarë të Zotit. Ata kujdesen për të plotësuar detyrimet e veta ndaj Zotit dhe detyrimet ndaj krijesave të Tij.

Tefsiri i Sa’dit
Përktheu: Uthman Agolli

Artikulli paraprakSamsungu merr vendim interesant për inteligjencën artificiale
Artikulli tjetërTri kategoritë e shpenzimit të pasurisë