Qytetarët e Maqedonisë së Veriut druajnë nga rritja e normës së interesit të kredive që kanë marrë në bankat komerciale, pasi Banka Popullore mori vendim që të rrisë normën e interesit për 0.25 , përkatësisht nga 1,25 në 1,5 për qind për të ngadalësuar normën e inflacionit.
Anita Angellovska Bezhovska, guvernatore e Bankës Popullore në Maqedoninë e Veriut, thekson se pritjet janë që të rriten normat e interesit si për kreditë, ashtu dhe për kursimet në të gjitha bankat e vendit.
“Nëse rritet shkalla e kamatave të Bankës Qendrore, duhet të pritet që shkallë-shkallë të rritet edhe shkalla e kamatave te bankat: edhe të kursimeve, edhe të kredive. Por, ajo çka angazhohemi, rritja të mos jetë tepër e shpejtë, megjithatë të jetë e matur dhe shkallë-shkallë, që të mos ketë efekte më të theksuara negative”, thotë për Radion Evropa e Lirë Angellovska.
Ndërkohë, bankat komerciale kanë bërë të ditur se janë duke përllogaritur se sa do t’i rrisin kamatat e kredive pas vendimit të Bankës Popullore për rritjen e normës së interesit, megjithëse asnjëra nga to nuk ka bërë të ditur se sa do të jetë ajo dhe me çfarë dinamike do të realizohet.
Qytetarët: Rritja e kamatave rrezikon pagesën me kohë të kësteve
Qytetarët thonë se do të jetë e papërballueshme rritja e normave të interesit të kredive ndërkohë që mezi ia dalin me rritjen e çmimeve.
“Normën e interesit me vlerën e kredisë që morëm për të blerë banesën bashkë me bashkëshortin, e kemi përllogaritur me saktësi për të qenë në gjendje të shlyejmë këstet me kohë. Shpresoj mos të ketë rritje të normave të interesit, sepse vërtet atëherë do ta kemi shumë vështirë të paguajmë me rregull kredinë”, thotë Antonia Ivanovska.
Nga ana tjetër, Valmira e cila punon si administratore, kujton vendimin e Qeverisë për të ndihmuar gjatë pandemisë që pagesa e kredive të prolongohet për gjashtë muaj pa u qartësuar klientëve se edhe për këtë periudhe do të njehsohej norma shtesë e interesit. Ajo druan se edhe në këtë rast mbase do të krijohen lehtësime për kategori të ndryshme, por në fakt pa treguar se ato lehtësime kanë kosto për të paguar.
“Inflacioni që ka përfshirë të gjitha segmentet e jetesës nëse kësaj i shtohet dhe rritja e kamatave të kredive, kjo do ta bëjë të papërballueshme pagesën e kredive”, thotë Valmira.
Në kohë krize bankat shënojnë përfitime
Gjatë tremujorit të parë të këtij viti 13 bankat e vendit kanë realizuar përfitime prej 42.6 milionë eurosh, paraqet një rritje prej 10 milionëve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, 2021, kur këto banka kishin realizuar profit prej 32.2 milionë eurove.
Marrë parasysh këto të dhëna, Lube Trpeski, ish-guvernatori i Bankës Popullore në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se pret që në këtë situatë bankat në vend, të tregohen më elastike për sa i përket rritjes së normave të interesit për faktin se ato nuk janë të varura nga Bankat Qendrore të Vendeve Perëndimore.
Ai thekson se në bazë të likuiditetit të lartë, me të cilin disponojnë bankat në Maqedoninë e Veriut, ato për një kohë të caktuar mund ta përballojnë mosrritjen e normave të interesit në mënyrë drastike.
“Ka hapësirë për lehtësimin e barrës që kanë shfrytëzuesit e kredive, si ata nga sektori i biznesit, ashtu dhe qytetarët. Sipas meje, bankat kanë përgjegjësi shoqërore në këtë situatë pas përfitimeve të shumta që kanë realizuar dhe shkallën e lartë të likuiditetit”, vlerëson Trpeski.
Ai shton se rritja e inflacionit pritet t’i detyrojë qytetarët të futen edhe më shumë në borxhe te bankat, pasi nuk do të mund t’i shlyejnë detyrimet lidhur me koston e jetesës.
“Gjithmonë në kushte krize rritet nevoja për marrjen e kredive. Në këtë rast mendoj se është për t’u përshëndetur qasja konservatore e bankave, e cila u jep hua vetëm atyre që kanë mundësi të shlyejnë borxhet me atë që kreditë e këqija janë në nivelin e përqindjes si në vendet e zhvilluara të Evropës”, thotë Trpeski.
Megjithatë ai nënvizon se zhvillimet në Ukrainë do të jenë ato që do të diktojnë trajektoren e rritjes së normave të interesit të kredive në Maqedoninë e Veriut.
“Në planin afatgjatë pres të këtë lëvizje për sa i përket normave të interesit të kredive. Por, gjithçka do të varet nga ajo se çka do të ndodhë në relacionin Rusi-Ukrainë”, shton ai.
Në bazë të të dhënave të Bankës Popullore, kërkesa më e madhe për kredi në katërmujorin e parë të vitit, ka qenë për kredi të amvisërisë dhe për blerjen e banesave, të cilat kanë shënuar një rritje prej 1.5 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më herët.