Sipas krahut administrativ të Dhomës së Përfaqësuesve, përdorimi i platfomës së njohur kineze të videove, “TikTok”, është ndaluar në të gjitha pajisjet që menaxhohen nga Dhoma e Përfaqësuesve. Vendimi është në përputhje me ligjin që ndalon përdorimin e aplikacionit në të gjitha pajisjet e qeverisë amerikane. Ligji së shpejti pritet të hyjë në fuqi.
Ky aplikacion konsiderohet “me rrezikshmëri të lartë për shkak të një sërë çështjesh së sigurisë”, tha zyrtari kyresor administrativ i Dhomës së Përfaqësuesve, në një mesazh dërguar të martën të gjithë ligjvënësve dhe personelit dhe se platfoma duhet të fshihet nga të gjitha pajisjet që menaxhohen nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Rregulli i ri pason një numër masash nga qeveritë e shteteve amerikane për të ndaluar TikTok-un në pajisjet qeveritare, një platformë që është në pronësi të kompanisë “ByteDance Ltd” me bazë në Pekin.
Një pako shpenzimesh prej 1.66 trilionë dollarë, e miratuar javën e kaluar për financimin e qeverisë amerikane deri më 30 shtator të vitit 2023, përfshin një dispozitë për ndalimin e përdorimit të aplikacionit në pajisjet që menaxhohen nga qeveria dhe do të hyjë në fuqi në momentin që presidenti Joe Biden nënshkruan ligjin.
“Me miratimin e paketës që përfshin ndalimin e TikTokut në pajijset e degës ekzekutive, zyra administrative e Dhomës së Përfaqësuesve u angazhua me Komisionin për Administrimin e Dhomës së Përfaqësuesve për të zbatuar një politikë të ngjashme në Dhomën e Përfaqësuesve”, i tha agjencisë së lajmeve Reuters një zëdhënës i zyrtarit kryesor administrativ.
Mesazhi drejtuar personelit thoshte se kushdo që e ka të instaluar aplikacionin e TikTokut në pajsije do të kontaktohet për heqjen e tij dhe se shkarkimi i aplikacionit në të ardhmen do të jetë i ndaluar.
Zyrtarët e platformës TikTok nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment lidhur me këtë çështje.
Ligjvënësit amerikanë propozuan zbatimin e një ndalese mbarëkombëtare të aplikacionit.
Ndalimi i TikTok-ut nga telefonat e qeverisë, kërcënon të hyrat e kompanisë nga marketingu, thonë ekspertët./VOA