Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), ka njoftuar se sot gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, për shkak të disa çështjeve teknike disa bashkatdhetarë kanë paguar primin e sigurimit kufitar.
“Të gjithë qytetarët që kanë paguar primin e sigurimit për policat e sigurimit të lëshuara sipas Marrëveshjes së Bashkëpunimit të datës 30.07.2020, mund të vijnë në zyrën qendrore të Byrosë Kosovare të Sigurimit për kthimin e primit të paguar”, thuhet në komunikatën e Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS).
Njoftimi i plotë i BKS-së
Të nderuar bashkëatdhetarë,
Sot përmes mediave jemi informuar se gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, disa nga ju keni paguar primin e sigurimit kufitar për të cilin, përmes Marrëveshjes së Bashkëpunimit të datës 30.07.2020 Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar se do të mbuloj koston e këtyre policave të lëshuara deri me datë 31.12.2020.
Për shkak të kohës së shkurtër që kemi pasur në dispozicion për përshtatjet teknike dhe adaptimit të zbatimit të kësaj Marrëveshje, problemet teknike si kjo janë shfaqur vetëm tani dhe kjo veçse është trajtuar dhe rregulluar.
Të gjithë qytetarët që kanë paguar primin e sigurimit për policat e sigurimit të lëshuara sipas Marrëveshjes së Bashkëpunimit të datës 30.07.2020, mund të vijnë në zyrën qendrore të Byrosë Kosovare të Sigurimit për kthimin e primit të paguar.