18 % e popullatës në Kosovë jeton në varfëri

Në Ditën Botërore për çrrënjosjen e varfërisë, thuhet se në Kosovë kjo dukuri,vazhdon të rritet nga viti në vit.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri, me më pak se 2 euro në ditë ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.

Sot po shënohet Dita Botërore për çrrënjosjen e varfërisë, e në Kosovë numër i madh i familjeve janë të varfra. Sami Kurti, i cili jeton me bashkëshorten dhe dy fëmijët në objektin e vjetër social në Stan Tërg, tregon për kushtet e vështira të banimit.

“Qe katër vjet jam këtu. Nuk është askush tjetër, jemi vetëm, gruaja   po ka frikë vetëm. E kemi goxha problem nëse sëmurët fëmija se nuk kemi transport. Ambulanca këtu herë punon e herë nuk punon. Gjatë dimrit këtu mbushet ujë, nuk ke si del, kemi lajmëruar edhe vjet disa herë që po e merr uji krejt banesën. Veç kur të rrëzohet kjo banesë”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, të dhënat më të fundit nga ASK-ja rreth statistikave të mirëqenies sociale në Kosovë, tregojnë se vetëm deri në fund të muajit qershor të këtij viti, kanë qenë të regjistruara gjithsej 25 mijë e 444 familje në skemën e ndihmës sociale, me gjithsej 100 mijë e 395 anëtarë. Analistët e fushës së ekonomisë kërkojnë nga qeveria që të investojë më shumë në përforcimin e sektorit privat, që konsiderohet si indikator kryesor për zbutjen e varfërisë. Profesori i ekonomisë, Musa Limani, për Radio Kosovën thotë se pa zhvillim ekonomik, nuk  ka çrrënjosje të varfërisë.

“Qeveria duhet ta ketë prioritet zhvillimin ekonomik. Pa zhvillim ekonomik, nuk ka stabilitet politik dhe nuk ka perspektivë ekonomike shoqërore”, ka thënë Limani.

Çmimet e të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore (mielli, buka, vaji, sheqeri etj), përditë shënojnë ngritje të reja. Kështu, edhe inflacioni aktualisht ka arritur diku rreth 15 për qind. Profesor Limani thotë se sigurimi minimal i ekzistencës dhe çmimet e shportës familjare kanë shënuar rritje të madhe, dhe kjo bënë që një nunër i madh i qytetarëve të vendit të përballën me varfëri të skajshme.

“Për shkak të nivelit të ulët të zhvillimit ekonomik pagat janë të ulëta dhe kur krejt kësaj ia shtojmë edhe inflacionin, pjesa dërmuese e qytetarëve përballën me kufirin e varfërisë”, ka shtuar Limani.

Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), papunësia në Kosovë është mbi 25 për qind. Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se nga mbi një milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 120 mijë janë të papunë. Gjithnjë sipas ASK-së, rreth 750 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë./buletiniek

Artikulli paraprakLindja e një epoke të re në botë: Çmime të larta për paga më të larta
Artikulli tjetërSi strategjitë e gabuara u kushtuan miliona dollarë kompanive