Lagarde: Rikuperimi në eurozonë, më i fortë se ç’pritej

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) Christine Lagarde la të kuptohet për një rikuperim të fortë ekonomik për zonën e euros në tremujorin e tretë dhe njoftoi se banka do të monitorojë nga afër ndikimin e vlerësimit të euros në parashikimin afatmesëm të inflacionit.

“Të dhënat që morëm nga takimi ynë i fundit mbi politikën monetare në korrik tregojnë një rimëkëmbje të fortë në aktivitet, kryesisht në përputhje me pritjet tona të mëparshme,” tha ajo në një konferencë shtypi pas sesionit të BQE.

Në këtë kontekst, BQE ka përmirësuar pak vlerësimin e saj të rritjes për vitin 2020 dhe tani pret që produkti i brendshëm bruto (PBB) të bjerë me 8.0 përqind, krahasuar me parashikimin e qershorit të një rënie prej 8.7 përqind.

Për vitin 2021, ajo parashikon rritje të PBB-së prej 5.0 përqind, dhe për një vit më vonë prej 3.2 përqind.

Presion mbi konsumin dhe investimet

Lagarde tha se kërkesa e brendshme në zonën e euros ishte rikuperuar ndjeshëm nga nivelet minimale të parë në muajt e mëparshëm, por paralajmëroi se “pasiguria e shtuar në lidhje me perspektivën ekonomike vazhdon të ushtrojë presion mbi konsumin privat dhe investimet e biznesit”.

Sipas saj, rimëkëmbja është ende e rrethuar nga pasiguri të rëndësishme, të cilat lidhen kryesisht me zhvillimin e ardhshëm të pandemisë dhe suksesin në zbatimin e masave për ta vënë atë nën kontroll.

Kreu i BQE gjithashtu deklaroi se inflacioni në eurozonë është “mbytur” nga çmimet e ulëta të energjisë dhe presionet e dobëta për të rritur çmimet në kushtet e kërkesës së moderuar dhe një amullie të konsiderueshme në tregun e punës.

Lagarde theksoi se BQE po konsideron vlerësimin aktual të euros dhe tha se do të “monitorojë nga afër” lëvizjet e kursit të këmbimit në të ardhmen. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakA jemi të varur nga nga teknologjia? Bëni këtë provë
Artikulli tjetërÇfarë ndodh me trupin tuaj kur pushoheni nga puna