Vullneti politik duhet konvertuar në investime

Komuniteti i sipërmarrësve shqiptarë dhe gjermanë duhet të përfitojë nga stadi aktual në marrëdhëniet mes dy vendeve, për ta përkthyer këtë në projekte dhe nisma konkrete dy- ose shumëplanëshe.
 
Me përshtypjet më pozitive nga Forumi i tetë Ekonomik Shqiptaro-Gjerman, që u mbajt të mërkurën në Tiranë, ku të ftuar specialë ishin Kancelarja Gjermane Angela Merkel dhe Kryeministri Shqiptar Edi Rama, presidenti i BiznesAlbania Luan Bregasi, thotë në një bisedë me Deutsche Welle-n, se ka më shumë ndërgjegjësim nga komuniteti i sipërmarrësve për të intensifikuar bashkëpunimin. Specifike sipas tij është dhe kooperimi i decentralizuar, duke u bazuar me landet gjermane, një përvojë që deri më tani ka treguar se funksionon shumë mirë. Bregasi konsideron si mjaft efektive zhvillimin e debatit sipas pikërëndesave që tërheqin aktualisht raportet ekonomike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë: infrastruktura dhe energjia, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, arsimi dhe financimi etj.
Shtysë për më shumë hapësira
Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, në bisedë me Deutsche Welle-n mendon se fokusi që i dha ekonomisë në agjendën e saj në Tiranë Kancelarja Merkel, është një shtysë për t’i dhënë më shumë hapësira investimeve nga Gjermania. Situata ku jemi duhet të kapërcehet, thotë ai, sepse vetëm po t’i hidhet një sy shifrave faktike të eksport – importit mes dy shteteve dallon lehtësisht se niveli politik i marrëdhënieve politike nuk korrespondon fare me nivelin ekonomik.
“Le të marrim konkretisht situatën e eksporteve që mbërrijnë në Shqipëri: Italia është në kuotën e 52%, Spanja, Kosova dhe Malta janë në shifër të njëjtë, 7%, ndërkohë që Gjermania vetëm 2.8% të eksporteve. Nga ana tjetër, po ti referohemi shifrave për shtetet kryesore që importojnë nga Shqipëria, kemi Italinë në vendin e parë me 30%, Greqia, Kina dhe Turqia me 7% dhe Gjermania mbulon vetëm 6% të importit shqiptar. Ne do të donim që Gjermania, si shteti me potencial jo vetëm në BE, por dhe në tregun ekonomik botëror dhe për shkak të rolit të saj shumë të rëndësishëm në Evropën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor, të jetë një nga partnerët kryesorë dhe me përqindje shumë më të madhe nga ajo që është aktualisht”.
Investitori gjerman është me skeptik se investitorët e tjerë të huaj
Duke bërë një bilanc të fushave ku janë përqendruar investitorët gjermanë në ekonominë shqiptare, Luan Bregasi rendit teknologjitë e komunikimit, transportin dhe logjistikën (aeroport/port), shërbimet financiare, infrastrukturën (pronat e zyrës), prodhimit të materialeve të ndërtimit, prodhimit të tekstilit, farmaceutike, prodhimin e qumështit, teknologjisë mjekësore dhe prodhime kablo elektrik etj.
“Partner kryesor të eksporteve shqiptare janë vendet e BE me 78% të totalit, ku Italia, siç e përmenda zë rreth 50% të tyre, kryesisht në sektorin e tekstileve dhe këpucëve. Por dhe firmat tekstile gjermane që kërkojnë standarde të larta në prodhimin e tekstileve, janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për Shqipërinë, sepse kompanitë shqiptare kanë zgjeruar kapacitetet dhe teknologjine e tyre dhe në 5 vitet e fundit kanë bërë progres te rëndësishëm me konkurrencën. Kjo vlen edhe për fushat e industrisë së lehtë, metalin apo mallrat plastikë.”
Duke shikuar profilin e kompanive e firmave gjermane në Shqipëri, Bregasi thotë 90% e tyre operojnë në sektorin e shërbimeve. Pesë investitorët më të mëdhenj gjermanë janë: Albanian Mobile Communication, AMC, me një kapital prej rreth 530 milionë Euro, ku 97,21% është Telekomi Gjerman; Tirana International Airport, me rreth 80 milion Euro; Parku i Biznesit në Tiranë, në fushën imobiliare me rreth100 milionë Euro, ku 100% është Lindner GmbH; ProCredit Bank me 35 milionë Euro asete me 100% ProCredit Holding dhe kompania Lufthansa në fushën e transportit ajror.
“Gjermania e ka ndihmuar Shqipërinë në shumë forma në rrafshin bilateral me projekte dhe programe për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë shqiptare, në rritjen e kapaciteve të administratës shqiptare, etj., por dhe donator kryesor në kuadër të asistencës se BE. Duhet thënë se politika gjermane është shumë e ndjeshme kur i orienton bizneset në vende të ndryshme si Shqipëria. Ashtu siç u përmend dhe gjatë forumit ekonomik, Gjermania kërkon një klimë më të mirë për kompanitë e saj. Shqipëria akoma vuan nga një ekonomi informale, me çështja të pazgjidhura të pronës, mungesë të infrastrukturës së përshtatshme, korrupsioni, etj. Po punohet në këto drejtime, por sigurisht kërkohet kohë, sepse investitori gjerman është me skeptik se investitorët e tjerë të huaj.”
Nisma për zejtarinë dhe arsimin profesional
BiznesAlbania, si organizatë punëdhënësish, është anëtare me të drejta të plota e Organizatës Botërore të Punëdhënësve, IOE, në Gjenevë, si dhe aderon dhe në BusinessEurope, e cila mbron të drejtat e punëdhënësve të BE-së.
“Me këtë status dhe dinamikë në marrëdhëniet me jashtë, kemi partneritet dhe me organizata dhe subjekte nga Gjermania. BiznesAlbania punon me Dhomën e Zejtarisë të Koblenz-it dhe tani së bashku dhe me Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë kemi përgatiur project-ligjin mbi Dhomën Kombëtare të Zejtarisë në Tirane. Sapo ligji të aprovohet nga parlamenti shqiptar ne muajin shtator së bashku me Dhomën e Koblenz-it do të fillojmë implentimin e këtij ligji” thotë Bregasi për Deutsche Welle-n.
Duke qenë se asistenca gjermane në vitet e fundit ka qenë më atraktive në fushën e arsimit profesional, BiznesAlbania ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me DEKRA Akademie në këtë fushë, për realizimin e sistemit dual gjerman në sektorin e turizmit. Bregasi tregon se tani gjatë verës do të përfundohet me kurrikulat dhe janë marrë të gjitha masat që të fillojë në muajin shtator./dw
Artikulli paraprakTurqia rrit 7 herë shkëmbimet tregtare me vendet arabe
Artikulli tjetërKosova as sivjet nuk e siguron bukën e motmotit, importon nga Serbia