Mbi 400 brende të bizneseve pritet ta bojkotojnë Facebookun duke larguar reklamat

Më shumë se 400 brende të njohura, përfshirë ikonat globale si, Coca-Cola, Adidas dhe Starbucks pritet të largojnë reklamat e tyre nga gjiganti Facebook, duke filluar nga 1 korriku.

Ky hap besohet se është marrë pas raportimeve se negociatat kanë dështuar që të parandalojnë bojkotin njëmujor, si përgjigje ndaj gjuhës së urrejtjes që ekziston në këtë platformë.

Aktivistët për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar ndihmë korporatave që t’i bëjnë presioni Facebookut për të ndalur gjuhën e urrejtjes pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd teksa ka qenë në mbajtje policore.

Organizata si Anti-Defamation League, National Association for the Advancement of Colored People (NAACP) dhe Color of Change, kanë nisur fushatën “Ndalni Urrejtjen për Përfitim”, pas vdekjes së Floydit.

Ky grup ka prezantuar dhe kërkesa për rrjetin social, duke përfshirë mundësinë që ata që janë përballur me ngacmim online, të kenë mundësi të flasin me një punëtor të Facebookut.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, të paktën dy takime në mes të zyrtarëve të lartë të Facebookut dhe reklamuesve janë mbajtur më 30 qershor, në prag të bojkotit njëmujor.

Agjencia ka cituar disa burime të kenë thënë se gjiganti Facebook, nuk ka ofruar metoda sesi do ta luftojë gjuhën e urrejtjes, çka ka zemëruar reklamuesit.

Bojkoti i paralajmëruar nuk pritet të ketë ndikim të madh te Facebooku, i cili vitin e kaluar ka thënë se 100 reklamuesit më të mëdhenj kanë kontribuuar në 20 për qind të buxhetit total prej 70 miliardë dollarëve brenda një viti.

Artikulli paraprakSI KTHEHET TË MENDUARIT NEGATIV NË TË MENDUAR POZITIV?
Artikulli tjetër3 gjëra që duhet t’i kërkoni nga puna juaj e parë