Gates: Më shumë se 50% e udhëtimeve të biznesit do të zhduken pas pandemisë

Koronavirusi do të ndryshojë tërësisht mënyrën se si njerëzit udhëtojnë dhe drejtojnë biznesin, edhe pasi pandemia të përfundojë, tha para disa ditësh, themeluesi i “Microsoft”, Bill Gates.

“Parashikimi im është që më shumë se 50% e udhëtimeve të biznesit dhe më shumë se 30% e ditëve në zyrë, do të ‘zhduken’” – tha Gates për Ross Sorkin, gjatë konferencës “Dealbook” të “New York Times”.

Duke shkuar edhe më tej, Gates parashikon që do të ketë një “prag shumë të lartë” për udhëtimet e biznesit, tani që puna nga shtëpia është më e realizueshme. Sidoqoftë, disa kompani mund të jenë më ekstreme me përpjekjet e tyre për të ulur numrin e takimeve ballë për ballë se disa të tjera, – tha ai.

Gates, fondacioni i të cilit po punon për krijimin e një vaksine kundër koronavirusit për njerëzit më në nevojë, tha në një podcast të ri, “Bill Gates e Rashida Jones ask big questions” se ai ka pasur një “axhendë më të thjeshtë” për shkak të pandemisë, tani që nuk udhëton më për punë.

Filantropi dhe drejtuesi i sektorit teknologjik, i cili u shfaq në krah të CEO-s së “Pfizer”, Albert Bourla, gjatë konferencës, tha se ka realizuar pesë tryeza të rrumbullakëta virtuale këtë vit me drejtuesit e shtëpive farmaceutike – një takim që zakonisht mbahet ballë për ballë në Nju Jork.

“Disi ne do të shkojmë në zyrë, do të bëjmë udhëtime biznesi, por shumë shumë më pak” – tha Gates. Pandemia ka shkatërruar kërkesën për udhëtime ajrore, në veçanti për udhëtime fitimprurëse biznesi. Drejtuesit e “Microsoft” parashikojnë që udhëtimet e biznesit do të bëjnë një hap prapa, edhe pse kompania përpiqet për t’i bërë udhëtimet ajrore më të qëndrueshme.

“Ne besojmë se, ndërsa kthehemi në qiell, rrugët e udhëtimit që kishim … do ta rimarrin veten në nivelin që ishin më parë”, tha Judson Althoff, zëvendëspresident i biznesit tregtar botëror të Microsoft, në tetor.

*Noah Higgins-Dunn
Burimi: CNBC  /monitor/

Artikulli paraprakNDRYSHIMI/ Pse dollari nuk është më monedha kryesore në botë
Artikulli tjetërThemeluesi i Twitter: rrjetet sociale krijojnë varësi