Të enjten e 1 korrikut, vendet e Ballkanit do nuk do të përdorin më Roaming. Shtetet Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë, që janë pjesë e marrëveshjes, do të mund të komunikojnë pa kosto shtesë dhe me të njëjtat tarifa kombëtare.
Qëllimi i kësaj marrëveshje është lehtësimi i komunikimit për turistët dhe individët në marrëdhënie pune brenda rajonit. Kjo marrëveshje nisi që nga viti 2019, pjesë e një programi të Bashkimit Europian.
Në fillim të këtij muaji, Këshilli Drejtues i AKEP miratoi edhe rregulloren që i hap rrugën heqjes përfundimtare të këtyre tarifave. Rregullorja përcakton se operatorët celularë duhet të ofrojnë shërbime të rregulluara roaming me pakicë, sipas çmimeve përkatëse brenda vendit për pajtimtarët e tyre, të cilët zakonisht janë rezidentë në Shqipëri, në kohën që ata udhëtojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo vlen edhe për njësitë e komunikimit të paketave ofertë, që përdoruesit do të vazhdojnë t’i përdorin lirisht edhe në roaming.
Rregullorja e AKEP përcakton edhe metodologjinë e vlerësimit në rastet kur operatorët celularë mund të kërkojnë zbatimin e një tarife shtesë në roaming. AKEP mund të pranojë vendosjen e një tarife shtesë në roaming vetëm në rastet kur humbjet në roaming tejkalojnë 3% të fitimet nga shërbimet celulare të operatorit aplikues.