Tregu i gjelbër, i vetmi vend tregtimi që po i bënë sadopak ballë shfrenimit të çmimeve

Në tregjet e gjelbra, anembanë Kosovës, çmimet kanë lëvizur, por me njëfarë mase dhe te shumë produkte me një përqindje gati të pavërejtshme.

Në dhjetëditëshin e parë të këtij muaji, më saktësisht më 9-10 dhe 11 mars, në Kosovë ndodhi shfrenimi i çmimeve në përmasa të paimagjinueshme. U ngritën çmimet e shumicës absolute të produkteve, e sidomos të mallrave bazike ushqimore në nivele rekorde dhe ndër më të lartat në rajon dhe në botë.

Çmimi i vajit ushqimor shkoi në stratosferë, duke kushtuar një litër madje 3, 49 euro, çmim ky disa herë më i lartë sesa, bie fjala në Gjermani, Francë, në Britaninë e Madhe e shumë vende të tjera perëndimore me standard dhe paga shumëfish më të larta se në Kosovën e varfër. I gjithë ky shfrenim i paparë çmimesh, siç u tha, por edhe siç u dëshmua nga kontrollet e ndryshme të inspeksionit, u nxit dhe u provokua nga tregtarët, por edhe nga disa prodhues shqiptarë të Kosovës, përfitues të situatave të krizës më së shumti, manipulues dhe keqpërdorues të egër. Këta manipulues dhe shfrytëzues situatash tash, pak a shumë dihen, dhe siç po thuhet nga zyrtarët, janë nën llupën e inspektimeve të vazhdueshme.

Megjithatë, edhe në këtë kohë krize të rëndë reale, e shkaktuar kryekëput nga lëkundja e vrullshme dhe brenda natës e çmimeve, në shumicën e qendrave anembanë Kosovës pati disa vende tregtimi, që qoftë për shkak të tregtarëve që dëshmuan ndershmëri, qoftë për shkak të ofertës më të shumtë të mallrave të ndryshme ushqimore, sidomos të atyre bujqësore e perimtare, pati njëfarë stabiliteti çmimesh. Këto vende ishin tregjet e gjelbëra, ku çmimet lëvizën, por me njëfarë mase dhe te shumë produkte me një përqindje gati të pavërejtshme.

Ky trend i ngritjes së çmimeve në tregun kryesor të gjelbër të kryeqytetit, te ambientet aktuale të RTK-së, ka vazhduar edhe ditëve të fundit. Të mërkurën dhe të enjten, nga një vizitë e bërë nga Buletini Ekonomik, shihet se çmimet e shumicës së pemëve, por edhe perimeve, janë përafërsisht ato që kanë qenë që nga muaji i kaluar.

Përjashtim bënë, mielli i misrit, i cili është ngritur ndjeshëm dhe tani një kilogram në këtë treg kushton 1 euro, që karshi çmimit të para një muaji që shitej me 70 e 80 cent, i bie që është shtrenjtuar goxha shumë. Tregtarët çmimin e ngritur të miellit të misrit e shpjegojnë shkurt me mungesë të misrit në Kosovë.

”S’ka misër, ose tani ka fare pak në hambarët e kosovarëve, prandaj ka ndodhur ky shtrenjtim”, thotë një tregtar i rregullt i këtij tregu, që e preferon anonimitetin.

Ndërkohë, çmimet e tjera pak a shumë silleshin atypari me ato të para disa javëve, e mbase edhe muajve. Mollët, që gjindeshin me shumicë dhe në shtande të shumta, tregtohen me 50 centë kilogrami për vendorët, ndërsa mollët nga importi, që në pamje të parë dukeshin goxha më cilësore kishin çmimin 80 centë. Një tjetër produkt që për nga sasia e madhe ishte spinaqi, çmimi i të cilit për një kilogram kushtonte 50 centë. Pastaj, qepët, shumë cilësore, kushtonin 50 centë kilogrami, çmim ky që vëzhguesit e vëmendshëm, e vërejnë që nuk ka lëvizur që moti, thuaja që nga vjeshta e vitit të kaluar.

Poashtu, edhe çmimi i fasules ishte përafërsisht i mëparshmi. Një kilogram fasule nga importi shitej 2,5 euro, ndërsa vendori shitej me 4, por edhe me 5 euro. Një lakër e re në tregun e gjelbër të Prishtinës kushtonte 80 centë kilogrami, por tregtoheshin edhe me copë.

Frutat poashtu tregtoheshin me çmimet që kanë dominuar në njëfarë mënyre këta muaj. Kështu, 1 kilogram banane kushtonte nga 1 deri në 1.30 euro, varësisht nga cilësia, ndërsa portokalli shumë cilësorë me orgjinë nga Turqia, tregtohej me 80 centë për kilogram, por kishte edhe 70 dhe 60 centë.

Kurse, sallatat e reja shiteshin me çmimin e kahmotshëm, thuaja tradicional, 30- 40 centë copa.

Tregu i gjelbër i kryeqytetit të mërkurën dhe të enjten dominohej edhe nga preshi, qepët e reja, speci dhe domatja, që thuaja tregtoheshin me çmimet e disa ditëve më parë. Sipas tregtarëve të kahmotshëm që tregtojnë në këtë treg, këto çmime janë rrjedhojë e daljes në treg të shumë produkteve vendore, por edhe atyre nga importi, që me kohë janë importuar me shumicë dhe akoma ka në depot e mëdha të vendit. Me një fjalë, sipas tyre, ka ofertë të bollshme, dhe me çmime për rrethanat aktuale goxha të pranueshme, por shitje ka gjithnjë e më pak si pasojë e rënies së fuqisë blerëse të kosovarëve dhe varfërimit gjithnjë e më të madh të tyre për shkak të ecurive zhvillimore në vend, por edhe atyre globale./Buletini Ekonomik/

Artikulli paraprakIdetë kryesore nga libri “To-Do List Formula” – Damon Zahariade / PJESA E PARË
Artikulli tjetërBanka Qendrore e Turqisë mban të pandryshuar normën e interesit