Të ndryshuarit nga … në
Njohja e vetes është njëri nga llojet më të rëndësishme të ndërgjegjësimit. Të zbuluarit e anëve pozitive dhe negative të vetvetes është më e rëndësishme sesa zbulimi i tërë botës.
Shumë njerëz ëndërrojnë të bëjnë progres drejt më të mirës, mirëpo nuk i njohin fanarët që e ndriçojnë rrugën e tyre. Ata nuk i njohin gjërat që duhet t’i largojnë nga shprehitë e tyre të këqija. Kjo do të thotë se njohja e vetes është poshtë nivelit të kërkuar.
Ata të cilët vuajnë më së shumti si rezultat i kësaj janë dy lloje njerëzish:
Lloji A: Njerëzit të cilët janë shumë pak të arsimuar dhe të edukuar. Horizontet dhe aspiratat e tyre mbeten të limituara ose materialiste. Për shkak të diturisë së vogël që e kanë marrë, ata përdorin vetëm mënyra të vjetruara për të arritur atë që e dëshirojnë.
Qasjet e tyre janë gjithashtu të vjetruara.
Lloji B: Njerëzit të cilët jetojnë në mjedise të shkatërruara nën kushtet e varfërisë, injorancës dhe depresionit. Për këtë lloj njerëzish, edhe nëse kanë arritur një dituri të madhe, mundësitë e tyre mbeten të limituara ose të pakta. Ata shpesh e gjejnë veten duke jetuar nën tradita, shprehi dhe zakone që i tërheqin drejt prapambeturisë.
Në vijim dëshiroj t’i shqyrtoj disa pika të cilat do t’i ndihmojnë përpjekjet dhe aktivitetet tona drejt ndryshimit. Kam përzgjedhur tre ndihmës të rëndësishëm për ndryshim. Ato janë tre nivele themelore të ndryshimit. I pari është niveli personal, i dyti niveli shoqëror, ndërsa i treti niveli profesional.
Niveli personal
1. Nga mungesa e vetëdijesimit në vetëdijesim
Ne e dimë se jemi këtu në këtë botë për një mision shumë të rëndësishëm, misioni i adhurimit të Allahut të Madhërishëm dhe i afrimit me Të. Ne po ashtu e dimë se të gjitha aktet e adhurimit në Islam synojnë të arrijnë një parim esencial p.sh. të thellojnë kuptimin e të qenurit robi i Allahut të Madhërishëm dhe të forcojnë lidhjen me Allahun.
Çdo akt i adhurimit që nuk reflekton pozitivisht në këtë lidhje është thjesht një akt i zbrazët dhe i pakuptimit i adhurimit. Nëse ndonjë vepër e adhurimit nuk i forcon, përmirëson dhe thellon lidhjet me Allahun, atëherë një akti i tillë i adhurimit nuk do t’i japë frytet e pritura. Për shembull, nëse sigurohemi që të jemi plotësisht të vetëdijshëm që të kemi qëllimin e mirë para se të bëjmë diçka në jetë, qoftë ngrënia e ushqimit, qoftë kënaqja me pijet e ndryshme të lejuara, apo të fjeturit dhe praktikimi i sporteve të dobishme që forcojnë trupin tonë që të jemi më të mirë në aktet e adhurimit ndaj Allahut etj., kemi arritur përfitimet e kërkuara dhe veprat tona nuk do të shkojnë huq. Për më tepër, përmendja e shpeshtë e Allahut në vetmi dhe në publik, lavdërimi i Tij, lutja e Tij dhe shfaqja e përuljes dhe nënshtrimit duke i kërkuar ndihmë dhe duke u mbështetur tek Ai do ti ndihmojë individit të jetë më i përqendruar në adhurimin ndaj Allahut.
Një praktikë e mirë është që për çdo gjysmë ore të ndalemi një minutë për të medituar rreth madhështisë së Allahut, ta lavdërojmë dhe ta falënderojmë dhe ta përmendim e ta kujtojmë në të gjitha format që kemi mësuar. Ky minutë do të bëjë gjuhën tonë të lagur në përmendjen e Allahut, ndërsa zemra, mendja dhe jeta jonë, do të gjejë lumturi dhe shpirti ynë do të gjallërohet. Nganjëherë mund të gjesh njerëz, të cilët flasin për Islamin dhe virtytet e tij për të tjerët, mirëpo nëse i shikon zemrat e këtyre njerëzve do t’i gjesh të pavëmendshme ndaj Allahut, Prandaj nëse dikush kalon nëpër një gjendje të tillë, ai mund të thotë fjalë të vërteta për Islamin, mirëpo nuk i ndjen ato.
Të qenurit të vetëdijshëm për Allahun, për diturinë e Tij të hollësishme për neve dhe veprimet tona dhe të ndierit se Ai është me ne çdo kund me diturinë e Tij është shumë e rëndësishme për t’i pëmirësuar fjalët dhe veprimet tona. Është me rëndësi që në
vazhdimësi ta rifreskojmë këtë ndjenjë.
2. Nga plogështia në arritje të larta
Nganjeherë çdonjëri prej nesh ka një sasi të plogështisë dhe mungesës së produktivitetit. Përveç kësaj, ne kemi dëshira të ndryshme për t’i imituar të tjerët dhe për të jetuar në hijet e tyre.
Është e vërtetë se kur jeni të plogësht e çmoni më pak potencialin tuaj. Ky është një fakt i rëndësishëm për shumë njerëz. E them me plot bindje se shumica e njerëzve janë njerëz të rëndomtë. Njerëzit e shquar dhe të suksesshëm nuk përbëjnë më tepër se 10% të numrit total të tyre, ndërsa ata më të suksesshmit janë më pak se 1% e popullatës. Natyrisht se këto përqindje varijojnë në masë të madhe nga një shtet në tjetrin. Mirëpo, jam i sigurt se njerëzit që jetojnë në mjedise të ngushta dhe në komunitete të mbyllura, si për shembull në fise ose kabile, janë pak a shumë pasues dhe imitues të kryetarit të kabiles ose fisit.
Shpirti i arritjeve të larta dhe shpikjeve është i limituar në mesin e tyre. Një poet arab i kohës para Islamit kishte thenë: “Unë jam një anëtar i fisit Gazijeh. Nëse fisi më devijon, unë do të veproj njëjtë dhe nëse fisi im ndjek rrugën e drejtë, edhe unë ashtu do të veproje.”
Megjithatë është e mundur që secili prej nesh të gjej veten në mesin e pionierëve, të cilët udhëheqin dhe kanë ndikim te të tjerët.
Është e mundur që jetës t’i shtohen shumë gjëra të bukura dhe të mrekullueshme, ndonëse kjo kërkon një numër ndryshimesh në nivelin intelektual, shpirtëror dhe të sjelljes. Dëshiroj t’i nxjerrë në pah disa nga këto ndryshime nëpërmjet pikave vijues:
A. Zvogëlo varësinë nga të tjerët
B. Ruaju nga absorbimi shoqëror
C. Të kesh aspirata të larta
D. Nuk ka arritje të larta pa iniciativë
E. Karakteristikat dhe aspektet e pionierëve
a. Zvogëlo varësinë nga të tjerët
Le të përpiqet secili prej nesh të bëjë të pamundurën që t’i kryejnë detyrat e tyre vetë. Le të zvogëlojnë mbështetjen te të tjerët sa më shumë që është e mundur. Kjo natyrisht paraqet hapin e parë në rrugën e daljes nga plogështia. Jam i sigurt se shumica prej nesh i kujtojnë kushtet e besatimit ndaj të Dërguarit a.s. Ai mori besën nga disa shokë të tij që të mos u kërkonin të tjerëve, të mos kërkonin ndihmë prej njerëzve për gjëra që mund t’i bënin vetë. Ata iu pëmbajtën kësaj plotësisht. Edhe nëse ndonjërit prej tyre i binte kamxhiku nga dora kur ishte mbi kafshën kalëruese, ai zbriste nga kafsha e merrte atë dhe hipte përsëri, pa i kërkuar dikujt që t’ia jepte kamxhikun.
b. Të kesh kujdes nga absorbimi shoqëror
Trendi i përgjithshëm në shoqërinë e sodit nuk është trendi më i mirë që ndoshta do të duhej të ishte. Prandaj, duhet të krijohet një zonë tampon midis vetvetes dhe asaj që pjesa tjetër e njerëzve në shoqëri e veprojnë sa u përket brengave, aspiratave, qëndrimeve, sjelljeve, etikës dhe shprehive. Kjo zonë tampon është me rëndësi për të mbajtur shpirtin e njeriut nga zhytja e vetes në atë që nuk është e dobishme. Gjithashtu është me rëndësi të praktikohet ajo që quhet privatësi personale, e cila është parakusht për të qenë pionierë.
Pionieri është përpara njerëzve të tjerë në vetëdijen e tij, vizionin dhe vendosmërinë.
I Dërguari i Allahut e theksoi këtë koncept në fjalët e tij:
“Le të mos bëhet ndonjëri prej jush thjesht një pasues dhe imitues. Nëse të tjerët veprojnë mirë, ai të veprojë njëjtë. Nëse të tjerët veprojnë keq (dhe i bëjnë padrejtësi shpirtrave të tyre) ai vepron njëjtë. Mirëpo, jini të përgatitur të veproni mirë. Nëse të tjerët veprojnë mirë dhe nëse të tjerët veprojnë keq, jeni të përgatitur të jini të drejtë ndaj të tjerëve.”
Përgatitja e vetes për të ndryshuar nga ajo që është rëndomë e përhapur në mesin e njerëzve në shoqëri, do të thotë përfitimi i shprehive të reja në të menduar dhe formimi i një vizioni të qartë si dhe komunikimi me të tjerët. Të gjitha këto gjëra janë një lloj i ndryshimit.
c. Aspiratat e larta
Një person nuk do të ketë mundësi të transformohet nga gjendja e plogështisë dhe paaftësisë për të bërë diçka në një gjendje të të arriturave të larta dhe të qenurit përpara të tjerëve përveç se nëpërmjet pasjes së disa aspiratave dhe pritjeve që janë më të përparuara sesa ajo që gjendet në mjedisin në të cilin jeton. Aspiratat e njerëzve në realitet formulojnë një pasqyrë të vizionit të tyre për jetën. Ato gjithashtu formulojnë një pasqyrë të arsimimit që e kanë marrë, potencialin që e posedojnë dhe rrethanat në të cilat jetojnë. Kur të gjitha situatat janë të mira dhe prosperuese, aspiratat e njerëzve shtohen dhe lulëzojnë.
Pionierët e vërtetë, janë ata të cilëve u lulëzojnë dhe u rriten aspiratat gjatë rrethanave të vështira dhe të rënda.
Ata refuzojnë t’i nënshtrohen rrethanave të vështira. Ndoshta ata gjithashtu shohin mundësi që të tjerët nuk i shohin. Allahu e meshiroftë Omer bin Abdul-Azizin, halifin e muslimanëve, i cili kishte aspirata të larta, përpjekje dhe punë të zellshme. Ai ka thënë
“Unë kam një shpirt kureshtar dhe pyetës. Sa herë që atij shpirti i jepet një gjë e kësaj bote, ai dëshiron atë që është më e mirë sesa ajo.
Kur shpirtit iu dha ajo që është më e mira në këtë botë, lidershipi, ndaj të gjithë njerëzve, ai dëshirojë diçka më të mirë, Xhenetin.”
Vlen të përmendet se të githa aspirata duhet të jenë të lejuara, pra arritja e aspiratave tona duhet të na afrojë tek Allahu, përndryshe ne jemi humbës.
d. Nuk ka arritje të larta pa iniciativë
Posedimi i një shpirti të iniciativës është parakusht për të realizuar arritje të lartë. Shumica e njerëzve frikësohen nga pranimi ose diskutimi i ideve dhe projekteve të reja. Ata nuk dëshirojnë të dëgjojnë rreziqet e mundshme që lidhen me ato projekte dhe të cilat vijnë si rezultat i tyre ose ndoshta nuk dëshirojnë të prishin rehatinë e jetesës nën hijen e të tjerëve. Përveç kësaj, disa njerëz mendojnë se ata janë të paaftë të kenë iniciativat e tyre dhe ndiejnë se ekzistojnë njerëz të tjerë, të cilët janë më të vlefshëm për të mbushur ato role të rëndësishme.
Për të pasur një shpirt të iniciativës kërkohet që të pranojnë të marrim një rrugë të re, të ndryshme nga ajo që njerëzit zakonisht e marrin. Ajo gjithashtu kërkon të gjenerojnë ide dhe koncepte inteligjente që hapin fusha të reja për praktikë dhe punë.
Për më tepër, ne duhet të kemi një entuziazëm të vërtetë, të palimituar për t’i mbushur të gjitha zbrazëtirat që mund ta ndihmojnë Umetin.
Ne duhet të vazhdojmë të propozojmë, të paraqesim dhe të prezantojmë kornizën e projekteve të reja. E tërë kjo është e mundur kur të shikojmë përvojat dhe eksperimentet e të tjerëve në të njëjtat fusha dhe të bindemi se ka vend për iniciativë për të gjithë njerëzit.
e. Karakteristikat dhe aspiratat e pionierëve
Ekzistojnë shumë njerëz që pretendojnë se janë pionierë dhe madje i kërkojnë të drejtat e tyre te njerëzit nga pozita e pionierëve.
Megjithatë, nëse i shikoni të arriturat e tyre praktike mund të zhgënjeheni. Në realitet të jesh pionierë nënkupton të ndikosh dhe të kesh rezultate. Pra, ndikimi yt duhet të ndihet te të tjerët dhe ti duhet të jesh përpara të tjerëve në shquarsi. Disa nga sugjerimet për të qenë pionierë janë:
Krijimi i një grupi të davetit për t’i ftuar të tjerët në fenë e Allahut Fuqplotë ose krijimi i një grupi intelektual, vullnetarë ose joprofitabil që u ndihmon të varfërve dhe nevojtarëve. Të jesh pionierë është të udhëhiqet një grup i tillë në mënyrë efikase dhe me përkushtim. Pionieri është ai që u del përballë sfidave që e konfrontojnë atë përderisa e udhëheq një grup të tillë. Në këtë i ndihmon mësimi i karakteristikave të liderëve dhe përkushtimi në praktikimin e tyre.
Pionieri është një person i cili e bën punën vullnetare pjesë të jetës së tij, Është e panatyrshme për një musliman të arsimuar, të ndershëm dhe shpirtmirë të mos i takojë një organizate joproftablile. Individët pionierë nuk mund të qëndrojnë duarkryq përballë krizave në rritje të Umetit dhe të mos bëjnë asgjë për të ndihmuar në lehtësimin e problemeve dhe vuajtjeve të Umetit.
Pionieri e ka projektin e vet, qoftë intelektual, qoftë joprofitabil ose komercial, të cilin përpiqet ta bëjë të suksesshëm. Projekti i suksesshëm e transferon pionierin e tij nga linja e njerëzve të rëndomtë në grupin e individëve të shquar.
Gjithmonë përpiqu të kesh një synim të madh, i cili mishëron vizionin tënd për të ardhmen. Përpiqu ti kushtosh kujdes atij qëllimi. Drejtoji të gjitha përpjekjet dhe kohën tënde kah ai synim në përpjekje për ta realizuar dhe përmbushur atë. Koha jote mund të shkojë kot nëse nuk përqendrohesh, nëse nuk koncentrohesh dhe nëse nuk ec përpara me synimet për të ardhmen.
3. Kalimi nga interesi në parime
Allahu i Madhërishëm ka mbjellë te njerëzit dëshirën për tu kujdesur për interesat e tyre nëpërmjet kërkimit të përfitimeve të tyre dhe shmangies së asaj që e shohin të dëmshme.
Një gjë e tillë është pjesë e punës universale me të cilën formësohet bota dhe organizohet jeta. Ky aktivitet është i ligjshëm nga pikëpamja islame dhe madje është i kërkuar në shumë raste.
Mirëpo përmbushja e interesit personal pa një bazë morale dhe islame çon në mosmarrëveshje dhe agresion kundër të drejtave të të tjerëve dhe gjithashtu mund të shkatërroj fisnikërinë.
Për rrjedhim, çdo njeri i cili kërkon të arrijë një interes personal duhet ta vendosë brenda kornizës së ligjshme islame, brenda etikës dhe moralit të kërkuar në atë interes. Nuk dëshiroj t’i ftoj njerëzit në lënien e interesave personale për shkak të përkushtimit në parime, mirëpo u kërkoj të koncentrohen dhe të përqendrohen në parime. Një musliman i
përkushtuar duhet të heqë dorë nga interesat personale nëse ato bien në konflikt me atë që e beson se është e drejtë, e mirë dhe e dobishme.
Ndrysho ose do të humbësh | Dr.Abdul Kerim Bekkar