Banka Qendrore e Kosovës merr vendim për uljen e përkohshme të sigurimit kufitar

Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës në mbledhjen e fundit ka marrë vendim për uljen e përkohshme të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë.

BQK thotë se ky vendim i marrë ka ardhur pas shqyrtimit të raportit të Byrosë Kosovare të Sigurimit mbi adekuatshmërinë e tarifave të sigurimit kufitar nga autopërgjegjësia dhe është vlerësuar se ekziston bazë e mjaftueshme për ndryshimin e tarifave të primeve të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për automjete dhe motoçikleta për udhëtarë.

“Me anë të këtij vendimi Banka Qendrore e Kosovës, kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimeve që në emër të anëtarëve të saj, siguruesve të licencuar për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, të ulë përkohësisht tarifat e sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për grupet tarifore të autoveturave dhe motoçikletave për 35 për qind”, thuhet në njoftim.

Në fund, BQK me anë të këtij vendimi kërkon që aplikimi i tarifave të reja të policave kufitare të zbatohet nga data 1 korrik 2021 deri më 31 dhjetor 2021.

Artikulli paraprakLansohet zyrtarisht Windows 11
Artikulli tjetërRritja e biznesit të Eurozonës në nivelin më të lartë në 15 vitet e fundit