Në parathënien e librit të tij “100 njerëzit më me ndikim në histori,” Michael Hart e trajton suksesin suprem të Profetit Muhamed, (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), si në nivelin fetar ashtu edhe në atë laik (Hart 1978).
Bashkësia myslimane e cila nisi të formohej nga katër individë: ai vetë, e shoqja Hatixhe, shoku i ngushtë Ebu Bekri dhe kushëriri Aliu, arriti të ketë mbi njëqind mijë sahabe deri në vdekjen e Profetit pas 23 vjetësh. Vetëm afro dhjetë mijë nga këto sahabe gjenden të varrosur në varrezat e Medinës sot, sepse shumica e tyre vdiqën në vende të largëta ku kishin vajtur për të përhapur mesazhin. Në kundërshtim me perceptimin e zakonshëm në Perëndim, Profeti Muhamed nuk e shpenzoi shumicën e kohës në luftëra apo duke u marrë me çështje politike. Përkundrazi, aktivitetet që zinin kohën më të madhe të jetës së tij ditore ishin adhurimi, namazet dhe lutjet e pasuara nga problemet familjare dhe ato shoqërore, duke përfshirë edhe shpalljen e mesazhit të Allahut popullit të tij. Duke pasur gjithmonë besim në ndihmën e Allahut, i Dërguari (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), ishte gjithashtu një mjeshtër i menaxhimit të shkathët të kohës. Në këtë artikull do t’i hedhim një sy disa prej praktikave menaxhuese të kohës që ai i zbatoi gjatë jetës së tij.
Nga pikëpamja e menaxhimit të kohës, dalin në pah katër parime kur studiojmë jetën e Profetit Muhamed. Është interesant fakti se këto janë gjithashtu parime mbi të cilat bie dakord shumica e ekspertëve bashkëkohorë të menaxhimit të kohës. (Taylor 1998, Jasper 1999, Covey Morgenstern 2000)
Këto janë:
- Njohja e vlerës së kohës dhe rrjedhimisht përdorimi më i mirë i mundshëm i çdo pjese të kohës së vlefshme.
- Udhëheqja e një misioni, një bashkësi vlerash dhe prioritetesh në planifikimin e çdo aktiviteti.
- Krijimi i një rregulli kohor apo i një përmbledhjeje kohore.
- Skedimi dhe kryerja e aktiviteteve brenda hapësirës boshe kohore.
Tani do të përmendim me shembuj se si këto parime u vunë në praktikë në traditën profetike.
Njohja e vlerës së kohës
Vlerat e kohës theksohen në shumë ajete kuranore dhe në shumë thënie profetike. Në mënyrë të veçantë, Allahu betohet në kohën e fillimit të Sures Asr në Kuran duke nënkuptuar “kohën e ndërmjetme” apo “pasdrekën”. Është opinioni i përgjithshëm i interpretuesve të Kuranit ai sipas së cilit, këto frekuenca kanë për qëllim të tërheqin vëmendjen ndaj këtyre koncepteve dhe të theksojnë rëndësinë e tyre. Dy ajetet e mbetura të kësaj sureje të shkurtër e përforcojnë këtë pikëpamje:
- Pasha kohën (e ndërmjetme)!
- Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt.
- Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” (Asr, 1-3)
Një tjetër betim i tillë gjendet në fillim të Sures Duha, apo “Orët e Mëngjesit”:
1. Pasha paraditen. / 2. Pasha natën kur e shtrin errësirën. (Duha, 1-2)
Në librat e lutjeve që i atribuohen Profetit Muhamed, ne shohim se ekzistojnë lutje për çdo rast. Për shembull, ekzistojnë lutje të veçanta për nisjen e një aktiviteti, fillimin e ushqimit, përfundimin e ushqimit, nisjen për udhëtim, kthimin nga udhëtimi, për gjatë ditës, për të shikuarit në pasqyrë, gjatë sëmundjeve, lutje për shi, lutje kundër shiut të tepërt, kundër të ftohtit apo të nxehtit ekstrem, për hyrjen në banjë, për daljen nga banja si dhe lutje të tjera të panumërta. Prej këtyre lutjeve ne mësojmë se nuk ka pasur pothuajse fare kohë të shpenzuar kot në jetën e Profetit. Është fjala për kohën gjatë së cilës ai nuk ishte i zënë me namaz apo me ndonjë aktivitet tjetër të dobishëm. Ekziston një rast kur Profeti refuzoi të përshëndeste një person që qëndronte i ulur me nge. Ai e përshëndeti të njëjtin person gjatë rrugës së kthimit kur e pa atë duke u marrë me një punë. Thëniet e mëposhtme profetike e përmbledhin këtë qëndrim të tij: “Shumica e njerëzimit është në humbje sepse ato nuk e dinë vlerën e dy dhuratave të Allahut: Shëndetit dhe kohës së shpenzuar kot.” (Buhari, Rikak)
Udhëheqja e një misioni
Pasi mori mesazhi hyjnor, jeta e Profetit Muhamed u fokusua në të jetuarit dhe të bërit të njohur të mesazhit. Qëllimi i tij i vetëm ishte të përmbushte misionin e tij si rob dhe i Dërguar i Allahut. Kjo pikë përfshin dy aspekte: në planin personal ishte një lartësim shpirtëror drejt statusit të të qenit një njeri i përkryer si shërbëtor i Allahut, si dhe në planin shoqëror, duke e ndarë besimin dhe duke praktikuar sjelljet që i pëlqenin Allahut me të tjerët. Vlerat dhe përparësitë e tij ishin modeluar krejtësisht me anë të shkrimeve të shenjta si dhe me anë të formave të tyre të komunikimit që kishte ai me Allahun. Në hutben e tij të lamtumirës gjatë haxhit të tij të fundit, raportohet t’i ketë pyetur të pranishmit të cilët numëroheshin në mbi njëqind mijë veta: “A jeni dëshmitarë se unë e përmbusha misionin tim si i Dërguari i Allahut?” Natyrisht përgjigjja ishte një “po” kumbuese, e shoqëruar nga lotët.
Administrimi ditor i kohës
Informacione më të detajuara në lidhje me menaxhimin e kohës së Profetit, janë ato që kanë të bëjnë me regjimin e tij ditor. Dy lloj aktivitetesh e zinin kohën e tij: Aktivitetet spontane (të paprogramuara) dhe ato të rregullta (të programuara). Aktivitetet spontane përfshijnë pritjen e ndonjë delegati apo të ndonjë përfaqësuesi, përballimi me ndonjë nevojë urgjente apo ndihma ndaj ndonjë të huaji i cili spontanisht kërkonte ndihmë. Këto aktivitete kryheshin gjatë hapësirave të lira kohore të cilat nuk ishin pjesë e kohës së përcaktuar për aktivitetet e programuara. Për më tepër, nëse ndonjë delegacion me peshë vinte në Medine për takim, ajo do të pritej në momentin më të afërt të vlefshëm. Megjithatë, nëse një grup kishte vendosur të qëndronte në Medine për njëfarë kohë, atëherë takimi me këtë grup përfshihej në planin normal të aktiviteteve. Një shembull i këtij qëndrimi mund të vërehet në rastin e delegacionit nga fisi Thekif. Meqenëse delegacioni do të rrinte në Medine për njëfarë kohe, Profeti i vizitonte e bisedonte me ta pas çdo namazi të jacisë. Kur një mbrëmje ai e shtyu vizitën, grupi e pyeti atë: “O i Dërguar i Allahut, sot nuk erdhe në kohën që vjen vazhdimisht, ti ishe me vonesë, cila është arsyeja? ” [Usdu’l Gaba 1/168]
Lista e aktiviteteve të rregullta
Kohët e rregullta të namazeve formojnë kornizën e gjithë listës së aktiviteteve të rregullta. Dy aspekte të regjimit ditor të Profetit ishin: (1) Aktivitetet e njëjta ishin të vendosura në të njëjtën periudhë kohore të çdo dite dhe (2) çdo aktivitet kishte një kufi kohor të përcaktuar.
Namazet ditore të rregullta janë urdhëruar nga Allahu që të kryhen në kohë të veçanta (Kuran 4/103) dhe fillimi dhe mbarimi i afatit kohor të çdo namazi i është njoftuar Muhamedit nga Kryeengjëlli Xhebrail. Në hadithet autentike ne mësojmë se Kryeengjëlli Xhebrail një ditë i kërkoi Profetit Muhamed t’i bashkohej atij në faljen e çdo namazi në fillim të secilës periudhë kohore të përcaktuar për secilin vakt. Ditën tjetër ata i falën së bashku të gjitha namazet në fundin e kohës së përcaktuar. Profeti tha: “Vepra më e mirë tek Allahu është namazi që falet në kohën e vet.” [Buhari, Mevakit, Salat, Muslim, Iman].
Megjithëse koha e preferuar për faljen e çdo namazi është fillimi i hyrjes së vaktit, namazi mund të falet në çdo kohë brenda intervalit të përcaktuar. Nëse koha limit kalon qoftë edhe një minutë, namazi është i pavlefshëm dhe personi duhet të falë një namaz korrigjues {kaza} gjatë vaktit tjetër. Është e lehtë të vërehet se kujdesi i vazhdueshëm i treguar për kohën e këtyre namazeve e pajis gjithashtu personin me një nivel të lartë vetëdijeje kohore. Ky fakt, gjithashtu përgënjeshtron mendimin e gabuar sipas të cilit precizioni në kohë dhe përpikëria janë zakone moderne.
Raportime të ndryshme në lidhje me jetën e përditshme të Profetit na bëjnë të ditur se ai ishte shumë i kujdesshëm në zbatimin rigoroz të regjimit të tij ditor. Ne e kuptojmë këtë veçanërisht nga fakti se kur Profeti e ndryshonte regjimin, kjo shkaktonte preokupim në popull. Për shembull, një sahabe tregon: “I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), doli nga shtëpia në një orar kur zakonisht askush nuk e shihte jashtë” [Usdu’l Gaba 1/168]. Një hadith tjetër thotë: “I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, u ngjit në minber. Ai nuk ishte parë kurrë të hipte në minber përveç të premteve” [Ibn Maxhe, Fiten].
Aktivitetet e natës
Rrëfimet e sahabeve na tregojnë se Profeti e ndante natën në tri pjesë. Njëra pjesë i dedikohej adhurimit, njëra familjes dhe e fundit çështjeve personale. Shpesh ai është parë të harxhonte kohën e tij në dobi të bashkësisë duke u takuar me njerëzit dhe duke u përpjekur t’u jepte zgjidhje nevojave të tyre.
Profeti raportohet se e ndalonte aktivitetin e tij pas perëndimit të diellit [Mustedrek 3/461]. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ai pushonte gjatë gjithë mbrëmjes; ai nganjëherë bënte takime edhe pas akshamit apo jacisë. Si parim të përgjithshëm, ai nuk preferonte të flinte përpara namazit të jacisë apo të fliste pas tij (Buhari, Mevakit, 13/23). E shoqja, Aishja (r.a.), raporton se Profeti (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), flinte në pjesën e parë të natës dhe ngrihej për t’u falur në pjesën e fundit të saj (Ibn Maxhe, Ikame, 182). Në raste të veçanta, Profeti është parë të qëndrojë zgjuar deri në orët e vonat të natës duke ndenjur me njerëzit.
Namazet e natës (tehexhudi), orët e shpenzuara në adhurim, meditimi dhe namazet, të gjitha këto zinin një vend të madh në jetën e Profetit. Ai raportohet të ketë shpenzuar mesatarisht 2/3-3/4 e çdo nate në adhurim, përkujtim (dhikr), reflektim dhe lutje. Kjo i korrespondon një periudhe prej 4-7 orësh çdo natë, në varësi të stinës. Ai e shpjegon rëndësinë e namazeve të natës me fjalët e mëposhtme:
“Allahu zbret në qiellin e parë çdo natë dhe thotë: ‘A ka ndonjë që lutet që Unë t’ia pranoj lutjen’ dhe kjo vazhdon deri në agim.” (Usdu’l Gaba: 6/91, ibn Maxhe, Ikame 182). Ai gjithashtu pëlqente qëndrimin në këmbë natën ashtu siç ka bërë Profeti Davud: “Namazi më i mirë i natës për Allahun është namazi i Davudit. Ai flinte pjesën e parë të natës, pastaj zgjohej e kalonte një të tretën e natës në adhurim dhe flinte përsëri pak përpara agimit” (Buhari, Tehexhud 7; Muslim, Sijam, 189; Nesai, Kijamu’l-lejl, 14)
Aktivitetet ditore
Pas namazit të sabahut, Profeti qëndronte në xhami derisa lindte dielli duke bërë bashkëbisedim me sahabet. Subjekt i këtyre bisedimeve ishin si çështjet fetare ashtu edhe çështjet që kanë të bëjnë me zbavitjen, për shembull, mund të lexohej ndonjë poezi apo mund të tregoheshin ëndrrat e para mbrëmjen e shkuar. Kuptohet se këto orë ishin çaste të gëzueshme me sahabet që qeshnin dhe Profetin që buzëqeshte (Nesai, Sehv, 98, Muslim, Ru’ja 23). Profeti e nënvizon rëndësinë e këtyre orëve me fjalët e mëposhtme: “Qëndrimi bashkë me një grup sahabesh dhe përkujtimi i Allahut së bashku me ta pas namazit të sabahut derisa lind dielli, është më i vlefshëm për mua sesa lufta në rrugën e Allahut. E njëjta gjë vlen edhe për orët që pas namazit të ikindisë e deri në aksham” (Usd’u’l Gaba: 2/466).
Pas bisedave me sahabet Profeti do ta kalonte kohën me familjen e tij.
Gjatë ditëve kur nuk agjëronte, në këto momente ai hante mëngjes. Ai njihet si njeri që hante dy vakte çdo ditë; një mëngjes të vonë dhe një darkë. Afër drekës ai merrte një sy gjumë dhe i nxiste edhe të tjerët ta bënin një gjë të tillë, sepse kjo do t’i ndihmonte të qëndronin zgjuar natën gjatë namazeve. Pas namazit të drekës, vinte koha e çështjeve që kishin të bënin me bashkësinë. Namazi i ikindisë pasohej përsëri nga koha e kaluar pranë familjes.
Bioritmi njerëzor dhe ndryshimet e aktivitetit
Kërkimet në lidhje me bioritmin njerëzor tregojnë se bioritmet periodike të shumëfishta veprojnë brenda trupit të njeriut me intervale të ndryshme ciklike, duke variuar nga ato 90 minutëshe (ultradian) në ato ditore (circadian) e deri në ato më të gjata sesa një ditëshe [Smoklensky 2001]. Meqenëse trupi i njeriut funksionon mbi bazën e elementëve kimikë, hormoneve dhe sinjaleve elektrikë, atij i duhet të ripërtërijë këto burime herë pas here [Chafetz 1992]. Një mekanizëm për këtë qëllim është bërja e një pushimi të shkurtër siç është dremitja dhe një tjetër është ndryshimi i aktivitetit kur ndihesh i lodhur. Profeti Muhamed e theksonte këtë pikë duke thënë: “Na çlodh pak o Bilal!” Bilali ishte muezini i Profetit që këndonte ezanin. Profeti po thoshte se ata ishin mjaft të lodhur dhe më pak rezultativë në aktivitetin të cilin po kryenin dhe se ishte koha më e përshtatshme për t’u çlodhur pak duke falur namaz. “Na çlodh!” nënkupton “Të lutem thirr ezanin!” në mënyrë që njerëzit të mblidheshin në xhami për t’u falur sëbashku. Ndërveprimi e aktiviteteve të ndryshme gjatë regjimit të ditor të Profetit, është një tregues tjetër që ai ishte i vetëdijshëm për efektin e bioritmit në produktivitetin e njeriut.
Konkluzion
Portreti i menduar i Profetit Muhamed tek njerëzit në botën jomyslimane, përshkruan një person i cili e kaloi shumicën e kohës në luftëra apo duke u kënaqur me prenë e luftës. Nuk mund të ekzistojë asnjë variant tjetër përveç të vërtetës. Në këtë artikull, ne ekzaminuam jetën e Profetit Muhamed nga këndvështrimi i menaxhimit të kohës. Portreti që del nga kjo analizë është shumë i ndryshëm nga perceptimi popullor në Perëndim. Ne mësojmë që Profeti Muhamed e kaloi shumicën e kohës i angazhuar në namaze, adhurim, përkujtim dhe lutje.
Dy aktivitetet e tjera më të rëndësishme sipas radhës ishin çështjet e bashkësisë duke përfshirë përhapjen e mesazhit të Allahut dhe çështjet e familjes. Ne mësojmë gjithashtu se Profeti ishte njeri shumë i përpiktë në përdorimin korrekt të kohës. Ai nuk e çonte dëm as çastin më të shkurtër dhe i qortonte ata që vepronin ndryshe. Ne mësojmë që ai mbajti një regjim strikt ditor deri në atë shkallë sa sahabet shqetësoheshin kur kish ndonjë shmangie prej tij. Ai caktoi ditë dhe orë të veçanta për aktivitetet e caktuara.
Ai i nxiste njerëzit për të bërë pushim të shkurtër dhe për të marrë një sy gjumë në drekë. Ai praktikoi parime të tilla si të ngrënit pa e tepruar, të fjeturit me masë dhe të folurit me masë, të gjitha këto me qëllimin e vetëm që të ndihmojë ne menaxhimin më të mirë të kohës. Ai përfitonte nga çdo moment i përshtatshëm për të përkujtuar Allahun dhe për t’u lutur. Çdo aktivitet i jetës së tij udhëhiqej nga qëllimi kryesor që ishte të jetuarit dhe ndarja e besimit në Allahun me të tjerët për të patur një jetë të lumtur si në këtë botë edhe në tjetrën.
Është interesant fakti se shumë prej këtyre praktikave njihen dhe rekomandohen sot nga ekspertët modernë të administrimit të kohës. Shkurt, ne jemi dëshmitarë të një jete e cila u jetua plotësisht dhe në mënyrë produktive, por gjatë së cilës mundësitë për të qeshur nuk u hodhën poshtë./http://islami.al
Nga : ALPHONSE DOUGAN