Ajetet në këtë çështje “…ditën e kemi caktuar për jetesë (ekonomizim).” 78-Nebe: 11,
“Ne ju vendosëm në tokë dhe ju mundësuam jetesën (mjetet për të jetuar), e pak prej jush po falënderoni.” 7-Enam: 10,
“Nuk është gjynah të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë.” 2-Bekare: 198,
“…disa do të udhëtojnë nëpër botë, duke kërkuar mirësitë e Tij (për jetesë).” 73-Muzemil: 20,
“…shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut.” 62-Xhuma: 10.
Hadithet në këtë çështje
Ka gjynahe të tilla, që mund t’i fshijë vetëm brenga për sigurimin e jetës për familjen. Tregtari i sinqertë, në Ditën e Kijametit do të ngjallet me siddikët dhe shehidët. [Tirmidhiu dhe Hakimi nga Ebu Seid. Ibn Maxhe dhe Ibn Hakimi shënojnë hadith të ngjashëm edhe nga Omeri r.a.]
Kush fiton hallall, duke u ruajtur nga lypsaria për të siguruar kushtet e jetesës së familjes, për të ndihmuar komshijtë e varfër, në takim me Allahun, fytyra e tij do t’i shndërrisë si hënë e plotë. [Ebu Shejh në veprën ‘Kitabus-sevab’, Ebu Nuajm në veprën ‘Hilje’, Bejhekiu në ‘Shuabu’l-iman’, nga Ebu Hurejre r.a..]
As’habët panë një djalë të ri e të fuqishëm, që herët në mëngjes po nisej për punë, dhe thanë: – I mjeri, sikur rininë e fuqinë t’i përdorte në rrugë të Allahut!”, e në këtë, Resulallahu s.a.v.s., ju tha: Mos folni kështu; nëse punon për vete, që të ruhet nga lypësaria e të jetë i pavarur prej njerëzve, është në rrugë të Allahut. Nëse punon për prindërit pleq e të dobët, ose për fëmijët ende të pafuqi, që edhe ata t’i bëjë të pavarur dhe t’ju plotësojë nevojat, prapë është në rrugën e Allahut.
E nëse punon për t’u lavdëruar e për të grumbulluar pasuri, atëherë është në rrugë të shejtanit. [Taberani, nga Ka’b b. Uxhra.]
Resulallahu s.a.v.s., thotë:
Allahu Teala e do atë që merret me ndonjë punë për t’u bërë i pavarur nga njerëzit… [Hadithi nuk është gjetur në këtë formë. Kurse në veprën ‘Musnedu’l Firdevs’, Ebu Mensur el-Delejmi përcjellë nga Alia r.a. hadithin, në këtë kuptim: Allahut i pëlqen të shohë robin e vet të lodhet duke kërkuar hallallin.]
E në një tjetër hadith:
Allahu e do muminin e angazhuar në ndonjë zanat. [Taberani dhe Ibn Adijj, nga Ibn Omeri r.a..]
Gjithashtu, Resulallahu s.a.v.s., thotë:
Ushqimin më hallall robi e ka kur vet e fiton, e secila shitblerje e lejuar, është e mirë. [Ahmedi nga Rafi b. Hudexh. Bezar dhe Hakimi, që pohon se është sahih, nga Seid b. Umejr.]
E në hadith të ngjashëm:
Më e hallallit që robi mund të hajë është ajo që zanatliu e fiton me duart e veta, nëse është i ndershëm. [Shënon Ahmedi nga Ebu Hurejre r.a., me sened të mirë.]
Resulallahu s.a.v.s., na fton: Merruni me tregti, në të janë nëntë nga dhjetë pjesët e riskut. [Ibrahim Harbi në ‘Garibu’l-Hadith’ nga Nuajm b. Abdullahman]
Tregohet se Isa a.s., e takoi një njeri, dhe e pyeti:
– Çfarë bën ti?, ai iu përgjigj:
– Bëj ibadet.
Isa a.s., e pyeti prapë:
– Kush t’i siguron kushtet e jetesës?, e ai u përgjigj:
– Vëllai.
Isa a.s. i tha:
– Vëllai yt është besimtar më i mirë se ti.
Resulallahu s.a.v.s., thotë:
Unë ju kam urdhëruar ato për të cilat e di se ju afrojnë xhenetit e ju largojnë nga xhehenemi, dhe ju kam ndaluar ato për të cilat e di se ju largojnë nga xheneti e ju afrojnë xhehenemit. Ruhu’l-Emin (Xhebraili a.s.) më fryu në zemër (njohurinë) që askush nuk do të vdesë deri sa të mos e harxhojë riskun e vet, sado që ajo ndonjëherë vjen me vonesë. Prandaj frikësohuni Allahut, dhe kërkoni riskun hallall… [Ibn Ebu Dun’ja në ‘El-Kana’a’, dhe Hakimi nga Ibn Mesud r.a. Gjithashtu Bejhakiu në ‘Shu’abu’l-Iman’.]
Pra, na ka urdhëruar që riskun ta kërkojmë në hallall, e nuk na ka thënë: “Largohuni nga tregtia!”
E në fund të këtij hadithi, Resulallahu s.a.v.s.,
thotë:
…arritja e ngadaltë e riskut nuk duhet t’ju shtyej në haram, e t’a kërkoni atë me gjynahe ndaj Allahut, sepse ajo që është tek Allahu nuk mund të merret me kryengritje ndaj Tij.
Hasan Basriu, thotë:
Pazaret janë sofrat e Allahut Teala, e kush t’ju afrohet, merr diçka prej aty.
Resulallahu s.a.s.v., pohon:
Më mirë e ka robi të merr konopin e të ngarkojë dru në shpinë, se sa të shkojë e te lypë te dikush të cilit Allahu Teala i ka dhënë nga bereqetet e Tij, pa marrë parasysh a i jep ky diçka a jo... [Buhariu dhe Muslimi, nga Ebu Hurejre r.a..]
dhe thotë:
Atij që ia hapë vetes një derë të lypësarisë, Allahu Teala ia hapë dhjetë dyer të fukarallëkut. [Shënon Tirmidhiu nga Ebu Kebsha Enmari, me fjalë të përafërta, dhe thuhet që është hasen-sahih.]
Fjalët e të mëdhenjve të islamit në këtë çështje
Llokman Hakimi, e këshilloi të birin:
“Evlad, mbrohu nga fukarallëku me fitim hallall. Sepse njeriun fukara e godasin tri fatkeqësi:
– i dobësohet besimi (sepse fukarallëku e tërheq njeriun në të këqija);
– i ligështohet mendja (sepse mendimi për kushtet të jetesës e huton njeriun); dhe
– e humb dinjitetin; (më e rënda – njerëzit e tallin).
Omeri r.a., ka thënë:
“Asnjëri prej jush mos ta braktisë kërkimin e riskut e të thotë: ‘O Allah, më sjell riskun tim.’ Ju e dini mirë se ari e argjendi nuk bien nga qielli.”
Zejd b. Mesleme po mbillte fidane në tokën e vet, e Omeri r.a., i tha:
“Punë të mirë po bën. Nëse bëhesh i pavarur nga njerëzit, edhe ruan besimin edhe bëhësh fisnik.
Miku ynë Uhajha b. Xhulah ka thënë:
– Unë vazhdimisht ujis fidanet në Zevra (lagje në Medine), sepse ndaj miqëve, fisnik mund të bëhet vetëm ai që është i pasur.”
Ibn Mesud r.a., ka thënë:
“Vërtetë nuk më pëlqen kur shoh njeri të pa punë, që nuk punon as për dynjallëkun e as për ahiretin e vet!”
E kanë pyetur Ibrahim Nehain:
– Sipas jush, a është më i vlefshëm tregtari i ndershëm apo ai që është dhënë pas ibadetit?, e Ibrahimi u përgjigj:
– Sipas meje, më i vlefshëm është tregtari (besimtar) i ndershëm. Sepse tregtari është
gjithmonë në gjendje lufte me shejtanin – deri sa matë, merr dhe shet.
Por Hasan Basriu e ka kundërshtuar këtë mendim.
Omeri r.a. një herë ka thënë:
“Vendi ku më së shumti kisha dashtë që të më arrijë vdekja do të ishte vendi ku bëj tregti, ku blej e shes për familjen time.”
Hesejm b. Xhemili ka thënë:
“Nganjëherë më arrin ndonjë fjalë e shëmtuar që dikush e thotë për mua, e kjo më rëndon, por kur kujtohem se nuk varem nga ai person, nuk u jap rëndësi fjalëve të tij.”
Ejub b. Temime Sahtijani ka thënë:
“Për mua, më i dashur është fitimi i pakët e hallall, sesa fitimi i shumtë me lypësari.”
Njëherë, Ibrahim Ed’hemi ishte duke udhëtuar me anije dhe papritur, filloi furtunë. Ata që ishin në anije thanë:
– Çfarë tmerri i madh është ky!, e Ibrahimi tha:
– Kjo nuk është asgjë, tmerr i vërtetë është kur varesh nga njerëzit.
Ejub b. Temime Sahtijani tregon se Ebu Kulabe i ka thënë:
“Merru me tregti, shko në çarshi dhe kërko punë, shpëtimi është në pavarësinë prej njerëzve.”
E kanë pyetur Ahmed b. Hanbelin:
– Çka mendon për atë që rri në shtëpinë e vet a në xhami, e thotë: ‘Nuk do të punoj, sepse risku im do të më vijë vet’”, e ky u përgjigj:
– Ai është injorant dhe i mjerë. A nuk i ka dëgjuar ai fjalët e Resulallahut s.a.v.s.:
“Vërtetë Allahu Teala më ka dhënë riskun tim në hijen e shtizës time! [Shënon Ahmedi nga Ibn Omeri r.a..]
Njëherë, kur Resulallahut s.a.v.s., ia përmendën zogjtë, ai tha:
“Shpendët fluturojnë në mëngjes të uritur e kthehen në mbrëmje të ngopur.” [Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe nga Omeri r.a.]
As’habët e Resulallahut s.a.v.s., janë marrë me tregti, në tokë e në det, e i kanë punuar edhe fushat e hurmeve. Pra, ata duhet t’i marrim shembull.
Ebu Kilabe i tha një personi:
”Më e dashur më është kur të shoh duke siguruar kushtet e jetesës, se sa të të shoh në një qoshe të xhamisë.”
Tregohet se Evzai e takoi një ditë Ibrahim b. Ed’hemin me një ngarkesë dru në shpinë, e i tha: O Ebu Is’hak, deri kur do të bartësh dru? Vëllezërit e tu mund të kujdesen për ty, e Ibrahimi u përgjigj:
– O Ebi Amr! Mos fol kështu, sepse kam dëgjuar që nëse personi duron poshtërimin në kërkim të fitimit hallall, do të hyjë në xhenet.
Ebu Sulejman Darani ka thënë:
“Sipas nesh, ibadet nuk do të thotë që vazhdimisht të falet namazi e dikush tjetër t’i siguron kushtet e jetesës. Siguroja një herë ushqimin vetes, e më pas bëj ibadet.”
Muadh b. Xhenbeli r.a., ka thënë:
“Në Ditën e Gjykimit, një tellall do të thërrasë:
‘Ku janë ata në tokë që Allahu Teala nuk i do?’, e do të ngriten ata që kanë kërkuar lëmoshë nëpër dyert e xhamive.”
Pra, sheriati nuk pranon lypësarinë dhe mbështetjen në furnizim nga tjetri. Kush nuk ka
pronë të trashëguar, nga lypësaria mund ta shpëtojnë fitimi dhe tregtia hallall.
Nëse ti pyet: “E si pra Resulallahu s.a.v.s., thotë:
Mua nuk më është shpallur: ‘Mbledh pasuri’, as: ‘Bëhu tregtar’, por më është shpallur: ‘Me
falënderim bëji tesbih Rabit tënd’,
dhe:
‘Bëhu njëri nga ata që bëjnë sexhde’
si edhe:
‘Bëji ibadet Rabbit tënd, deri sa të vijë vdekja’ [Ibn Merduvejh nga Ibn Mesud r.a.]
dhe, kur kërkuan këshillë nga Selman Farisi, ai tha:
“Le t’ju gjejë vdekja deri sa jeni në haxh, ose në luftë, ose në xhami dhuke bërë ibadet, por kurrsesi të mos ju gjejë vdekja duke bërë tregti apo duke mashtruar’?”,
kësaj dileme tëndes i përgjigjem kështu:
Për të kuptuar këto transmetime që në shikim të parë kundërshtojnë njera-tjetrën, duhet shpjegim i hollësishëm.
Nuk po themi që tregtia në përgjithësi, është më e vlefshme se veprimtaritë tjera. Megjithatë, tregtia është rrugë që të fitohet aq sa është e domosdoshme, ose edhe të arrihet bollëku, ose edhe të fitohet shumë më tepër.
Nëse dikush e ka për qëllim që me tregti të arrijë shumë më tepër se sa që i nevojitet, që pasurinë të mund ta grumbullojë dhe ta ruajë duke mos dashur ta harxhojë në bamirësi
ose ta ndajë si sadaka, atëherë një tregti e tillë nuk është e pëlqyer, sepse paraqet kthim kah dynjallëku, e dashuria ndaj dynjasë është burim i të gjitha gjynaheve.
E nëse në tregti bën padrejtësi dhe mashtron, atëherë bëhet zullumqar edhe gjynahqar.
Pra, ky është qëllimi i Selmanit kur thotë:
“Kurrsesi të mos ju gjejë vdekja duke bërë tregti apo duke mashtruar.”
Me ‘tregti’, këtu ai ka menduar në tregtinë e atij që ka për qëllim të arrijë shumë më tepër pasuri se sa që i duhet – që pasurinë të mund ta grumbullojë dhe ta ruajë duke mos dashur ta harxhojë në bamirësi ose ta ndajë si sadaka.
Por, nëse me tregti ai synon aq sa t’i mjaftojnë atij dhe familjes së tij, e këtë do të mund t’a arrinte edhe duke zgjatur dorën, atëherë më mirë të merret me tregti se sa të bëhet lypës. Nëse nuk i duhet të bëhet lypës pasi që njerëzit vet i japin dhurata, prapë
e ka më mirë të punojë; njerëzit po i dhurojnë për shkak që situata e tij e imponon lypësarinë dhe pse ai ua bën me dije njerëzve që është fukará. Bile, në situata të tilla, angazhimi me tregti është më i mirë se sa angazhimi me ibadete trupore.
Braktisja e tregtisë është më e mirë për katër kategori njerëzish:
1.Për abidët të angazhuar me ibadete trupore;
2.Për ata që merren me punë të lidhura me anën shpirtërore, që janë në udhëtim të brendshëm për të njohur të fshehtat dhe gjendjet e zemrës;
3.Për dijetarët që merren me dituritë zahir për t’ju shërbyer njerëzve në besimin e tyre, siç janë myftiu, mufessiri, muhaddithi e të ngjashëm; dhe
4.Për ata që merren me punët e popullit, siç janë sulltani, kadia, e të ngjashëm.
Nëse këto katër kategori njerëzish mund të mbulojnë nevojat e tyre të domosdoshme për jetë nga paratë e ndara për punët e rëndësishme publike, ose nga vakëfi, për ta është më mirë të merren me punët që i kanë marrë përsipër se sa me tregti.
Për këtë arsye i është shpallur Resulallahut s.a.v.s.:
Me falënderim bëji tesbih Rabbit tënd!,
dhe:
Bëhu njëri nga ata që bëjnë sexhde!, e nuk i është shpallur: Bëhu tregtar.
Sepse Resulallahu s.a.v.s., në vete i ka bashkuar të katër veçoritë që i përmendëm, bashkë me plot tjera që nuk mund të përshkruhen.
Gjithashtu, kur Ebu Bekr r.a., u zgjodh halife, as’habët i thanë t’a braktisë tregtinë, sepse tregtia do t’i dëmtonte angazhimin në punët e shoqërisë. Ai merrte pagesë nga paratë e dedikuara për atë qëllim, dhe besonte që puna e halifes është më e rëndësishme. Në vasijjet (porosinë e fundit), ka urdhëruar që ato mjete të kthehen në bejtulmal
(thesari i shtetit), ani pse në fillim e shihte si të drejtë që t’i marrë.
Për këto katër kategori njerëzish ka dy situata:
Situata e parë është rasti kur nuk kërkojnë, e kushtet e nevojshme të jetesës i sigurojnë nga zeqati dhe sadaka që njerëzit vet e japin.
Në këtë rast, për ta është më mirë të braktisin tregtinë e të merren me atë që e kanë obligim, sepse i ndihmonjnë njerëzit në bërjen e veprave të mira, dhe bëjnë atë që për ta është më e vlefshme.
Situata e dytë është rasti kur ata, për të vazhduar detyrat e cekura më lartë, detyrohen në
lypësari për të siguruar kushtet e nevojshme të jetesës.
Këtë duhet shqyrtuar mirë. Shpjegimet që i përmendëm më lartë kundër të kërkuarit lëmoshë janë udhërrëfyes për këto katër kategori njerëzish se a është më e përshtatshme për ta të braktisin lypësarinë dhe detyrën, e të kërkojnë rrugët pët të siguruar kushtet e nevojshme të jetesës.
Është shumë e vështirë të merret qëndrim i përgjithshëm për këtë çështje, pa i marrë parasysh edhe situatat e caktuara dhe rastet e veçanta të tyre.
Personit i mbetet që vet të analizojë dhe të vlerësojë për vete, duke e krahasuar përuljen e
mundshme, rrënimin e dinjitetit dhe nevojën që dikujt t’i bëhet i mërzitshëm – në çka do të hasë kur kërkon mjete nga njerëzit – me dobitë eventuale për vete dhe të tjerët që mund t’i sjellë angazhimi i tij me dituri dhe me veprimtaritë e cekura.
Mund të ndodhë që në angazhimin e dikujt me këto punë të ketë dobi të madhe edhe për të edhe për të tjerët, kështu që lehtë dhe me pak ekspozim lypjes arrin te mjetet e nevojshme, por mund të ndodhë edhe e kundërta.
Mundet gjithashtu të ndodhë që e dëshiruara dhe e padëshiruara domosdo të jenë të kundërta mes vete, e atëherë personi duhet kërkuar zgjidhje në zemrën e vet, edhe nëse i ka përgjigjet nga myftiu, sepse fetvatë nuk përfshijnë veçoritë e rëndësishme
të situatave të caktuara.
Në gjeneratat e mëhershme ka edhe të tillë që kanë pasur nga treqind e gjashtëdhjetë shokë, ashtu që çdo natë të vitit e kalonin te ndonjëri prej tyre. Të tjerët i kanë pasur nga tridhjetë, e çdo muaj e kalonin te ndonjëri prej tyre.
Pra, këta ishin të angazhuar vetëm me ibadet dhe e dinin se shokëve të tyre nuk u vjen vështirë të kujdesen për ta. Ata në këtë mënyrë kanë siguruar kushtet e jetës, dhe me pranimin e gostitjes së shokëve kanë vlerësuar që edhe shokët e tyre marrin
pjesë në sevapin e ibadetit të tyre.
Prandaj duhet pasur shumë kujdes në këto çështje. Shpërblimi për atë që pranon është i
barabartë me shpërblimin e atij që jep, përderisa ai që pranon me këtë e ndihmon fenë, e ai që jep – jep nga zemra.
Ata që i kuptojnë këto shpjegime tona, pasi të mendojnë mirë sipas gjendjes së vet se cila kategori është më e mirë për ta, atë edhe e preferojnë.
Ishin këto disa fjalë lidhur me fitimin.
E marrëveshja e tregtisë duhet të përmbajë katër elemente:
korrektësinë, drejtësinë, bamirësinë dhe kujdesin për fenë.
Për secilën do ta lidhim nga një kapitull. Në kapitullin e dytë do të fillojmë me
përshkrimin e kushteve për korrektësinë.
Rregullat e sjelljes gjatë fitimit dhe sigurimit të jetesës sipas Imam Gazaliut
Burimi:
Rregullat e sjelljes gjatë fitimit dhe sigurimit të jetesës, Imam Gazaliu