Thyerja e ‘zymtësisë’ të nënkalimeve në Prishtinë përmes gërshetimit të ngjyrave

Llojllojshmëri ngjyrash kanë përfshirë disa nga nënkalimet “monotone” të kryeqytetit, në të cilat brenda ditës kalojnë me qindra qytetarë.

Përpos aspektit të sigurisë dhe anës artistike, gërshetimi ngjyrave të ndezura në nënkalime është bërë me qëllimin që ato të japin efekte psikologjike te qytetarët.

Zejnije Kastrati, arkitektja e cila ka dizajnuar punimet thotë se qëllimi i këtij projekti ka qenë që të promovohet siguria e kalimtarëve gjatë qarkullimit rrugor dhe njëherazi Prishtinës t’i jepet sa më shumë ngjyrë dhe gjallëri.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Nga kërkesa ka qenë që përveç se të ketë art në vete gjithashtu të përcjellë siguri dhe tërheqje-vëmendje në lëvizje, gjë që besoj se është arritur duke shfrytëzuar perceptimin psikologjik të njeriut se si ne i përjetojmë ngjyrat”, tha Kastrati.

Kastrati për KALLXO.com tha se gjatë fazës së parë të projektit janë analizuar më së shumti ngjyrat, duke marrë parasysh faktin se truri i njeriut i percepton ngjyrat para formave.

Ndërsa, hyrje-daljet e nënkalimeve që karakterizohen me ngjyrën e verdhë të ndezur ajo tha se janë bërë me qëllimin që të shtoj koncentrimin në rrugë.

“Është aplikuar ngjyra e verdhë e cila tërheq vëmendjen në qarkullimin rrugor dhe rrit përqendrimin dhe fokusimin në këndvështrimin pamor”, tha Kastrati.

Kurse, për artin brenda nënkalimit i cili përfshihet nga tri ngjyra parësore nga paleta e ngjyrave të tjera, Kastrati tha se bënë që kalimi përgjatë ecjes të përjetohet si siguri, ngrohtësi dhe qetësi në ecje.

Arkitektja Zejnije Kastrati Fotografi: Zejnije Kastrati

“Nënkalimet të cilat nuk kanë ndonjë shfrytëzim komercial mund të jenë monotone dhe të papëlqyeshme në ecje andaj e kam shfrytëzuar një simetri brenda saj në mënyrë që ndjesia e kalimit në to të përjetohet si më e shpejtë”, u shpreh Kastrati.

Ndërsa për vijat e ndriçimit të cilat vërehen në pjesën lartë të nënkalimeve Kastrati tha se duke ndjekur vijat ndarëse mes ngjyrave në formë paralele e shton dëshirën të ecësh nëpër hapësirë.

Ajo tha se kërkesa si detyrë projektuese ka qenë nga Medina Braha, drejtoreshë e Shërbimeve Publike, ndërsa propozimi si projekt ideor dhe zbatues është aplikuar nga ajo dhe ekipi realizues.

Kastrati tha se ky aktivitet është në vazhdën e aktiviteteve për zhvillimin e artit dhe arkitekturës dhe përveç nënkalimeve të cilat janë në proces janë edhe disa nënkalime tjera për t’u përmbushur projekti i ngjyrosjes së nënkalimeve.

Ilir Muharremi, kritik i arti vlerëson se arti i grafitit i cili dikur konsiderohej art huliganësh tashmë po arrin të shndërroj një lagje, madje dhe të shndërrohet në pikë identifikuese të një qyteti të tërë.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Muharremi thotë se arti publik i është nënshtruar një transformimi sa i përket opinionit publik, duke u bërë kështu shprehje shoqërisht e pranueshme dhe e respektuar.

“Arti modern i rrugës ka aftësinë që përmes vizatimeve të mahnitshme dhe detajeve të kthejë çdo mur ose objekt sado i vjetër dhe i shëmtuar që të jetë në një vepër e mahnitshme artistike, e cila mund të bartë edhe mesazhe të rëndësishme”, tha Muharremi.

Ky lloj i artit shumëngjyrësh është realizuar në nënkalimet në Kalabri-Dardani (afër Termokosit), tek Xhamia e Llapit dhe në Bardhosh.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Artikulli paraprakNga 1 janari miliona persona në botë do të mbeten pa WhatsApp
Artikulli tjetërVaksina dhe komuniteti mysliman