Vaksina dhe komuniteti mysliman

Në muajin tetor, një numër diplomatësh indonezianë dhe klerikësh myslimanë shkuan në Kinë me dy misione të ndryshme. Ndërsa diplomatët kishin shkuar për të firmosur marrëveshje mbi vaksinat, në mënyrë që miliona qytetarë indonezianë të mund të imunizoheshin nga koronavirusi, klerikët kishin një shqetësim shumë të ndryshëm: Nëse vaksina për COVID-19 ishte e lejueshme për përdorim sipas ligjit islamik.

Ndërsa kompanitë garojnë për të zhvilluar vaksina kundër COVID-19 dhe vendet e ndryshme po përpiqen të sigurojnë doza të tyre, pikëpyetjet në lidhje me përdorimin e produkteve të derrit – të ndaluara nga disa grupe fetare – kanë ngritur shqetësimin se kjo mund të çojë në ndërprerjen e vaksinimeve.

Xhelatina me origjinë nga derri përdoret gjerësisht si stabilizues që vaksinat të jenë të sigurta dhe efektive gjatë ruajtjes dhe transportit. Disa kompani kanë punuar prej vitesh me radhë për të krijuar vaksina pa xhelatinë derri. Për shembull, kompania farmaceutike zvicerane Novartis ka prodhuar një vaksinë për meningjitin pa një material të tillë, ndërsa AJ Pharma me qendër në Arabinë Saudite dhe Malajzi aktualisht po punon për një vaksinë të ngjashme.

Por kërkesa e lartë, zinxhirët ekzistues të furnizimit, kostoja dhe afati më i shkurtër i ruajtjes së vaksinave që nuk përmbajnë xhelatinë derri nënkupton se ky përbërës ka të ngjarë të vazhdojë të përdoret në shumicën e vaksinave për vite me radhë në të ardhmen, thotë Dr. Salman Waqar, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Mjeksore Britanike.

Zëdhënësit e kompanive Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca kanë thënë se produktet e derrit nuk janë pjesë e vaksinave të tyre COVID-19. Por furnizimi i kufizuar dhe marrëveshjet paraekzistuese me vlerë miliona dollarë me kompani të tjera do të bëjë që disa vende me popullatë të madhe myslimane, të tilla si Indonezia, do të marrin vaksina që nuk janë çertifikuar ende për të qenë pa xhelatinë.

Kjo paraqet një dilemë për komunitetet fetare, përfshirë hebrenjtë ortodoksë dhe myslimanët, ku konsumi i produkteve të derrit konsiderohet i papastër nga pikëpamja fetare. Dr Waqar thotë se kjo ngre gjithashtu pyetjen se si do të zbatohet ndalimi i këtyre produkteve në mjekësi.

“Ekziston një ndryshim në mendime midis studiuesve islamikë për xhelatinën e derrit, pra nëse ajo i nënshtrohet një transformimi kimik të rreptë,” thotë eksperti. “A konsiderohet nga ana fetare e papastër kjo xhelatinë e transformuar kimikisht?” pyet ai.

Konsensusi i shumicës në debatet e kaluara mbi përdorimin e xhelatinës së derrit në vaksina është se kjo mund të lejohet, sipas ligjit islamik, pasi “dëmi do të ishte më i madh nëse vaksinat nuk do të përdoreshin,” thotë Dr. Harunor Rashid, profesor i asociuar në Universitetin e Sidneit.

Edhe në komunitetin hebraiko-ortodoks ekziston një konsensus i ngjashëm. “Sipas ligjit hebre, ndalimi i ngrënies së mishit të derrit ose përdorimi i tij ndalohet vetëm kur bëhet fjalë për një mënyrë të natyrshme për ta ngrënë atë,” thotë Rabini David Stav, kryetar i organizatës Tzohar në Izrael.

Nëse “injektohet në trup, dhe nuk merret “përmes gojës”, atëherë nuk ka “asnjë ndalim dhe asnjë problem, veçanërisht kur kemi shqetësime për sëmundjet”, tha ai.

Megjithatë ka pasur mendime të ndryshme për këtë çështje – disa me pasoja të rënda shëndetësore për Indonezinë, e cila ka popullsinë më të madhe myslimane në botë, rreth 225 milion nga gati 2 miliardë myslimanë të botës. /voa/

Artikulli paraprakThyerja e ‘zymtësisë’ të nënkalimeve në Prishtinë përmes gërshetimit të ngjyrave
Artikulli tjetërKontestohet nga bizneset vendimi i Byrosë së Sigurimeve për sistemin Bonus-Malus