Anketa e Fuqisë Punëtore në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e katërt (TM4) 2020

Sipas rezultateve, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 41.3%.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e katërt (TM4) 2020 është 30.2%.

Punësimi me i lartë është te meshkujt 44.8%, ndërsa punësimi te femrat është 15.8%.

Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 51.5% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, tregtisë dhe prodhimit me 43.8%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 15.3%; prodhimi me 13.0%; ndërtimtaria me 11.1%; dhe arsimi me 9.9%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 44.6% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 55.4% kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM4 2020, shkalla e papunësisë është 27.0%.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 33.5%, krahasuar me meshkujt, që është 24.3%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 49.9%.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM4 2020, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58.7%, me fokus të veçantë te femrat me 76.2 %, krahasuar me meshkujt, 40.9%.

Për realizimin e AFP-së, TM4 2020, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it.

Artikulli paraprakSi ta përcaktoni buxhetin e marketingut
Artikulli tjetërZgjoji aftësitë