Lëvizja nga të qenurit negativ në të qenurit interaktiv

Shumica e muslimanëve në shumë shtete islame, me shekuj kanë vuajtur nga nënshtrimi, shtypja dhe nganjëherë poshtërimi. Natyrisht se këto gjëra i kanë bërë njerëzit të prirë për negativitetit dhe të jetuarit në margjinë. Ata madje sillen sikur të jenë shurdh-memecë dhe të verbër.

Më tërhoqi vëmendjen komenti që e kishte postuar një i ri në Facebook, në te cilin thoshte: “Me gjithë respektin për ju, është e pashpresë.” Ai ndiente se nuk kishte shpresë për ndonjë progres ose reformë. Kur një person bie në një cikël të depresionit, çfarëdo ndërveprimi ose optimizmi ai e sheh se buron nga mungesa e të kuptuarit të realitetit. Ai mund të konsiderojë çdo aktivitet ose projekt si humbje të përpjekjes dhe energjisë, meqë atij i duket sikur dekorimi i një anijeje që po fundoset.
Prapambeturia e të gjitha llojeve dhe formave është përgjegjëse për atë që e shohim në shoqëri nga izolimi, negativiteti dhe pesimizmi. Unë besoj se është e kërkuar sot të bëhet thyerja e lidhjes midis negativitetit dhe prapambeturisë. Gjithmonë ekziston diçka që na ndihmon të jemi pishtar i shpresës, ashtu siç gjendet gjithmonë diçka qe na ndihmon të jemi më të mirë.

Dëshiroj të flasë për mekanizmat e asaj qe na nevojitet, me qellim që të lëvizim drejt pozitivitetit dhe optimizmit nëpërmjet pikave vijuese:

A. Besimi se nëse e lëmë diçka për hir të Allahut që nuk është e lejuar ose është e dyshimtë, që është e dëmshme për personin ose e dëmshme për interesat publike, Allahu do të na zëvendësojë atë me diçka më të mirë. Allahu është i Gjithëmëshirshëm, Mëshirëplotë.
B. Para se të pyesim për përfitimet e çfarëdo pune, profesioni ose projekti, ose mundësie, duhet të sigurohemi që ajo të jetë e lejuar në radhë të parë, e pastaj të futemi në të.
C. Ne duhet ta largojmë veten nga shoqëria e keqe në të cilën ryshfeti dhe korrupsioni janë normë e jetës. Ne nuk duhet ta vendosim veten nën presione të panevojshme që ndoshta nuk mundemi t’u rezistojmë. Ne duhet të mbajmë distancë me njerëzit materialist dhe me ata që brengë të tyre e kanë vetëm këtë botë.
D. Nuk duhet të rrezikohet shpikja dhe inovacioni për hir të parimeve, mirëpo ato interesa duhet të arrihen brenda kornizës së parimeve tona. Ajo që na ndihmon është të jemi përpara bashkë-moshatarëve tanë, të marrim përvojë kualitative dhe të kemi specializime që janë shumë të kërkuara.

a. Gjendja e pashpresë shpirtërore

Nëse shikojmë përreth nesh, gjejmë njerëz të cilët kanë gjendje melankolike shpirtërore. Ata kanë prirje të ushqejnë dyshime për të tjerët dhe gjithmonë e shikojnë gotën gjysme te mbushur, Disa nga këta njerëz kanë prirje të prishin edhe disponimin e të tjerëve nëpërmjet kritikave dhe sulmeve të vazhdueshme të atyre që nuk janë sikur vetë. Ky është realitet dhe jemi dëshmitarë të tij, mirëpo këshilla jonë për ta është: “Edukimi mund të ngjyros personalitetin e dikujt dhe ta formojë atë.”
Me ‘këtë dëshirojmë t’u themi atyre që kanë natyrë pesimiste dhe negative që të përpiqen të jenë optimist, sepse optimizmi ka mundësi të hapë shumë dritare të shpresës për ta.

b. Vizioni pozitiv

Është e qartë se ne mund ta shikojmë realitetin në mënyra të ndryshme dhe ta interpretojmë në mënyra të llojllojshme. Njëri nga shembujt më të njohur për këtë është ajo që është transmetuar për të Derguarin a.s. Ai e vizitoi një beduin, i cili vuante nga ethet. Ai i tha beduinit: “Shpresoj që ethet të jenë pastrim (nga gjynahet tua të
kaluara).”
Beduini u përgjigj: “Ah! Këto janë ethe përvëluese për një plak dhe ato do ta çojnë atë në varrin e tij.”
Kur i Dërguari a.s. e dëgjoi atë që e tha beduini (spontanisht), i tha: “Ashtu qoftë!”
Në këtë mënyrë, ne mund ta shohim sëmundjen si një element shkatërrues ose mund të shohim aspektet pozitive që janë shpërblimi për vuajtjen dhe pastrimi nga gjynahet.
Si shembull tjetër mund të përmendim tregimin për Isanë a.s., i cili njëherë po kalonte me nxënësit e tij pranë një dele të ngordhur.
Ai u kërkoi nxënësve ta përshkruanin delen dhe prej tyre dolën përshkrimet më të keqija për të. Ai pastaj iu drejtua atyre dhe u tha:
Asnjëri prej jush nuk i shikoi dhëmbët e saj dhe nuk tha: “Sa të bardhë janë”. Isai a.s. i orientoi ata në diçka pozitive te delja e ngordhur për t’ua hapur sytë për gjërat e mira që mund të lavdërohen, përkundër situatës së keqe që duket. Ngjashëm, një person shtëpia e të cilit ka marrë zjarr mund të thotë një fjalë të madhe, derisa ta shikojë duke u djegur. Ai mund të thotë fjalinë vijuese: “Tani mund të shohë lindjen e diellit më mirë, të kënaqem me shikimin e hënës dhe yjeve vezulluese në qiell!”

c. Luftimi i dëshpërimit

Ne kemi nevojë ta mbrojmë veten nga dëshpërimi dhe dështimi.
Në parim, secili prej nesh i njeh mesë miri të metat dhe dobësitë e veta. Nëse ai përqendrohet në ato elemente dhe fillon të gjurmojë për rezultatin e tyre në jetë, ai sigurisht se do ta shkatërroj veten. Edhe armiqtë e tij nuk do të jenë të aftë ta dëmtojnë dhe ta shkatërrojnë deri në atë masë sa ai e dëmton dhe e shkatërron veten me duart e tij dhe nëpërmjet sjelljes së tij. Për rrjedhim, duhet të mendojmë në vetvete: Po, kam defekte dhe të meta, mirëpo besoj se të tjerët vuajnë të njëjtën, madje edhe më tepër. Besoj se perfeksioni është i mundur vetëm për Allahun Fuqiplotë. Unë mund të jem më i mirë sesa të tjerët, meqë i njoh të metat dhe dobësitë e mia.
Njohja e të metave është hapi i parë drejt eliminimit të tyre, mirëpo ka shumë njerëz që madje nuk i njohin të metat e tyre.
Gjithashtu është e rëndësishme të shikojmë dështimin si një rezultat të natyrshëm të punës dhe si pengesë të rëndom në rrugën e kërkimit të suksesit.
Thomas Edison ka thënë “A tju tregoj për një recetë magjike të suksesit? Ekspozoje veten ndaj më shumë dështimeve.”
Ata të cilët kurrë nuk dështojnë janë përtacë dhe të dëshpëruar, të cilët kurrë nuk kërkojnë aspirata më të larta. Sa i përket njerëzve aktivë, ata nganjëherë arrijnë sukses dhe nganjëherë dështojnë. Kjo është shumë normale në jetë.

d. Ndali ankesat

Njerëzit e dëshpëruar janë ankues të vazhdueshëm. E vetmja gjë që e shohin është shkuarjen e njerëzimit drejt greminës dhe
shkatërrimit. Tërë ajo që e shohin në jetën e tyre personale është kthim mbrapa në gjendje më të keqe. Ky vizioni bën ata që as të mos përpiqen për të bërë ndonjë gjë. Natyrisht se kjo vetëm e keqëson situatën e tyre, kështu që ankesat e tyre shtohen. Në këtë mënyrë, ata vrapojnë në një rreth vicioz, duke u sorollatur midis dështimeve dhe ankesave.

Poeti Elea Ebu Medhi në mënyrë të mrekullueshme e zbulon psikologjinë e një personi, i cili vazhdimisht ankohet deri në atë masë që bëhet i varur nga të ankuarit. Ai ka shkruar poemën vijuese:
“O ti që ankohesh pa pasur ndonjë sëmundje!
Çfare do të të ndodh nëse sëmuresh?
Krimineli më i keq në tokë është ai shpirt;
I cili përpiqet të mbrojë veten nga largimi prej kësaj jete, para se koha e largimit të vijë.
Ai i sheh vetëm gjembat në trëndafila, mirëpo është i verbëruar dhe nuk e sheh vesën e malit si një kurorë mbi to.
Një person i tillë është një barrë e rëndë për vetë jetën. Kush mendon se jeta është një barrë e rëndë?
Njeriu, të cilit i mungon bukuria në personalitetin e tij, nuk sheh ndonjë gjë të bukur në këtë jetë. Në të vërtetë çdo yll do të perëndoj, mirëpo problemi qëndron kur ylli frikësohet të perëndojë.”
Muslimani i devotshëm duhet t’i pakësojë ankesat e tij aq sa ka mundësi, sepse ai gëzon një gjendje lumturie, meqë është i kënaqur me Allahun për Zot të tij. Ai është gjithmonë i kënaqur me çfarëdo fati që e godet.
Siç kanë thënë njerëzit e mençur nga e kaluara, të ankuarit ndaj dikujt tjetër përveç Allahut është vepër poshtëruese. Muslimani i devotshëm duhet të pakësojë ankesat.
Kur një musliman i mirë dhe i përkushtuar të ankohet, ai i ankohet Zotit të tij, sepse vetëm Ai mund ta largojë fatkeqësinë, dhimbjen dhe vuajtjen.

5. Pranimi dhe adaptimi

Në vend që të ankohemi për githçka, duhet të përpiqemi të pranojmë të pashmangshmen. Kjo na jep mundësinë të kemi kënaqësi dhe qetësi të mendjes.
Kjo githashtu e bën qëndrimin tonë ndaj ngjarjeve të jetës (fatkeqësitë, katastrofat etj) të natyrshëm dhe të mirë. Të marrim shembullin e plakjes dhe dobësimit. Qëndrimi i natyrshëm është tëpranojmë situatën, e jo të refuzojmë dhe mohojmë atë, siç e shohim këtë shembull te shumë gra që bëjnë kirurgji plastike për të fshehur plakjen. Plakja duhet të jetë shumë më e lehtë dhe më e përballueshme. Ne duhet ta kalojmë fazën e plakjes në mënyrë paqesore, duke organizuar dietën dhe shprehitë e gjumit, ushtrimet dhe vazhdimin e punës dhe kontributdhënies deri në momentin e fundit të jetës. Humbja e disa të dashurve, pensionimi, si dhe humbja e disa mundësive që kanë qenë në dispozicionin tuaj, janë gjëra të natyrshme që i ndodhin çdo personi kur të plaket. Ne duhet t’i pranojmë gjërat e tilla me më së paku frikë, dhimbje dhe pikëllim.

6. Ki pritje të mira

Të qenurit optimist për ndodhjen e ndonjë gjëje pozitive, i sjell lumturi zemrës dhe jetës. Pritja e ndodhjes së gjërave të mira dhe kërkimi i ndihmës së Allahut për të arritur atë që është e dobishme janë cilësi dhe praktika të njerëzve të mirë dhe te devotshëm të Umetit musliman.
I Dërguari a.s. ishte lider në praktikat e tilla dhe ishte shumë optimist. Gjithmonë duhet t’i thoni vetes: “Gjithnjë ekziston një mundësi për sukses, për të arritur diçka ose për të parë diçka të
bukur.” Mbaje në mend thenien e urtë: Nëse rrëzohesh, përpiqu të kapësh diçka derisa je aty.”

7. Ji i interesuar për atë që ndodh rreth teje

Ne nuk mund të shkëputemi nga negativiteti dhe t’i afrohemi pozitivitetit përveç nëpërmjet ndërveprimit me mjedisin në të cilin jetojmë dhe ndërveprimit me ngjarjet që ndodhin përreth nesh në publik. Izolimi është një miniaturë e një lloji të vdekjes. As të vdekurit e as të izoluarit nuk ndërveprojnë me të tjerët në jetën e tyre. Ata nuk ndikojnë te njerëzit në rrethin e tyre dhe as nuk ndikohen prej tyre. Për rrjedhim, lirisht mund të themi se individët të cilët e ekzagjerojnë negativitetin janë si të vdekurit, varrimi i të cilëve është shtyrë. Besoj se besimi i thellë dhe të kuptuarit e Rrugës Hyjnore duhet të na shtyj të kemi një qëndrim të vendostë lidhur me atë që ndodh rreth nesh.

Muslimani ekziston në këtë univers për të dhënë dhe për të marrë dhe për t’u përpjekur që të përmirësojë ndonjë të keqe ose gjë të gabuar që e has në jetë. Ai duhet të përpiqet ta pasurojë jetën publike.

Kjo mund të arrihet duke ndërmarrë hapat vijues:
– Dëgjo lajmet, të paktën një herë në ditë.
– Analizo lajmet me shokët tu të ditur.
– Përpiqu të formosh një opinion lidhur me atë që ndodh në shtetin tënd.
– Në rast të problemeve morale dhe llojeve të tjera të problemeve në vendin tënd, duhet të bëhesh pjesëmarrës në gjetjen e një zgjidhjeje, sepse kjo është nga karakteristikat e një qytetari të mirë
– Le të jetë nga brengat tua kryesore në jetë të menduarit për përmirësimin e çështjeve publike. Kërko të arrish këtë nëpërmjet përpjekjeve personale.
– Bëhu model dhe shembull për personin, i cili dëgjon me kujdes atë që e thua. Prano kritikën me mendje të hapur dhe bëhu specifik kur të ofrosh kritikë.

Ka shumë gjëra të tjera për t’u diskutuar këtu, mirëpo për hir të mos-zgjatjes do të kufizohem në aspektet e përmendura më lartë.

Ndrysho ose do të humbësh | Dr.Abdul Kerim Bekkar

Artikulli paraprakTë ndryshuarit nga plogështia në arritje të larta, nga varësia në pavarësi prej të tjerëve
Artikulli tjetërAnketa e Mbeturinave Industriale (AMI), 2018