Erdogan: Ky është xhevahiri ynë!

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se tanku i ri Altay do të jetë një pikë e rëndësishme fuqie për ushtrinë turke në rajon, duke e përshkruar atë si “xhevahiri i industrisë turke të mbrojtjes”.

Në ceremoninë e dorëzimit të një tanku të ri për testim në ushtrinë turke, e cila u mbajt në provincën e Sakarya, në veriperëndim të vendit, mori pjesë edhe presidenti turk.

Ai vlerësoi tankun e ri, duke thënë se ishte ndryshe nga prototipi i prezantuar për herë të parë dhjetë vjet më parë dhe kishte aftësi të larta.

Ai shtoi se e kalon nivelin e gjeneratës së tretë për sa i përket pajisjes me armaturë të avancuar dhe një sistem mbrojtjeje superiore.

Kur bëhet fjalë për datën e fillimit të prodhimit serik të tankut Altay, Erdogan sqaroi se kjo do të ndodhë sapo ushtria turke të përfundojë testimin, duke theksuar se do të jetë një pikë e rëndësishme fuqie në duart e forcave të armatosura turke.

Industria e shquar e mbrojtjes

Erdogan tërhoqi vëmendjen për faktin se vendi i tij zë një pozicion të spikatur në botë në industrinë e mbrojtjes, se si i ka furnizuar forcat e tij me lloje të ndryshme dronësh të lehtë dhe të mesëm tokësor dhe ka ardhur afër plotësimit të nevojave në fushën e automjeteve ushtarake duke u mbështetur në aftësitë lokale.

Presidenti turk tha se numri i projekteve të industrisë së mbrojtjes u rrit nga 62 projekte në vitin 2002 me një buxhet prej 5,5 miliardë dollarësh në më shumë se 750 projekte aktualisht me një buxhet prej 75 miliardë dollarësh.

Ai vlerësoi gjithashtu arritjet ushtarake dhe teknologjike të Turqisë në ditët e fundit.

Lidhur me këtë, ai iu referua dorëzimit të Marinës së anijes më të madhe në vend “TCG Anadolu”, testimit të avionit luftarak pa pilot Kizilelma, nisjes së satelitit IMECE dhe testimit të fluturimit të helikopterit Gokbey me motor turk. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakAnija turke TCG Anadolu kalon në Ngushticën e Bosforit
Artikulli tjetërA lejohet t’u jepet zekati motres apo edhe vëllaut nga gjaku?!