Për herë të parë në histori, një koncept dhe një folës nga Ballkani u zgjodh si “përzgjedhja e redaktorit” në kanalin zyrtar të TED në YouTube, duke e renditur atë në 0.5 përqindëshin më të mirë të 19,700 fjalimeve në mbarë botën.
Fikret Zendeli, sipërmarrësi zvicerano-maqedonas dhe krijuesi i të Premtes Sociale (Social Friday), mbajti fjalim në TEDxZurich në nëntor të 2021-shit. Ishte hera e parë që një dialekt gostivaras të dëgjohej nga një audiencë globale në atë skenë.
Zendeli është gjithashtu shqiptari i parë që është promovuar në shkallë globale nga organizata TED, duke iu bashkuar radhëve të folësve të tjerë të njohur si Bill Gates, Elon Musk, Al Gore dhe Bill Clinton.
TED Talks është platforma më e njohur për eksplorimin e ideve inovative me ndikim global, ku videot përkthehen në mbi 100 gjuhë.
Ndjekja rigoroze e politikatve dhe praktikave të korporatës, sidomos kur sipërmarrësit zbulojnë “formulën” e suksesit financiar, është vështirë për t’u ndryshuar. Zendeli sfidoi pikërisht këtë çështje.
“Një studim i produktivitetit që përfshin 10 vende të industrializuara, si Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Zvicrën që është tepër produktive, konfirmon atë që ne të gjithë tashmë e dim – pasditja e së premtes është zakonisht dita më pak produktive e javës”, tha Zendeli në skenën e TED.
Sipas tij, është koha për ta rimenduar këtë status quo dhe për t’i shfrytëzuar këto të dhëna për të krijuar një shoqëri më të mirë dhe një ekonomi të shëndetshme. Atëherë suksesi korporatës nuk do të matet vetëm nga përfitimet monetare, por edhe nga “sa të mira” kanë qenë në gjendje t’i kthejnë komunitetit.
Zgjidhja e Zendelit është e Premtja Sociale (Social Friday), një iniciativë globale PSK (Përgjegjësia Sociale e Korporatës) që fton korporatat, organizatat dhe kolegjet të bashkohen në mënyrë vullnetare për një kauzë sociale lokale në katër pasdite të së premtes çdo vit (një në çdo tremujor). Kjo ide, e cila filloi në një cep të Ballkanit dhe tani është zhvilluar në një lëvizje globale, u frymëzua nga një hulumtim i British Airways, i cili zbuloi se shumica e stafit thjesht “nuk funksionojnë” të premten pasdite.
Zendeli u ftua të fliste para audiencës masive të TED, për të shpalosur misionin e tij për të rritur ndërgjegjësimin, adresimin e sfidave sociale dhe zhvendosjen e ciklit të korporatës nga raportimi tremujor në akte të koordinuara të filantropisë.
Organizata TED e përcaktoi prezantimin e tij si “i denjë për t’u shpërndarë” me abonentët të TEDx, sepse ai përfaqëson një nocion të përshtatshëm dhe bashkëkohore për audiencën e tij globale. Kjo nënkupton që koncepti i të Premtes Sociale (Social Friday) do të arrijë 35 milionë abonentët e TEDx, duke e zgjeruar edhe më tej potencialin e iniciativës.