Gjatë vitit 2021, Huawei jo vetëm do të humbasë pozicionin e tretë në klasifikimin e shitjes së smartphoneve, por është i destinuar të dalë edhe nga radhët e gjashtë prodhuesve të parë globalë.
Mbi këtë rëndon, pa dyshim, shitja e degës Honor, kushtuar smartphoneve me kosto të ulët, e bërë e nevojshme nga shtrëngimi i kushteve të SHBA-së. Ky është përfundimi i raportit të TrendForce, shoqëri kërkimesh dhe analizash për tregun, e përqendruar te sektori teknologjik. Në vitin 2020, kompania kineze shiti 170 milionë smartphone, duke zënë 30% të tregut në fushën e pajisjeve 5G.
Në raport lexohet se është e parashikuar një rënie drastike në vitin 2021, për shkak të ndërprerjes me divizionin low cost, që këtë vit funksionon në mënyrë të pavarur. TrendForce parashikon që Samsung, Apple, Xiaomi, Oppo, Vivo e Transsion do të jenë gjashtë prodhuesit e parë të smartphone në vitin 2021, duke përfaqësuar 80% të tregut global. Huawei, në këtë pikë, duhet të renditet i shtati, pa marrë parasysh të gjitha pasiguritë e shkaktuara nga pandemia.
TrendForce saktëson që për shkak të ndikimit të Covid-19, prodhimi global i smartphoneve është ndalur në 1,25 miliardë njësi në vitin 2020, duke shënuar një rënie rekord prej 11% me bazë vjetore. Gjashtë kompanitë e smartphoneve renditen në bazë të volumit të prodhimit për 2020 si më poshtë: Samsung, Apple, Huawei, Xiaomi, Oppo e Vivo.
Duke parë në tërësi vitin 2021, TrendForce beson se tregu global i smartphoneve do ta marrë veten gradualisht, ndërkohë që njerëzit do të përshtaten me “normalitetin e ri” të shkaktuar nga pandemia. Ndër të tjera, ky vit do të shohë një rritje relativisht të fortë të kërkesës për zëvendësimin e pajisjeve, si dhe një rritje të kërkesës në tregjet në zhvillim. Duke supozuar se këto kushte do të konkretizohen, pritet që prodhimi global vjetor i smartphoneve për 2021 të rritet me 9% në 1.36 miliardë njësi.
Megjithatë, siç u theksua, emergjenca shëndetësore do të mbetet pasiguria më e madhe në projeksionet e prodhimit, pasi do të vijojë të ushtrojë një ndikim të rëndësishëm në ekonominë globale. Përveç pandemisë, ecuria e markave të smartphoneve gjatë 2021 mund të ndikohet edhe nga paqëndrueshmëria gjeopolitike dhe mungesa e kapacitetit të prodhimit në dispozicion në tregun e gjysmëpërçuesve.
E ardhmja e tregut 5G
TrendForce guxon të bëjë parashikime edhe mbi shkallën e penetrimit të smartphoneve 5G, që duhet të rritet me 37% në vitin 2021, ndërkohë që prodhimi do të jetë ende i kufizuar për shkak të kapacitetit të limituar të impianteve. Falë edhe nxitjes aggresive të qeverisë kineze për komercializimin e 5G në vitin 2020, prodhimi global i smartphoneve 5G arriti në rreth 240 milionë njësi, me një shkallë penetrimi 19%, ku markat kineze përfaqësojnë rreth 60% të tregut.
Ndërsa 5G do të mbetet një temë e rëndësishme në tregun e smartphoneve këtë vit, vende të ndryshme do të rinisin të ndërtojnë infrastrukturën 5G dhe prodhuesit e procesorëve do të vijojnë të prezantojnë chip 5G të fashës së ulët dhe të mesme. Kjo është arsyeja se pse shkalla e penetrimit të smartphoneve 5G do të shënojë një rritje të shpejtë, duke arritur prodhimin vjetor me rreth 500 milionë njësi.