Nga të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për nivelin e pagave për vitet 2012-2019 rezulton se paga mesatare bruto në Kosovë gjatë vitit 2019 ishte 602 euro.
Bazuar në këtë raport, paga më e lartë është për ata që merren me furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar. Për këtë punë, paga mesatare bruto është 923 euro.
Paga të larta kanë edhe ata që merren me informim dhe komunikim, të cilët kanë pagë bruto gati 800 euro.
Keq me paga nuk qëndrojnë as ata që merren me xehëtari dhe gurëthyes. Paga mesatare bruto për këtë aktivitet ekonomik është mbi 650 euro.
Bazuar në raportin e ASK-së, paga më të ulëta kanë ata që merren me akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim, të cilët kanë pagë mesatare 256 euro.
“Paga mesatare bruto në vitin 2019 sipas aktiviteteve ekonomike më e lartë ishte te: Furnizimi me energji elektrike, gaz,avull dhe ajër të kondicionuar me 923 euro pasuar nga informimi dhe komunikimi me 797 euro, pastaj xehëtari dhe gurëthyes me 657 euro, derisa paga më e ulët ishte tek Akomodimi dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 256 euro”, thuhet në raport.