Turqia është zotuar të dërgojë drithëra dhe plehra bujqësore në vendet më pak të zhvilluar dhe në vendet në zhvillim, veçanërisht në Afrikë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke kërkuar për të ndërmarrë hapa solide që drithërat dhe plehrat bujqësore të dërgohen në vendet e pazhvilluara, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Turqia dhe Rusia kanë arritur një konsensus për përdorimin më të madh të korridorit të drithërave në Detin e Zi, veçanërisht për ata në nevojë në Afrikë.
Duke folur në një EXPO të Shoqatës së Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur (MÜSİAD), presidenti Erdoğan tha se homologu i tij rus, Vladimir Putin, u pajtua për të dërguar drithëra pa pagesë në vendet në nevojë.
“Gjatë bisedës sonë me zotin Putin, ai tha ‘le të dërgojmë drithëra pa pagesë në vende si Xhibuti, Somalia dhe Sudani’. Në këtë, ne ishim në të njëjtin mendim. Ne do të sigurojmë që anijet me drithëra të arrijnë në çdo vend në nevojë, duke filluar nga Somalia, Xhibuti dhe Sudani, të cilat po luftojnë me një krizë të rëndë ushqimore dhe të urisë”, tha Erdoğan.
Presidenti turk po ashtu kritikoi mentalitetin që e percepton Evropën si “kopsht” dhe pjesën tjetër të botës si “vend i shkretë”.
“Ne nuk presim që ata që kryejnë kolonializëm duke përdorur mënyra dhe metoda të reja të mbajnë një qëndrim të ndërgjegjshëm ndaj krizave”, u shpreh ai.
Turqia, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukraina në muajin korrik nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave përmes Detit të Zi, që u ndërprenë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin shkurt.
Të shtunën e kaluar, Rusia njoftoi se do të pezullojë pjesëmarrjen e saj në marrëveshje për shkak të, siç pretendonte Moska, sulmit ukrainas ndaj flotës së saj të Detit të Zi në portin e qytetit Sevastopol. Rusia u kthye në marrëveshje të mërkurën pas një telefonate midis presidentëve Erdoğan dhe Putin.
Deri më tani përmes marrëveshjes historike të Istanbulit janë transportuar mbi 10 milionë tonë drithëra./AA/
Comments are closed.