Ekrani i celularit… ah, ç’të them për ekranin që ndriçon natën, por errëson zemrën! Ai është një perandor i padukshëm që sundon mbi zemrat tona me dritën e tij të ftohtë. Të paktë janë ata që guxojnë të thonë të vërtetën për helmin e tij, ndërsa të shumtë ata që mbyllin sytë para zjarrit që përhap. Helmi i tij s’fshihet dot nga asnjë zemër e kthjellët, dhe e mohon vetëm ai që ia ka shitur shpirtin verbërisë.
Shkëlqimi i tij u përhap si një stuhi që nuk lë asgjë në këmbë: zemëroi Zotin tonë, gllabëroi vitet tona si një përbindësh i pangopur, na dogji gjuhën si zjarri që përpin pyjet, na këputi lidhjet e gjakut si një hanxhar i mprehtë. Shiti nderin tonë në tregjet e virtualitetit, çoi vajzat dhe djemtë tanë drejt një humbjeje që mbillet me duart tona, dhe pastaj u shfaq me një fytyrë të qeshur, si një gjarpër që të shikon ëmbël para se të të helmojë.
Ekrani (telefomi) përmbysi rendin e botës sonë, na e prishi fenë, na ndërroi busullën e jetës. Gruaja që dikur i rrinte pranë zjarrit duke përgatitur bukën dhe kujdesej për familjen, sot endet mes kanaleve dhe platformave si një fletë e humbur në erërat e acarta të internetit. Armiqtë e Allahut, që dikur kërkonin të na rrëzonin me ushtri e topa, sot hedhin shigjetat e tyre nga dritat e ekraneve (telefonave), ndërtojnë kurthe që s’duken, ndërsa ujqërit virtualë bëjnë festë mbi naivitetin tonë. Njëri e kafshon me një fjalë të ëmbël, tjetri e rrëmben me një koment të rremë, një tjetër e mbërthen me një premtim të artë. Dhe kështu telefoni i saj mbushet me zemra të kuqe, me foto që kalojnë nga duart e saj tek të huajt, e madje edhe tek “inteligjenca artificiale” që e vesh me fytyra e trupa që s’i përkasin, fytyra të huaja që rrjedhin nga perëndimi i humbur.
Dhe burri që kthehet nga puna? Ai nuk shikon më fëmijët, as gruan, as botën përreth. Ulet në kolltukun e tij, hap telefonin e tij dhe fillon të kullosë sytë e tij në foto, video, biseda boshe, cicërima pa kuptim dhe lajme që i helmojnë mendjen. Ai e ndien zemrën e tij të lidhur fort pas atij ekrani, si një rob që nuk sheh pranga, por nuk mund të ikë.
Nëse dikush i kërkon telefonin për ndonjë punë, ai fillon të dridhet si fajtor para gjyqit: belbëzon, pret, fshin biseda, shlyen gjurmë… E harron se mbi të është Një që e sheh edhe kur zemra e tij e fsheh nga bota: “Nuk ka bisedë të fshehtë mes tre vetave, veçse Ai është i katërti; as mes pesë, veçse Ai është i gjashti; as më pak se aq, as më shumë, veçse Ai është me ta kudo që janë.”
Këto ekrane na rrethuan, na pushtuan, na hipnotizuan. Asnjë sy nuk i lë telefonat as për një çast pa fjalëkalime e mbrojtje, sepse brenda tyre rrinë sekretet, mëkatet dhe frikërat tona.
Por rreziku më i madh nuk vjen vetëm nga dritat e tyre të ftohta; ai vjen nga zërat që, në emër të “të drejtave të gruas”, i fryjnë zjarrit të kësaj katrahure. Ata nuk kërkojnë dinjitetin e saj, por heqjen e çdo mbrojtjeje që Zoti ia dha. Nën flamurin e lirisë, i thërrasin të dalë nga dritarja e nderit për t’u hedhur në humnerën e pasioneve. Ata e duan të zhveshur shpirtin e saj, fenë e saj, modestinë e saj — që bota të bëhet një treg i hapur ku shiten zemra, e ku turpi quhet prapambetje…
Ah, sa zemra janë thyer, sa mendje janë verbuar, sa familje janë rrënuar nën dritën e këtij ekrani! Dhe ndërkohë, sa pak janë ata që morën prej tij diçka të pastër, diçka të dobishme, diçka që i afroi te Zoti…
/Pëshpëritje jetësore
Unejs Sheme/











