Ballina Ekonomi Islame Zekati dhe sigurimi social në ekonominë islame (2)

Zekati dhe sigurimi social në ekonominë islame (2)

Zekati e ka zvogëluar hendekun dhe përçarjen mes të pasurve dhe të varfërve, e ka ngritur nivelin e jetesës së të varfërve dhe e ka forcuar pozitën e tyre, duke i konsideruar të gjithë muslimanët si vëllezër.

Kur vjen punonjësi i zekatit dhe kërkon zekatin nga një musliman, atëherë ai që e jep zekatin duhet ta dijë se ky akt ka përfitime të mëdha shoqërore, si për atë vetë, ashtu edhe për të gjithë shoqërinë islame. Zekati e shpëton individin nga varfëria, nevoja dhe poshtërimi, ndërsa për shoqërinë islame sjell fuqi dhe unitet.

Ai i jep të varfrit ndjesinë se ka të drejtë në pasurinë e të pasurit, një të drejtë që ruhet dhe mbrohet. Zekati gjithashtu forcon ndjenjën e solidaritetit dhe ndihmës së ndërsjellë, duke mbrojtur shoqërinë muslimane nga ndikimet e rrezikshme të mashtruesve dhe propaganduesve dashakeqë.

Nxjerrja e zekatit nuk duhet të vonohet, sepse ai është i lidhur ngushtë me namazin. Halifi i parë  i drejtë , Ebu Bekr es-Siddik, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Pasha Allahun, unë do të luftoj atë që bën daliim mes namazit dhe zekatit, sepse zekati është e drejtë mbi pasurinë. Pasha Allahun, edhe nëse do të më ndalonin një edh të vogël që ia jepnin të Dërguarit të Allahut ﷺ, do t’i luftoja për të.”  [Sahih Buhari: 1399]. (Fjala ‘anâk nënkupton dhinë e vogël femër, kurse në një version tjetër vjen fjala ‘ikâl, që do të thotë litar. Me këtë është përforcuar theksi i tij se do t’i luftonte edhe sikur të mos jepnin gjënë më të vogël që ia jepnin më parë të Dërguarit ﷺ).

Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, mobilizoi ushtri për të luftuar ata që refuzuan zekatin, dhe sahabët ishin në krye të atyre ushtrive që luftonin kundër mohuesve të zekatit. Prandaj, detyra e myslimanit është ta nxjerrë zekatin me zemër të hapur, në mënyrë që të gjejë mirësi dhe begati në këtë vepër.

Zekati pastron shpirtrat e të pasurve nga koprracia, dhe pasuritë e tyre nga të drejtat e të tjerëve. Ai forcon shpirtin e bujarisë, bamirësisë dhe bashkëpunimit mes myslimanëve, siguron nevojat e të varfërve duke ruajtur dinjitetin e tyre, në mënyrë që të mos shtrijnë dorën për lypje, dhe i mbron ata nga poshtërimi i ndihmës së kushtëzuar dhe nga fjalët fyese. Sepse zekati është një e drejtë e caktuar dhe e detyruar, jo një dhuratë vullnetare që i pasuri ia jep të varfrit kur dëshiron. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë:
“Dhe ata që në pasuritë e tyre kanë një të drejtë të caktuar për lypësin dhe për të privuarin.” [Suretu-l-Me’arixh: 24-25].

Përfitimet shoqërore dhe ekonomike të zekatit

Dijetarët myslimanë janë unanim se zekati ka përfitime të mëdha shoqërore. Ai ndihmon në përmbushjen e nevojave të të varfërve dhe në kënaqjen e tyre, forcon myslimanët dhe ngrit pozitën e tyre. Po ashtu, ai largon urrejtjen dhe mllefin që mund të kenë në zemrat e të varfërve dhe nevojtarëve ndaj të pasurve dhe të begatëve. Sepse kur të varfrit shohin të pasurit duke shijuar pasuritë e tyre pa marrë asgjë, as të vogël e as të madhe prej tyre, mund të ndjejnë armiqësi dhe urrejtje, pasi nuk iu janë respektuar të drejtat dhe nuk iu është plotësuar nevoja. Por nëse të pasurit japin për ta 2.5% të pasurisë së tyre në fund të çdo viti, atëherë këto ndjenja zhduken dhe vendosen dashuria e harmonia.

Zekati është edhe shkak për shtimin dhe begatimin e pasurisë. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sadakaja nuk e pakëson pasurinë; Allahu ia shton nderin atij që fal, dhe kushdo që tregohet modest për hir të Allahut, Allahu e lartëson atë.” [Sahih Muslim: 2588]. Kjo do të thotë se edhe nëse sadakaja e pakëson pasurinë numerikisht, ajo nuk e pakëson bekimin dhe shtimin e saj në të ardhmen; përkundrazi, Allahu e zëvendëson dhe e bekon pasurinë e atij që jep.

Gjithashtu, zekati është shkak për qarkullimin dhe zgjerimin e pasurisë. Sepse kur shpenzohet diçka prej saj, qarkullimi i saj zgjerohet dhe përfitojnë shumë njerëz, ndryshe nga rasti kur ajo mbetet vetëm në duart e të pasurve dhe të varfrit nuk përfitojnë asgjë.

Të gjitha këto përfitime tregojnë qartë se zekati është një domosdoshmëri për reformimin e individit dhe shoqërisë.

Llojet e solidaritetit ekonomik

Dijetarët e ndajnë solidaritetin ekonomik në dy pjesë: material dhe shpirtëror.

Solidariteti ekonomik material: është ndihma me pasuri për ta ngritur të nevojshmin nga gjendja e varfërisë në gjendjen e “mjaftueshmërisë” ose “begatisë”. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu u ka bërë detyrim në pasurin e të pasur aq sa mjafton për të varfrit e tyre. Nëse të varfrit treten, lodhen apo mbeten të zhveshur, kjo është për shkak se të pasurit i kanë ndaluar (të drejtat e tyre). Allahu do t’i marrë në llogari për këtë Ditën e Kiametit dhe do t’i ndëshkojë me një ndëshkim të dhembshëm.” [E transmeton Taberaniu në “Es-Saghir”: 1/275, nr. 453, dhe gjithashtu në “El-Evsat”: 4/49, nr. 3579].

Solidariteti ekonomik shpirtëror: është ndihmesa, mbështetja dhe dashamirësia shpirtërore. Kjo shfaqet në shumë forma, si këshilla, miqësia, dashuria, mësimdhënia, ngushëllimi në pikëllime e të ngjashme.

Kuptimi i solidaritetit ekonomik përmendet qartë në shumë ajete kuranore dhe hadithe profetike. Allahu i Lartësuar thotë: ”Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni.” [El-Huxhurat: 10]. Dhe thotë gjithashtu: “ Dhe besimtarët e besimtaret janë miq të njëri-tjetrit… [Et-Teube: 71].

Po ashtu, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Besimtari me besimtarin është si ndërtesa, një pjesë e saj e forcon tjetrën.” – dhe ndërthurte gishtat e tij [Sahih Buhari, nr. 481]. Dhe ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe dhembshurinë e tyre është si trupi i vetëm: kur lëndohet një pjesë e tij, i tërë trupi reagon me pagjumësi dhe ethe.” [Sahih Buhari: 6011]. Dhe ai ﷺ ka thënë: “Asnjëri prej jush nuk beson vërtet, derisa ta dojë për vëllanë e tij atë që e do për veten e tij.” [Sahih Buhari: 13].

Kufijtë e solidaritetit ekonomik

Kufijtë e solidaritetit ekonomik arrijnë deri aty sa muslimani t’i japë vëllait të tij nevojtar në atë masë, që nëse zekati dhe sadakatë nuk mjaftojnë për ta ngritur nivelin e tij jetësor dhe për ta shpëtuar nga varfëria dhe nevoja, atëherë mbi ekonominë dhe shoqërinë islame, në tërësi, bie përgjegjësia që ta ndihmojnë dhe të bashkëpunojnë me të nëpërmjet mjeteve të ndryshme financiare, në mënyrë që gjendja e tij jetësore të arrijë në një nivel të denjë dhe të mirëqenë. Kështu ai do ta ndiejë veten si pjesëtar i vërtetë i këtij komuniteti, jo si i huaj apo i përjashtuar, dhe si një anëtar aktiv në shoqërinë islame, i cili ndihmon të tjerët në kohë varfërie dhe nevoje, ashtu siç ata e ndihmojnë atë kur bie në varfëri e vështirësi.

Për këtë dëshmojnë shumë argumente nga Kurani dhe Suneti. Allahu i Lartësuar thotë: “Që pasuria të mos bëhet monopol vetëm mes të pasurve prej jush [El-Hashr: 7]; që do të thotë se hyrja dhe qarkullimi i pasurisë duhet të jetë mes të gjithë individëve të shoqërisë islame, pa u kufizuar apo ndaluar vetëm tek persona ose grupe të caktuara, siç vepron sistemi kapitalist, i cili ua mohon pjesën tjetër të shoqërisë.

Po ashtu, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk më ka besuar mua ai që fle i ngopur ndërkohë që fqinji i tij është i uritur pranë tij, duke e ditur për atë gjendje.” [El-Albani – Sahih el-Xhami‘: 5505, sahih].

Dhe ka thënë ﷺ: “Nuk është besimtar ai që ngopet ndërsa fqinji i tij është i uritur.” [El-Albani – Sahih et-Tergib: 2562, sahih li gajrihi].

Po ashtu Profeti  ﷺ ka thënë : “Nëse në një vendndonjë njeri  gdhin i uritur në mëngjes, atëherë ata banorë e kanë humbur mbrojtjen e Allahut të Madhëruar.” [Imam Ahmedi në Musned: 8/482].

Të gjitha këto argumente dhe të tjera vërtetojnë garantimin dhe solidaritetin ekonomik pa kufi në ekonominë islame.

/Marr nga: thirrja.org/

Lexo më poshtë pjesen e parë👇

Zekati dhe sigurimi social në ekonominë islame (1)

Artikulli paraprakKur ekrani bëhet perandor
Artikulli tjetërDukuria e lypjes në mes nevojës dhe mashtrimit (1)