Zakonet njëminutëshe që të bëjnë të suksesshëm

Zakonet e vogla kërkojnë motivim dhe përpjekje minimale për t’u realizuar. Gradualisht, këto zakone të vogla do të krijojnë diçka më të madhe dhe më të mirë për ju dhe për qëllimet tuaja. Është njësoj si kur filloni të vraponi. Fillimisht, ju mund të jeni në gjendje të bëni vetëm disa qindra metra. Por, gradualisht, do ta shikoni veten duke marrë pjesë nëpër maratona.
Në përgjithësi, zakonet e vogla kanë aftësinë për të transformuar çdo aspekt të jetës tuaj. Dhe kjo sigurisht që vlen edhe për produktivitetin. Këtu janë disa zakone të vogla që mund të bëhen në rreth një minutë, por që do të rrisin produktivitetin tuaj me 100% me kalimin e kohës.

 

1. Lexoni 3 faqe të një libri përpara gjumit.

Ju nuk duhet të shtriheni në krevat me humor të keq. Ose, edhe më keq, pasi të keni mbushur trurin tuaj me ngarkesat e panevojshme që vijnë nga programet televizive. Po, është e kuptueshme që ju dëshironi të qetësoheni përpara se të shkoni në shtrat. Megjithatë, ajo që bëni përpara gjumit mund të ndikojë në mënyrën se si zgjoheni dhe si ndiheni gjatë gjithë ditës tjetër. Pra, cila është përgjigjja? Lexoni diçka emocionuese dhe frymëzuese. Idealisht, një biografi nga dikush që do ta konsideronit si heroin tuaj ose një mentor të mundshëm.
Duke qenë se duhen mesatarisht 1.7 minuta për të lexuar një faqe, nuk ka asnjë justifikim për të mos e bërë këtë ritual gjatë natës.

2. Fillojeni çdo ditë me fuqi dhe me qëllime.

Kur dëshironi të filloni një zakon të ri të shëndetshëm ose të dilni nga zona juaj e komfortit, pikë së pari ju nevojitet një qëllim i fortë për ta arritur këtë. Siç shkroi Wayne Dyer, autor i “The Power of Intention”, “Fuqia e qëllimit është fuqia për të manifestuar, për të krijuar, për të jetuar një jetë me bollëk të pakufizuar dhe për të tërhequr në jetën tuaj njerëzit e duhur, në momentet e duhura.” Në fakt, çdo veprim që ju bëni në jetë mund të udhëhiqet nga një qëllim. Për shembull, sa herë që hani, vendosni qëllimin për të ngrënë me kujdes. Ose, në vend që të fiksoheni te rezultati i dëshiruar i punës, ndjehuni të përqendruar që të ndiheni sa më të hapur në atë që bëni. Thjesht pyesni veten: “Çfarë synoj që të arrij?”

3. Respektoni rregullin e një minuti.

Në përgjithësi, nëse mund ta kryeni një detyrë në më pak se një minutë, bëjeni atë menjëherë. Për shembull, mund t’i përgjigjeni një emaili të shpejtë ose të planifikoni një takim. Gretchen Rubin, autore e “The Happiness Project” thotë se është një mënyrë e mirë për t’i mbajtur nën kontroll detyrat e vogla dhe të bezdisshme. Nëse keni shumë detyra të vogla ose keni probleme me ankthin, ky mund të ishte një zakon i dobishëm në përditshmërinë tuaj.

4. Çaktivizoni të gjitha njoftimet për të paktën një periudhë të caktuar kohe çdo ditë.

Kalimi nga një detyrë te tjetra nuk është diҫka aq e lehtë për trurin tonë. Pavarësisht nëse është një email apo një tekst, qoftë edhe një njoftim i vetëm mund t’ju largojë vëmendjen nga puna me deri në 40% të kohës së ditës. A mendoni se ia vlen vërtet që ta kontrolloni atë njoftim që ju erdhi? Ndoshta, nëse do të kishit kohë pa kufi, atëherë po, mund ta shikonit njoftimin. Fatkeqësisht, kjo nuk është realiste. Pra, nëse doni të ndihmoni veten dhe karrierën tuaj, duhet të fikni ҫdo ditë të gjitha njoftimet për të paktën një hapësirë kohore prej 2 deri në 4 orë.

5. Përpara se të thoni “po”, mendohuni.

Një pauzë e shkurtër jo vetëm që ju jep kohë, por gjithashtu ju mundëson që të vlerësoni se çfarë po ndodh realisht, duke bërë pyetje si:
• A ishte kjo një kërkesë? Apo ishte thjesht një sugjerim?
• Sa do të më kushtonte po të thoja “po”?
• A do t’i shërbejë kjo misionit tim apo a do të më afrojë me qëllimet e mia?
• A ia vlen ta vendos këtë në listën time të detyrave?
• A ka alternativa të tjera?
Zakonisht, ky proces qartëson mendimet tuaja dhe nuk ju lejon që të plotësoni menjëherë kërkesat e të gjithë njerëzve. Dhe, më e rëndësishmja, nuk ju lejon që të tejlodhni veten tuaj duke marrë përsipër ҫdo gjë.

6. Kufizoni numrin e vendimeve që merrni.

Marrja e shumë vendimeve e lodh trurin dhe shkakton lodhje. Ju mund ta menaxhoni energjinë tuaj duke bërë punët më të rëndësishme që në mëngjes. Një sugjerim tjetër do të ishte që të merrni më pak vendime. Përgjatë gjithë ditës, përdorni listat e detyrave për të shmangur vendimet e rastësishme. Në fund të fundit, listat na mbajnë të organizuar dhe të fokusuar. Më konkretisht, planifikoni vaktin që do të konsumoni ose rrobat që do të vishni të nesërmen, që një natë përpara. Gjeni mënyra për të automatizuar vendime të caktuara, si për shembull pagesat automatike të faturave për shpenzimet e rregullta.

Entrepreuner

Artikulli paraprakLamtumirë “laissez-faire”
Artikulli tjetërJa pse Zoom rrezikon të zhduket

Comments are closed.