Zgjoji aftësitë

Në vitin 1984, një grup gjeologësh, shkuan në Afrikë në kërkim të diamanteve dhe të gurëve të tjerë të rrallë e të çmuar. Mes atyre, gjendej edhe një gjeolog japonez që quhej Joki. Ky ishte një i ri rreth të tridhjetave, plot entuziazëm dhe gja llëri, dhe njihej për këmbënguljen dhe për dëshirën e tij për aventurë.

Joki zgjohej herët, që në orën pesë të mëngjesit, për të filluar udhëtimin e tij të përditshëm në kërkim të diamanteve dhe të gurëve të rrallë e të çmuar, pastaj kthehej në hotel në orën dhjetë të darkës. Ditët kaluan, dhe Joki nuk arriti të gjente asgjë me rëndësi. Pasi kaluan dy javë që kur kishte shkuar atje, ai vendosi t’i ndërpriste kërkimet dhe të kthehej në Japoni, pasi i kishte humbur të gjitha shpresat se do të mund të gjente ndonjë gjë. Kjo ishte hera e parë në jetë, për Jokin, që ai po hiqte dorë nga qëllimi i tij.

Ditën e fundit që po qëndronte atje, Joki e mbaroi punën në orën pesë të pasditës. Ai kishte vendosur të kthehej në hotel për të konfirmuar përfundimin e qëndrimit të tij aty, e të kthehej në vendin e vet. Rrugës kur po kthehej në hotel, ai takoi një fëmijë gjashtë vjeçar i cili mbante në dorë një gurë të madh dhe me formë të çuditshme. Ky fëmijë i kërkoi Jokit ta merrte këtë gur në këmbim të ndonjë ëmbëlsire. Joki ia dha ëmbëlsirën fëmijës, dhe e mori atë gurë të madh të shndritshëm, dhe shkoi menjëherë në hotel që ta vëzhgonte gurin me pajisjen e tij të veçantë, të cilin e kishte sjellë me vete për këtë qëllim…

Pasi e vëzhgoi gurin me pajisjen e tij, Joki nuk po u besonte syve, prandaj nisi sërish ta verifikonte… Ai e përsëriti vëzhgimin, dhe këtë e bëri disa herë me radhë. Atë natë Joki nuk vuri gjumë në sy. Ky gur që po vëzhgonte ishte diamanti më i madh që i kishin parë sytë në gjithë jetën e tij, vlera e të cilit i tejkalonte dhjetëra milionë dollarë!!

Më vonë Joki do të shkruante në kërkimin e tij, se ai fëmijë zotëronte një pasuri të madhe, por nuk e dinte vlerën e saj, prandaj e shiti atë gur me një çmim të lirë. Po ta dinte vlerën e tij të vërtetë, nuk do ta kishte shitur me atë çmim të ulët… e po ta dinte, ai do të ishte shkak që ta shpëtonte veten edhe familjen e tij, madje edhe gjithë lagjen e tij, nga uria dhe nga varfëria.

Unë personalisht them: Shumë njerëz nuk e njohin të vërtetën e aftësive të tyre të pakufishme të cilat ua ka dhuruar Zoti, prandaj e humbasin kohën e tyre, madje edhe jetën dhe vetveten, në këmbim të një çmimi të lirë… pikërisht si ky fëmija, i cili nuk e dinte të vërtetën e asaj çfarë mbante në duar.

Kjo e vërtetë më kujton një histori tjetër e cila ka ndodhur para shumë kohësh, atëherë kur një grup njerëzish diku në Azi, u mblodhën dhe vendosën të gdhendnin një statujë të artë, më të rëndë se pesë ton, vepër e cila të mbetej në histori.

Dhe vërtetë, ata ia dolën ta bënin një vepër të tillë.

Menjëherë pasi mbaruan nga puna, shtetin e tyre e sulmoi një ushtri e cila njihej për egërsinë e saj të madhe. Kur kjo ushtri e sulmonte çfarëdo fshati a vendi, ata digjnin e shkatërronin çdo gjë, dhe asgjë nuk e linin të gjallë. Banorët u frikësuan për statujën, prandaj vendosën ta mbulonin me baltë të trashë, në mënyrë që ushtria armike të mos e zbulonte, dhe vërtetë e mbuluan plotësisht me një shtresë balte statujën e artë. Nuk vonoi shumë dhe ushtria pushtuese mbërriti edhe në fshatin e tyre, duke shkatërruar çdo gjë që gjenin në të, dhe i vranë gjithë banorët e fshatit. Ushtarët agresorë e vunë re edhe atë statujë të madhe që gjendej në fshat, por për ta ajo ishte thjesht një statujë e madhe balte pa asnjë rëndësi, prandaj nuk e prekën.

Ditët kaluan dhe statuja qëndronte në vendin e saj, pa e lëvizur askush. Por, pas rreth njëqind e pesëdhjetë vjetësh, autoritet shtetërore të atij vendi vendosën ta zhvendosnin statujën nga vendi i saj ku gjendej, për në kryeqytet, duke e konsideruar si trashëgimi kulturore të shtetit, por pa e ditur se çfarë fshihej aty brenda.

Ata sollën mjetet e fuqishme që kishin në dispozicion për ta ngritur statujën, për ta vënë në një mjet të madh transporti, e pastaj për ta çuar në destinacion, dhe kjo ishte një punë shumë e vështirë. Në këtë kohë, moti qëlloi të ishte shumë i ftohtë, dhe me shi të rrëmbyeshëm. Kur po përpiqeshin për ta lëvizur statujën, në sipërfaqen e saj u bë një e çarë. Drejtori i punimeve dha urdhër që statuja të ulej në tokë dhe të lihej aty deri ditën tjetër, derisa moti të qetësohej e shiu të pushonte… dhe ashtu vepruan. Punëtorët e ulën statujën në tokë.

Drejtori i punimeve ishte një njeri i zgjuar dhe shumë kureshtar. Ai solli një elektrik dore dhe i përqendroi rrezet e dritës mbi të çarën në statujë. Ndërsa e lëvizte dritën e elektrikut mbi të, ai vërejti një reflektim që vinte nga statuja. Nuk po u besonte syve. Dihet se balta nuk reflekton dritë, prandaj mori një çekiç edhe një pykë hekuri, dhe nisi ta zmadhonte të çarën. Reflektimi i dritës po shtohej edhe më shumë. Kjo e shtyu burrin të vazhdonte edhe më tej me punën e tij. Pastaj kërkoi ndihmë edhe nga të tjerët, e të gjithë nisën të thyenin baltën mbi statujë. Pas dhjetë orësh punë të pandalshme, të gjithë mbetën të mahnitur kur përpara tyre po qëndronte një statujë nga ari i pastër, me një vlerë të papërshkrueshme. Ata nuk kishin parë kurrë një gjë të tillë të ishte bërë në kohën e tyre.

Ata burra i lajmëruan menjëherë autoritet, dhe statujën e çuan në kryeqytet me shumë kujdes, pasi kjo vepër do të tërhiqte shumë vizitorë dhe studiues të interesuar.

Nga aty ka lindur edhe thënia e famshme kineze “Brenda baltës ka ar”.

Unë them: Në secilin prej nesh gjendet një thes ar aftësish, të cilat Zoti i ka vënë brenda nesh.

Ashtu siç thuhet ne Kuran: “…Edhe në vetveten tuaj (ka shenja të Zoti). A nuk e sillni nëpër mend?!”

Shumica e njerëzve nuk bëjnë kërkime brenda vetes për t’i zbuluar aftësitë e tyre të vërteta, se pse bota që rrethon aftësitë e tyre, është plot programime të mëparshme, bindje dhe ndjesi negative, me të cilat është programuar në të kaluarën. Ky programim që gjendet te çdo njeri, së pari bëhet nga dy prindërit, pastaj nga rrethi familjar, pastaj nga rrethi shoqëror, pastaj nga rrethi shkollor, pastaj nga shokët, pastaj nga mjetet e informimit, përfshirë edhe vlerat historike, fetare dhe gjeografike të secilit vend. Domethënë, më shumë se 90% e vlerave tona emocionale, janë të fituara nga bota e jashtme. Për këtë arsye, ato na programojnë negativisht.

Disa studiues në Universitetin Mjekësor të San Franciskos, bënë një hulumtim rreth natyrës së programimit të njeriut, dhe gjetën se pjesa më e madhe e tij është negative, që vepron kundër nesh, dhe se ky programim i varros aftësitë tona të pakufishme, të cilat gjenden brenda nesh të mbuluara me besime, ndjesi e perceptime negative rreth vlerës sonë të vërtetë… pikërisht si ajo statuja për të cilën folëm më parë, e cila qe e mbuluar me baltë, dhe e cila nga brenda ishte e punuar me ar.

Kur Zoti na thotë në Librin e Tij të ndritur:

“…Edhe në vetveten tuaj (ka shenja të Zoti). A nuk e sillni nëpër mend?!”, Ai na tërheq vëmendjen të shikojmë brenda vetes, të mos ndikohemi nga programimet negative që vijnë nga bota e jashtme, por ta njohim mrekullinë dhe vlerën tonë të vërtetë që Ai na ka dhuruar.

Zoti na ka dhënë aftësinë e mendjes njerëzore për të hulumtuar, analizuar dhe për të argumentuar, si dhe aftësinë për të zbuluar. Kjo në mënyrë që t’i besojmë Atij të madhërishmit më shumë… t’i bindemi edhe më shumë… e të lidhemi më shumë me Të.

Tani le t’ju prezantojmë atë çfarë dimë deri në këto momente, rreth disa prej aftësive tona, dhe të cilat me siguri janë shumë më shumë sesa dimë ne rreth tyre, por që akoma nuk i njohim plotësisht dimensionet e tyre… Por, gjithsesi, ne jemi të vetëdijshëm se Zoti na ka dhënë gjënë më të vlefshme që është “mendja”, me aftësinë e saj për hulumtim, zbulim, argumentim dhe njohje.

Artikulli paraprakAnketa e Fuqisë Punëtore në Kosovë
Artikulli tjetërPse pajisjet ‘Apple’ konsiderohen si më të sigurta në raport me ato ‘Android’?