Në çfarëdo sektori që të zgjedhësh të punosh në Shqipëri, paga për një të punësuar është më e ulëta në rajon.
Monitor ka krahasuar pagat bruto sipas aktiviteteve ekonomike, pas përpunimit të të dhënave nga institutet statistikore të Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Bosnjës e Hercegovinës, Kosovës për vitin 2019.
Paga mesatare në Shqipëri, në vitin 2019, ishte 420 euro, që është të paktën 30 për qind më e ulët se gjithë vendet e tjera të rajonit. Pas Shqipërisë renditet Kosova me 602 euro, Maqedonia me 617 euro, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina e kanë pagën mesatare rreth 700 euro. Ndërsa më shumë paguhen punëtorët në Mal të Zi, mesatarisht me 770 euro.
Ky nivel pagash është në linjë dhe me të dhënat e Eurostat për të ardhurat për frymë, ku Shqipëria i ka ndër më të ulëtat në Evropë, me 31 për qind të mesatares evropiane.
Ndonëse ndikim në këtë nivel të ulët mund të ketë dhe informaliteti i lartë në tregun e punës në vend, pagat janë më të ulëta dhe në shtet, përfshirë arsimin dhe mjekësinë, apo dhe në aktivitete ku nuk ka informalitet, si në sektorin financiar apo telekomunikacionet.
Erald Pashaj, drejtor i EPPC Albania & Kosovo, kompania e rekrutimeve dhe trajnimeve, tha për ‘Monitor Ekonomi’ se arsyeja e parë e diferencës së pagave me rajonin, është tregu i punës.
“Ekonomia jonë kaq prodhon dhe kjo matet me Prodhimin e Brendshëm Bruto për banor. Në rajonin tonë, ne kemi Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë të parafundit në Evropë, pas nesh është Kosova. Për rrjedhojë, ky treg prodhon dhe më pak produkte dhe paga më të ulëta. Faktorë të tjerë janë mungesa e investimeve të huaja, mendësia që kemi për punën, kundrejt sendeve dhe investimeve kapitale, shoqëruar këto me korrupsion dhe informalitet, që kanë bërë që ne të kemi pagat më të ulëta si minimale, ashtu dhe mesatare në rajon”, thotë Pashaj.
Për shembull, në Kosovë, thotë Pashaj, një asistente administrative merr shumën prej 600 euro, ndërsa në Shqipëri do të ishte një pagë shumë e mirë, nëse do të merrte 60 mijë lekë. Vetëm këtu kemi një diferencë prej më shumë se 20 për qind.
Në shtet, më shumë paguhesh në Bosnjë e Hercegovinë
Pagat më të larta në rajon në sektorin shtetëror paguhen në Bosnjë e Hercegovinë, mesatarisht 980 euro. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka pohuar shpesh në deklaratat e tij se Bosnja ka një faturë të lartë shpenzimesh për pagat e sektorit publik, në rreth 13 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Edhe në fund të 2019-së, qeveria vendosi të rrisë me 20 për qind pagat në sektorin publik, në një përpjekje për të frenuar emigrimin masiv në vendet e Bashkimit Evropian.
Paga të larta në administratë kanë dhe Mali i Zi me 910 euro, Serbia me 826 euro, Maqedonia e Veriut me 712 euro dhe Kosova me 606 euro.
Shqipëria ka të ardhurat më të ulëta në rajon ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, së bashku me Kosovën me rreth 26 për qind deri 27 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe kjo ka kushtëzuar dhe nivelin e pagave në administratën publike, që në nivelin e 536 eurove janë më të ulëtat në rajon.
Sa pak paguhen mjekët
Pandemia e COVID-19, që shkaktoi një stuhi të vërtetë në mbarë globin, nxori në pah rëndësinë e sistemit shëndetësor në çdo vend. Shqipëria renditet ndër shtetet me më pak mjekë, apo 1.2 mjekë për 1,000 banorë, numër që po reduktohet për shkak të eksodit masiv të bluzave të bardha. Vendi ynë, jo vetëm që ka më pak mjekë, por ata janë dhe më të keqpaguarit.
Paga mesatare në aktivitetin e “Shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale” në Shqipëri është 435 euro, është afërsisht sa gjysma e mesatares rajonale. Mjekët paguhen më shumë në Bosnjë e Hercegovinë me 901 euro dhe Mal të Zi me 833 euro, ndërsa në Serbi e Maqedoni e Veriut me mbi 700 euro.
Vitin e kaluar, edhe Kosova i rriti ndjeshëm pagat e mjekëve dhe infermierëve, me synim ndalimin e eksodit të bluzave të bardha. Mjekët specialistë paguhen 1,195 euro nga 661 euro më parë; mjeku i përgjithshëm paguhet me 836 euro nga 566 euro, kryeinfermierët me 621 euro nga 472 dhe infermierët e parë me 537 euro nga 425 më parë.
Arsimi, sërish i nënpaguar
Arsimtarët mbeten sërish më të nënpaguarit në rajon, por diferenca është më e ulët në raport me mjekët. Paga mesatare në arsim është 506 euro. Më mirë i paguan mësuesit Mali i Zi me gati 750 euro. Në shtetet e tjera, luhatja është midis 650 dhe 710 euro. Edhe Kosova i paguan pak punonjësit e arsimit me rreth 490 euro në muaj.
Serbia kryeson për pagat në teknologjinë e informacionit
Serbia merret shpesh si shembull dhe model për zhvillimin e teknologjisë së informacionit në vend. Ky sektor ka dhe ndër pagat më të larta, jo vetëm në vend, por në gjithë rajonin, me një mesatare prej 1,200 eurosh në muaj për aktivitetin e informacionit dhe komunikacionit. Të detajuara më në detaj, në nënseksionin e programuesve të kompjuterëve, paga mesatare është 1,600 euro, ku më shumë në Serbi paguhen vetëm punonjësit e transportit ajror.
Nabojsa Durdevic, shef ekzekutiv i Digital Serbia Initiative, thotë se bizneset e IT-së në Serbi kanë kaluar në shërbimet me vlerë të shtuar të lartë me ekspertizë vendase, ndryshe nuk mund të konkurronin po të shisnin programe të lira, pasi për këtë kategori konkurrojnë vendet nga Afrika.
Ai thotë se kompanitë në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Serbi punësojnë 95 për qind inxhinierë. Fokusi është që të shkojnë drejt kompanive që zhvillojnë produktet e tyre dhe t’u largohen produkteve xhenerike me vlerë të shtuar të ulët.
Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi kanë paga mbi 1,000 euro për informacionin dhe komunikacionin. Shqipëria, si në çdo fushë, i ka më të ulëtat në 640 euro, ndërsa në Kosovë janë gati 800 euro.
Për bankierët, rekordin e mban Mali i Zi
Aktiviteti financiar dhe bankar është ndër më të paguarit në Shqipëri, me 860 euro në muaj mesatarisht, por sërish në krahasim me rajonin mbetet shumë më poshtë, përveç Kosovës, që e paguan këtë sektor më pak se në Shqipëri me rreth 570 euro.
Bankierët dhe punonjësit e fushës së sigurimeve janë më të vlerësuarit në Mal të Zi, me një pagë mesatare 1,500 euro, që është më e larta në rajon për të gjitha aktivitetet ekonomike. Edhe në vendet e tjera të rajonit, punonjësit e bankave e sigurimeve marrin mesatarisht më shumë se 1,000 euro në muaj.
Në Shqipëri, pagat më të larta i kanë institucionet ndërkombëtare
Jo më kot, puna në institucionet ndërkombëtare ose organizata jofitimprurëse është shumë e preferuar në Shqipëri.
Statistikat e INSTAT tregojnë se ato shpërblejnë më shumë se në çdo vend tjetër. Paga mesatare, nëse punon në organizatat ndërkombëtare, është rreth 1,200 euro në muaj.
Shtetet e tjera nuk e raportojnë të gjithë këtë aktivitetet ekonomik, por në Maqedoni të Veriut, për të njëjtën kategori, paga mesatare është 900 euro dhe në Serbi 713 euro. /Monitor/