VRITE FJALËN ME VEPËR!

Lëri punët e tua të flasin për ty, ndërkohë ti vetë, vëri dry gojës!
Mos hidh fjalime në tubime duke folur për të arriturat e tua, titujt, diplomat, epërsitë dhe mirënjohjet që të janë dhënë. Sepse do të takohesh me përgënjeshtrues dhe ziliqarë, do të jesh i ironizuar dhe i përbuzur. Por, prezanto dije të unifikuar, edukatë të lavduar, kreativitet të shkëlqyer që i kënaqin sytë e shikuesve. Jep shembull të gjallë, me jetë dhe me frymë, nëpërmjet moralit tënd të lartë, atributeve tua të respektuara. Ato, në të vërtetë, janë dëshmia jote më e madhe që dëfton për piedestalin tënd.

Dështakët janë njerëzit që kanë më shumë fjalë dhe pak punë, flasin për projekte dhe plane iluzioniste, arritje ëndërrimtare që nuk prekin fushën e realitetit, në mënyrë që të fitojnë admirimin e të tjerëve. Ndërsa, në të vërtetë ata s’fitojnë gjë tjetër veç nënçmimin!

Sikur të mjaftonte vetëm kjo, por ata baltës i gjuajnë baltë, shpërndajnë kudo që shkojnë fjalë fëmijësh dhe thashetheme, e shtyjnë jetën me fjalë pafund. E lënë përveshjen në oqeanin e fjalëve. Shoqërisë së tyre nuk i dhanë gjë tjetër pos ujit që nuk shuan etjen e as’heq papastërtitë.

Kur njerëzit e suksesshëm ofrojnë rezultate fantastike e magjepsëse, bëjnë që të gjithë shikimet të kthehen nga ata dhe të mbeten tek ata. Ta rrëmbejnë simpatine, nxisin duartrokitjen, ndezin dritat dhe lënë njerëzit gojëhapur.
Gjendja më e rëndë mendore është kur njeriu lirohet nga puna, sepse ai atëherë ngjan si vetura që ecë shpejt pa shofer në drejtim të greminës dhe në fund përplaset trishtueshëm.

Ki kujdes lexues i dashur, hiq dorë nga fjalët që nuk sjellin vepra, menjanohu kohës që kalon bosh ku zihen dhe piqen thashethemet dhe muhabetet që rëndojnë shpirtin, që e prishin rehatinë. Motivo vetveten për t’u zgjuar e ngritur për të bërë vepra të frytshme e të lavdishme. Mos ri i varur për litarin e kotësisë apo ta persekutosh frymën tënde, duke ndjekur të mirat dhe të këqijat e dunjasë.

Ngrihu, tani, menjëherë, shfleto, lexo, shkruaj, bëj dhikr, fali dy rekate, përmende Zotin, rendite bibliotekën tënde ose pastro dhe ndrysho pamjen e shtëpisë. Ofroj tjetrit ndonjë dobi që ta kapërcesh zbrazëtinë që nuk është më pak se një ferr.

Jeta nuk i njeh e as i përmend ndonjëherë njerëzit e kotit, të rraskapiturit në qefinët e tyre, por ajo i bën shembull mendjendriturit punëtorë; ata që ngjiten në shkallët e lavdisë shkallë pas shkalle; ata që lënë mesazhin e tyre në jetë: ata që përpiqen për ta plotësuar strukturimin dhe krijimin e tyre; ata që kërkojnë meritën dhe të drejtën; ata që i përgjigjen me plot entuziazëm dhe vullnet pyetjes hyjnore:
“A mos mendon njeriu se do të lihet pa përgjegjësi?” (Kijameh: 36).
Atëherë mbyll gojën dhe vepro.
Nxirr në dritë orvatjet e tua të mishëruara me sukses. Shkrije energjinë pozitive, digje energjinë negative dhe do të shohësh se si ndërgjegjet e gjalla të ftojnë dhe vlerësojnë veprat e tua fisnike. Ndërsa njerëzit janë dëshmitarët e Allahut në tokë. Thuaji çdo smirëkeqi:
“Përgjigja është në atë që sheh, pa dëgjuar gjë nga goja ime.”

Çelësi i Suksesit nga Aid El Karni | Përktheu Agron Islami

Artikulli paraprakAtëherë kur shpirtrat janë të mëdhenj
Artikulli tjetërI SUKSESSHMI NUK PRET RRETHANAT