Zekati në aspektin social dhe ndikimi i tij në krijimin e modeleve pozitive

Vlera universale e zekatit është një vlerë e testuar prej më se 1,400 vjetësh dhe i përshtatet rrethanave që krijohen me kalimin e shekujve. Modeli që po paraqes këtu është krejt ndryshe nga modelet me të cilët jemi mësuar të merremi, megjithatë zbatimi i tij sjell një sërë pasojash pozitive si në aspektin ekonomik ashtu edhe në aspektin social, si për individë të veçantë ashtu edhe për mbarë shoqërinë. Përfitimet që ka shoqeria në aspektin social dhe ekonomik janë të shumta, por po paraqes shkurtimisht tri prej tyre. Zekati çon në:

  1. Reduktimin e varfërisë dhe uljen e pabarazisë

“…Ne atyre u japim edhe mjete të nevojshme për jetën në këtë botë dhe Ne e ngremë njërin ndaj tjetrit në disa shkallë, që disa t’i shërbejnë të tjerëve…” Ez-Zuhruf, 32.

Zekati i zvogëlon deri në minimum vështirësitë e të nevojshmëve dhe anëtarëve të varfër të shoqërisë. Ky është një ngushëllim praktik për njerëzit që kanë më pak fat, por është edhe një thirrje e fortë për të gjithë për t’i përveshur mëngët për ta shtuar pasurinë. Për nevojtarët kjo do të thotë që edhe ata të vihen në lëvizje të bëjnë diçka edhe për veten edhe për shoqërinë. Duke i transferuar paratë nga të pasurit tek të varfërit, vendoset një baraspeshë ekonomike në shoqëri dhe kështu sigurohet barazi në ndarjen e të mirave dhe mirëqënies. Në këtë mënyrë mund të ndërtohet një shoqëri reale, përparimtare, e qetë dhe solidare. Kjo është rruga e vetme efikase për flakjen e rreziqeve ekonomike gjatë ndarjes jo-të drejtë të të ardhurave kombëtare midis qytetarëve të një vendi.

  1. Rritjen e investimeve

“Tregtoni me pasuritë e jetimëve, që të mos i harxhojë ato zekati.”

Zekati bën të mundur futjen në investim të kapitalit të vdekur. Ai jo vetëm e pengon grumbullimin e kapitalit në duar të caktuara, por në të njëjtën kohë frenon tendencën për grumbullimin e të hollave dhe tërheqjen e tyre nga qarkullimi. P.sh në qoftë se një person ka 2000 euro e cila plotëson kushtet për dhënien e zekatit dhe i takon që vitin e parë të japë zekat 2000*2.5%=50 euro. Kështu atij i mbeten 1950 euro. Në rast se supozojmë një inflacion 0%, në vitin e dytë ai duhet të japë përsëri zekat: 1950*2.5=48.75 euro, e kështu me rradhë derisa pasuria e tij të shterojë. Aq më tepër pot ë kemi parasysh rrethanat e sotme ekonomike ku inflacioni lëviz dita-ditës në përmasa të mëdha, personi i cili e ruan pasurinë e tij të fshehur dhe nuk e vë në përdorim, do të ketë humbje të mëdha sepse fuqia e parasë do të bjerë dukshëm. Kështu, zekati shërben si motivues shpirtëror për futjen në investim të parave rezervë të cilat nuk vihen në përdorim. Për kontribuesit, zekati është një thirrje për të fituar sa më tepër, në mënyrë që të japin sa më tepër, ndërsa për pranuesin është thirrje që edhe ai të vihet në lëvizje e ta shfytëzojë në mënyrë sa më të drejtë pjesën që i ra. Për të dyja palët, qoftë drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë, kjo është një pasuri e hapur për investim shpirtëror që kompeson me bollëk.

  1. Nuk lejon krijimin e monopoleve

“…(Kështu veprohet) që ajo (pasuria) të mos ndahet (e të qarkullojë) ndërmjet pasanikëve tuaj…” El-Hashr, 7.

Nuk është e thënë që zekati nëse është në një shumë të madhe t’i shpërndahet disa personave që bëjnë pjesë në kategoritë e mësipërme. Por e mira është që e gjithë shuma e zekatit t’i jepet një personi të vetëm i cili mund të formojë ndonjë biznes të dobishëm, qoftë ky edhe i njëjtë me biznesin e kontribuesit (fjala vjen, nëse një person ka autoservis dhe plotëson kushtet e dhënies së zekatit, ai fare mirë mund t’ia japë pranuesit atë në formën e makinerive dhe pajisjeve që i mundësojnë atij hapjen e të njëjtit biznes). Në këtë mënyrë do të kemi një të pasur më shumë, i cili vitin tjetër mund të jetë vetë shpërndarës i zekatit, dhe do të kemi një të varfër më pak i cili vitin tjetër s’do të ketë nevojë për të marrë zekat. Pra zekati nxit konkurrencën e plotë, ku të këtë punë dhe fitim për të gjithë dhe ndalon krijimin e monopoleve që s’janë gjë tjetër veçse diskriminim për pjesën dërrmuese të popullsisë dhe përqendrim i pasurisë vetëm në një shtresë të shoqërisë, duke mos pasur vend për të tjerë. Një aspect tjetër pozitiv i zekatit është se bazë e tij është vetë kapitali dhe jo fitimi. Në këtë mënyrë zekati nuk lejon bërjen e dredhive për t’iu shmangur detyrimit. /LHSH/

Artikulli paraprakBanka Botërore: njihuni me një program për kompanitë në Ballkanin Perëndimor
Artikulli tjetër10 cilësitë e njerëzve me integritet