Lansimi i gjetjeve nga Anketa e Treguesve të Shumëfishtë (MICS), 2020

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në bashkëpunim të ngushtë me UNICEF-in, sot publikoi gjetjet e anketës më të madhe të ekonomive familjare, për situatën e fëmijëve dhe grave në Kosovë.

Të dhënat e publikuara gjenerohen nga Anketa e Grupimeve me Tregues të Shumëfishtë (MICS) – një program i mbështetur nga UNICEF-i dhe i zbatuar në më shumë se 100 vende të botës.

Në Ditën Botërore të Fëmijëve, më shumë se 500 vetë morën pjesë me rastin e lansimit të të dhënave të Anketës MICS në internet, për të kuptuar se çfarë tregojnë të dhënat e reja, se si është të jesh sot fëmijë në Kosovë.

Në fjalën e tij të hapjes, Kryeministri i Kosovës, z. Avdullah Hoti, tha se “fëmijët janë e ardhmja e njerëzimit dhe ne kemi borxh çdo aktivitet, që garanton një të ardhme të sigurt për ta dhe shoqërinë. Anketimet e tilla janë të dobishme, sepse paraqesin situatën reale në terren dhe si të tilla na japin një vision më të qartë. ASK-ja dhe UNICEF-i na kanë ofruar këtë tablo me shumë vlera, prej të cilave ne marrim informacione që na duhen për të hartuar politikat adekuate për fëmijët dhe të ardhmen e tyre. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që me tërë potencialin e që ka, të punojë për t’i siguruar fëmijët tanë pa dallim etnie, feje, a ngjyre, të drejtat e fëmijëve, dhe përtej saj në avancimin e mirëqenies së tyre, duke vënë theksin se fëmijët po ballafaqohen me sfida të mospranisë në shkolla dhe pranë librave të tyre. Tutje, ai shtoi se, në këto kohë të vështira, që po kalon vendi dhe bota, ne frymëzohemi nga Nëna Tereze dhe respektimi i të drejtave të të gjithë njerëzve.

Ndërkaq, Zv.Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, z. Ilir T. Berisha, tha se “MICS është ndër sondazhet më të mëdha të kryera në Kosovë, unë falënderoj UNICEF-in për bashkëpunimin për zhvillimin e mëtejshëm të të drejtave të fëmijëve, grave dhe burrave”.

Znj. Ulrika Richardson, kooordinatore për zhvillimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Kosovë fillimisht falënderoi të gjithë të pranishmit dhe ata që u inkuadruan përmes internetit, duke vazhduar më pas për Ditën Botërore të Fëmijëve dhe për numrin e fëmijëve në botë të prekur me Covid-19.
Përderisa është bërë shumë për të siguruar realizimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, disa çështje mbeten të adresohen.
Disa nga gjetjet kryesore të MICS zbulojnë që:

•    Për 1 000 lindje të gjalla, 16 fëmijë vdesin para se të arrijnë ditëlindjen e tyre të parë në Kosovë (70% e tyre vdesin brenda muajit të parë të jetës). Derisa, 27 fëmijë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian nga 1 000 lindje të gjalla (80% brenda muajit të parë të jetës) nuk e shohin ditëlindjen e tyre të parë.

•    15 për qind e fëmijëve të moshës 3-4 vjeçare ndjekin ndonjë program të edukimit për fëmijërinë

•    Një përqindje e madhe e fëmijëve (72 për qind) raportohet se janë disiplinuar me dhunë.

“Sot është një ditë e veçantë, lansimi i gjetjeve të Anketës MICS në Ditën Botërore të Fëmijëve, veprim për fëmijë, nga fëmijët, i cili u jep fëmijëve hapësirën për të dëgjuar zërin e tyre për çështje për të cilat atyre iu intereson. Të dhënat e MICS për fëmijët janë nxjerrë nga mbi 20 000 intervista. Partnerët dhe komuniteti ndërkombëtar aktualisht kanë një dritare të veçantë mundësish, si dhe një detyrim, për të përmbushur të drejtat e çdo fëmije. Investoni në fëmijë – investoni në kapital njerëzor tani ” – tha Murat Sahin, Shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Ndërkaq, Rijad Mehmeti, Avokues i të Drejtave të Fëmijëve në kuadër të UNICEF-it theksoi se “Ne fëmijët me aftësi të kufizuara llogarisim në ju! Atë që së paku do të prisnim është që ju të na numëroni e llogaritni neve!”

Të dhënat e Anketës MICS u prezantuan nga z. Avni Kastrati, drejtor i Statistikave Sociale në ASK dhe Teuta Halimi nga UNICEF.
Informacionet e reja që dalin nga MICS duhet t’iu mundësojë institucioneve të Kosovës dhe agjencive ndërkombëtare që të orientojnë në mënyrë më të saktë dhe më efektive ndihmën zhvillimore dhe burimet. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, ndërsa Kosova i përgjigjet dhe zbut ndikimin socio-ekonomik tek fëmijët nga pandemia Covid-19.

Për më shumë informata lidhur me publikimin e të dhënavë të MICS-it, vizitoni: https://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/sociale/mics

Artikulli paraprakPrishtina me rrethinë me sasinë më të madhe të mbeturinave për banor
Artikulli tjetërG20: GJITHÇKA PËR KAPËRCIMIN E KRIZËS COVID-19