Të mos fshehen të metat e mallit- Sipas Imam Gazaliut

 

Duhet të tregohen të gjitha mangësitë e mallit që po shitet, si të dukshmet, ashtu edhe ato që nuk shihen, dhe të mos fshihet asgjë.

Ky është obligim. Nëse fsheh çkado qoftë, do të ishte i padrejtë dhe mashtrues, e mashtrimi është haram. Me këtë ai do të braktiste edhe këshillën për shitje, e këshillimi dhe tregimi i drejtë për të gjitha mangësitë e mallit është detyrë e tij. Bile, kur e tregon vetëm anën e bukur të rrobës, dhe e fshehë atë më pak të bukur, është mashtrues. Njëjtë kur mallin e vendosë në vend jo mjaft të ndriçuar, ose kur në vitrinë vendosë mestet dhe këpucët më të mira që i ka, e raste tjera të ngjashme.

Ja një dëshmi se mashtrimi është haram:

Resulallahu s.a.v.s., po kalonte pranë një tregtari që shiste artikuj ushqimor. Resulallahut s.a.v.s., i pëlqyen, e futi dorën mes artikujve, por hetoi lagështi në fund, dhe pyeti:

 – Çfarë është kjo?

 – I ka lagur shiu!, u përgjigj tregtari, e

 Resulallahu s.a.v.s., i tha:

 E përse nuk i ke vendosur në maje, që njerëzit t’i shohin! Ai që na mashtron, nuk është prej neve.42 ( Muslimi nga Ebu Hurejre r.a..)

Obligimin për këshillim, duke treguar të gjitha mangësitë e mallit që po shitet e dëshmon edhe ky transmetim, kur Xheriri erdhi te Resulallahu s.a.v.s., dhe e pranoi Islamin. Kur Xheriri u nis për t’u larguar, Resulallahu s.a.v.s., e tërhoqi për xhybeje dhe i kërkoi që t’ua këshillojë tregtinë të gjithë myslimanëve. E kur Xheriri shiste, fillimisht i tregonte mangësitë e mallit, e pas kësaj blerësit i jepte zgjedhje: – Nëse do, merre, e nëse nuk do, lëre.”

 Njerëzit i thonin:

 – Nëse kështu vazhdon, nuk do të fitosh asgjë!”, e ai u përgjigjej:

 – Ne ia kemi dhënë fjalën Resulallahut s.a.v.s., se do të këshillojmë të gjithë myslimanët dhe do të flasim të vërtetën. Fitova apo jo, nuk e ndryshoj fjalën”(Buhariu dhe Muslimi.)

 Vaile b. Eska qëlloi pranë njërit, kur ai e shiti një deve për treqind dërhemë. Vaile e pa një plagë në këmbë të deves dhe dëshiroi t’i tregojë blerësit, por për një moment harroi, dhe u përkujtua vetëm kur e pa blerësin që tashmë ishte nisur, me devenë e blerë.

 Vaile vrapoi pas tij dhe i tha:

 – O ti, a e bleve atë deve për punë apo për ta ngrënë?”

 – Për punë, iu përgjigj blerësi, e Vaile i tha: 

 – Ajo deve ka një plagë në këmbë që ia kam parë, e nuk do të mund të durojë rrugën!

 Blerësi e ktheu devenë, por shitësi ia zvogëloi çmimin për njëqind dërhemë, e Vaile ia pa për të madhe shitësit, duke i thënë:

 – O i bekuar, ne ia kemi dhënë fjalën Resulallahut s.a.v.s., se do ta tregojmë të drejtën dhe do të këshillojmë të gjithë myslimanët…,

 dhe shtoi:

 – …dhe e kam dëgjuar të thotë:

 Askujt nuk i është hallall të shesë diçka, e mos t’i tregojë të metat e mallit, e nuk i është hallall as tjetrit që i di ato të meta, të mos i tregojë.(Shënojnë Hakimi dhe Bejhakiu.)

Nga ‘këshilla në tregti’ ata kanë nënkuptuar principin: dëshiroja vëllaut vetëm atë që e do për vete, dhe nuk kanë besuar se kjo lartëson gradat shpirtërore, por kanë qenë të bindur që ky është kusht i përkatësisë së tyre islamit, pjesë përbërëse e besës së dhënë.

Për shumë persona, ky është obligim i vështirë, prandaj ata preferuan ibadetin duke u larguar nga njerëzit, sepse kryerja e obligimeve ndaj Allahut e njëkohësisht edhe shoqërimi me njerëz dhe puna me ta është lloj i luftës që vetëm të sinqertit (siddik) mund ta durojnë.

Kjo luftë njeriut mund t’i lehtësohet vetëm nëse është i bindur në dy pika:

  1. Është i bindur që me fshehjen e të metave dhe me lavdërimin e pabazë të mallit, nuk do t’i shtohet nafaka, por do ta shkatërrojë dhe do t’ia humbasë bereqetin.

Gjithçka që ka grumbulluar me fshehje të të metave dhe me mashtrim, Allahu Teala do t’ia shkatërrojë. Thonë se njëri kishte një lopë që e milte.

Qumështin ia përziente me ujë, dhe ashtu e shiste, por ndodhi një vërshim, dhe ia mbyti lopën. Një nga fëmijët e tij i tha: “Gjithë ata ujë që i kemi shtuar qumështit u bë bashkë dhe na e mbyti lopën.” E Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:

“Nëse edhe shitësi edhe blerësi janë të sinqertë dhe të ndershëm, shitblerja e tyre do të mbushet me bereqet, e nëse mshefin (të metat e mallit) dhe gënjejnë, bereqeti do të hiqet.”(Buhariu dhe Muslimi nga Hakim b. Hizam r.a.)

Në një hadith tjetër, thuhet:

 “Dora (ndihma) e Allahut Teala është mbi dy tregtarë deri sa ata nuk mashtrojnë njëri-tjetrin, e kur fillojnë të mashtrojnë mes vete, Allahu e largon dorën (ndihmën) e Tij nga ta!”(Shënojnë Ebu Davud dhe Hakimi nga Ebu Hurejre r.a..)

Prandaj, siç nuk e pakëson pasurinë sadakaja, as mashtrimi nuk e shton atë.

Kush mendon që malli shtohet dhe pakësohet vetëm në matje, ai nuk i beson hadithit të përmendur. E kush beson që një dërhem I bereqetshëm mund të jetë sebep për lumturi, edhe të dynjasë edhe të ahiretit, derisa njëmijë dërhemë nga të cilët Allahu Teala e ka larguar bereqetin mund të jenë shkatërrim për pronarin e tyre, aq sa nganjëherë dëshiron të mos i ketë dhe mendon se do ta kishte më mirë pa to – ai e di edhe kuptimin e fjalëve ‘pasuria nuk shtohet me mashtrim e nuk pakësohet me sadaka’.

  1. Është i bindur në hakikatin e këshillës dhe e zbaton atë me lehtësi, domosdoshmërisht duke besuar se fitimi i ahiretit është më i mirë se sa fitimi i dynjallëkut.

Dobitë e pasurisë së dynjallëkut mbarojnë me vdekje, e mbesin padrejtësia dhe barra e gjynaheve, të bëra për atë pasuri.

Si mundet njeriu i arsyeshëm të japë një thesar për atë që është e pavlerë?

I gjithë thesari është në ruajtjen e besmit.

Resulallahu s.a.v.s., thotë:

 ‘La ilahe ilallah’ do të largojë nga njerëzit zemërimin e Allahut, përderisa ata nuk i japin përparësi punëve të dynjasë mbi punët e ahiretit(Ebu Jala dhe Bejhekiu nga Enesi, me sened daif. Shënojnë edhe Tirmidhiu dhe Hakimi, si edhe Taberani në Evsat, nga Ajsha r.anha.), e në version tjetër:

“Derisa, për hatër të selametit të fesë së tyre nuk brengosen për atë që u mungon nga dynjallëku, ‘La ilahe ilallah’ e largon nga ata zemërimin e Allahut.

Por kur për selametin e fesë nuk sakrifikojnë asgjë nga dynjallëku, edhe nëse thonë ‘la ilahe ilallah’, Allahu Teala u thotë atyre: ‘Po gënjeni! Ju thoni: ‘la ilahe ilallah’ por nuk jeni të bindur!’.

Në një hadith tjetër thuhet:

“Kush e thotë me sinqeritet ‘La ilahe ilallah’ do të hyjë në xhenet”, e kur as’habët pyetën: “Çka mendohet me sinqeritet?”, Resulallahu s.a.v.s., tha: “Duke mbrojtur veten nga ato që Allahu Teala i ka bërë haram.”(Taberani nga Zejd b. Ekram në veprat el-Muxhem el-kebir dhe el-Evsat, me hasen-sened)

Resulallahu s.a.v.s., gjithashtu ka thënë:

 “Kush e konsideron të lejuar (hallall) atë që është e ndaluar (haram) në Kur’an, ai nuk e beson Kur’anin!”( Shënon Tirmidhiu.)

Ai që e di se këto dy çështje i ndikojnë në iman, dhe e di se imanin e vet e ka kapital në tregti për ahiret, ai nuk do të lejojë t’i shkatërrohet kapitali i përgatitur për jetën që nuk ka fund, për fitimin që do t’i shërbejë vetëm për një kohë të kufizuar.

Tregohet se njëri nga taibinët ka thënë:

 “Nëse shkoj në xhaminë plot, e dikush më pyet: ‘Cili nga këta është më i miri?’, do ta pyesja: ‘Kush këshillon më së shumti?, e po të më thotë: ‘Filani’, i kisha thënë; ‘Ai pra është më i miri mes tyre.’ E po të më pyesin: ‘Cili është më i keqi?’, do ta pyesja: ‘Kush i mashtron më së shumti?’, e kur të më thotë: ‘Ja, ky’, kisha thënë: ‘Ai është më i keqi mes tyre!” Mashtrimi është haram në të gjitha llojet e shitblerjes dhe të zanatit.

Zanatliu nuk duhet ta bëjë një punë me hile për tjetrin, sikur që as vet nuk do të ishte i kënaqur me atë punë nëse dikush do t’a bënte për të. Punën e vet ai duhet ta bëjë me maturi, dhe më së miri që di, e më pas, nëse produkti i tij megjithatë ka ndonjë të metë, atë duhet treguar myshterisë, qartë. Vetëm në këtë mënyrë e shpëton veten nga përgjegjësia.

Një këpuctar e pyeti Ibn Salimin:

 – Si të veproj më së drejti në shitje të këpucëve?, e ky iu përgjigj:

 – Mbaroi ashtu që të dyja këpucët të jenë nga materiali i njëjtë. Mos i jep përparësi të djathtës mbi të majtën, dhe astarin rregulloje mirë. Vrimat le t’i kenë afër njëra-tjetrës, dhe kurrë mos i vendos një palë këpucë mbi tjerat.

Në këtë lloj të veprimtarisë bën pjesë edhe shkathtësia e qepjes së pahetueshme. Për këtë e kanë pyetur Ahmed b. Hanbelinë, e ai ka thënë: “Ai që e shet rrobën e qepur, nuk i lejohet të mos tregojë. Shitja i lejohet vetëm me kusht që blerësit t’i tregojë për qepjen. Por nëse atë rrobë nuk e ka ndër mend ta shesë, atëherë nuk ka dëm.”

Nëse ti thua: “Kurrë nuk do të ketë shitje nëse njeriu obligohet të tregojë për të gjitha mangësitë e mallit të vet”, unë them:

Nuk është ashtu. Nëse tregtarit i kushtëzohet që të sjell për shitje vetëm mall cilësor, me të cilin do të ishte i kënaqur edhe sikur ta mbante për vete, dhe që të mjaftohet me fitim modest nga ai mall, e që në atë rast Allahu do t’i japë bereqet në atë fitim, atëherë tregtari nuk do të ketë nevojë të fshehë të metat e mallit.

Kjo është e vështirë për tregtarët, sepse nuk kënaqen me fitim më të vogël, e fitimi i madh nuk mund të arrihet pa punë të dyshimta. Megjithatë, kush vepron me principet që i përmendëm, nuk do t’i fshehë mangësitë e mallit, ashtu që, nëse i ndodhë të ketë mall jo-cilësor, të metat do t’ia tregojë menjëherë, dhe do të kënaqet me atë që e fiton prej tij.

Ibn Sirin e shiti një dele, e i tha myshterisë: “Dua të jem i pastër me ty lidhur me të metat e kësaj deleje; ajo i rrëzon me këmbë enët me ushqim.”

Kështu kanë vepruar ata që i janë besnik imanit të vet. Kush nuk mundet kështu të punojë, ose ta braktisë tregtinë ose le të bëhet gati për vuajtje në ahiret.

Burimi: Rregullat e sjelljes gjatë fitimit dhe sigurimit të jetesës, Imam Gazaliu

 

Artikulli paraprakPërmirësimi i cilësisë së gjumit- libri i Nick Littlehales -PJESA E PARË
Artikulli tjetërSi të veprosh me një klient që këmbëngul në mendimin e tij?