Në ç’kohë dhe në ç’orë aplikohet tarifa e ulët e rrymës në Kosovë?

Në Kosovë, koha kur është në fuqi shpenzimi me të lirë i energjisë elektrike, ose kur aplikohet tarifa e ulët e rrymës, fillon nga data 1 tetor deri më 31 mars, dhe si e tillë aplikohet prej orës 22:00 deri në orën 07:00 të mëngjesit. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët edhe më tutje është nga ora 23:00 deri në 08:00.

Pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), të miratuar në fillim të këtij muaji, më saktësisht më 8 shkurt dhe të fuqizuar një ditë më pas për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, nuk kanë mbetur shumë alternativa për një kategori jo të paktë numerikisht të konsumatorëve për t’i zbutur pasojat financiare të diktuara nga çmimet e reja të rrymës.

Siç dihet, nga vendimi i ZRRE-së për rritje preken vetëm ata konsumatorë familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj, ndërsa ata që shpenzojnë nën këtë shifër, nuk do të vërejnë edhe aq shumë ndryshime në faturë.

Alternativë e vetme për kosovarët që shpenzojnë mbi 800 kilovat/orë energji elektrike për ta ruajtur xhepin e tyre, mbetet shfrytëzimi sa më racional i rrymës, ose më konkretisht kursimi, gjithkund ku është e mundshme. Dhe, mundësi ka.

Në radhë të parë duhet racionalizuar përdorimi i mjeteve që shpenzojnë ndjeshëm më shumë energji elektrike, për të cilat tashmë Buletini Ekonomik në disa raste ka shkruar detajisht, e të cilat janë bojleri, shporeti elektrik, lavatriçja dhe enëlarësja, frigoriferi, hekuri për hekurosje etj. Këto mjete elektrike të domosdoshme për një familje duhet shfrytëzuar sa më racionalisht, dhe domosdo në shumicën absolute të rasteve gjatë orëve të natës, kur energjia elektrike është goxha më lirë edhe pas çmimeve të reja të ngritura.

Sipas njoftimeve të KEDS-it, në Kosovë, koha kur është në fuqi shpenzimi me të lirë të energjisë elektrike, ose kur aplikohet tarifa e ulët e rrymës, fillon nga data 1 tetor deri më 31 mars, dhe aplikohet prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.

Gjatë këtyre orëve, çmimi i energjisë eketrike është ndjeshëm më i ulët dhe nëse kosumatorët kosovarë i përmbahen këtij orari të përdorimit më të shpeshtë të pajisjeve të sipërpërmendura, gjithsesi, në fund të muajit do të paguajnë goxha më pak para për rrymën e shpenzuar./buletiniekonomik/

Artikulli paraprakShkollat Islame në Angli ndër 10 më të mirat
Artikulli tjetërStrategjia e Google për të rritur produktivitetin, duke i bërë të lumtur punonjësit

Comments are closed.