Fugaku është zhvilluar nga kompania japoneze Fujitsu. Falë Inteligjencës Artificiale dhe fuqisë informatike arrin të parashikojë përmbytjet e cunamit. Një rezultat që vjen pikërisht dhjetë vite pas katastrofës në Fukushima
Vend tërmetesh dhe cunamish, Japonia ka mësuar me kohën t’u mbijetojë katastrofave natyrore, falë edhe predispozitës kulturore drejt inovacionit. Në qendër të metropoleve të “Sol Levante” ndodhen grataçiela 100-katëshe që tallen edhe me tërmetet më shkatërruese, aq sa tërmetet me shkallë të lartë Rihter nuk janë më lajm.
Në anën tjetër, cunamit deri dje ishin makth për një pjesë të mirë të popullsisë, mbi të gjitha pas katastrofës së marsit 2011, me thuajse 16 mijë të vdekur dhe 4600 të humbur, duke shkaktuar edhe incidentin bërthamor në centralin atomik të Fukushimës.
Dhjetë vite pas këtyre ngjarjeve, International Research Institute of Disaster Science në Universitetin e Tohoku, Earthquake Research Institute në Universitetin e Tokios dhe Fujitsu Laboratories kanë njoftuar zhvillimin e një modeli të Inteligjencës Artificiale, që do të lejojë ekipet e menaxhimit të fatkeqësive të parashikojnë përmbytjet e cunamit në kohë reale, duke shfrytëzuar fuqinë informatike të superkompjuterit Fugaku.
Ngjarja tragjike zbuloi se pika e dobët e sistemit qëndronte në mbledhjen e informacionit për të parashikuar se ku dhe si mund të godiste cunami brigjet japoneze. Menjëherë pas tragjedisë së vitit 2011, së pari u forcua ndjeshëm rrjeti i vëzhgimit të cunamit në brigjet japoneze me monitorime të shumta dhe më pas u zbatua një sistem hartash i shtrateve të Oqeanit Paqësor, gjë që ndihmoi në rritjen e të dhënave në dispozicion, duke i bërë parashikimet e lëvizjes së valëve më të sakta. Institucionet koordinuan dhe promovuan zhvillimin trasversal të teknologjive për të parashikuar cunamet në nivel kombëtar.
Në mënyrë konvencionale, parashikimet e cunameve bregdetare bazohen në krahasimin empirik midis kushteve të tërmeteve dhe cunameve më të ngjashme me ato të regjistruara në këtë rast, të simuluara me një metodë të përafrimit hap pas hapi. Që të krahasohen të dhënat historike apo të krijohen simulime ‘ad hoc’, është i nevojshëm një superkompjuter që përpunon të gjithë informacionin dhe sugjeron metoda dhe kohën për evakuimin e menjëhershëm të popullsisë.
Fugaku është superkompjuteri më i shpejtë dhe i fuqishëm në botë, i zhvilluar nga Fujitsu. Në bashkëpunim me Universitetin e Tohoku dhe Universitetin e Tokios (nën mbikëqyrjen e Organizatës për Kërkim Shkencor dhe Teknologjinë e Informacionit) u zhvillua një Inteligjencë Artificiale, e aftë të parashikojë menjëherë përmbytjet e cunamit.
Superkompjuteri më i fuqishëm në botë
E gjithë kjo nuk do të ishte e mundur pa potencialin e jashtëzakonshëm të Fugaku, kompjuteri më i fuqishëm në botë. Aftësia për të parashikuar ku dhe si mund të godasë një cunami brigjet e Japonisë është vetëm një nga aplikimet e pafundme të një llogaritjeje super të shpejtë, që mund të përmirësojë jetën e përditshme të njerëzve.
Fugaku – me seli në Riken Center for Computational Service në Kobe, – u ‘ndez’ zyrtarisht vetëm pak ditë më parë, pas shtatë vitesh zhvillimi dhe mendohet se ka kushtuar më shumë se 1 miliard dollarë.
Ai numëron 158.976 mikroprocesorë Fujitsu A64FX që punojnë së bashku nëpërmjet një sistemi në pronësi. Fuqia e tij është e tillë sa të kryejë 442 milionë miliardë operacione në sekondë, gjë që e bën superkompjuterin më të shpejtë në botë, me parametra më shumë se tre herë më të shpejtë se kompjuteri i dytë në klasifikim, Summit i IBM-së, që ndalet në 200 PetaFlips. Superkompjuteri italian, Leonado Da Vinci-1 që do të përurohet së shpejti në Tecnopolo të Bolonjës, do të ketë 270 Petaflops.
Burimi: Corriere della Sera