Strategji të të menduarit pozitiv

Strategjia e ndryshimit të së kaluarës

“E haluara nuk është gjë tjetër vetëm se një thesar i mbushur me aftësi, njohuri dhe  përvojë, pa të cilat njeriu zhduket në errësirë.”

Dr. Ihrahim el-Fekij

A është e mundur të ndryshohet e kaluara?

Kështu filloi një program televiziv në njërin prej televizoneve të famshëm, në të cilin isha i ftuar dhe emisioni transmetohej drejtpërdrejt.

Gjatë emisionit thashë se nuk mund ta ndryshosh të kaluarën, sepse ajo ka kaluar, mirëpo kemi mundësi të ndërrojmë botëkuptimin tonë në përvojën e së kaluarës. Pastaj të sjellim diçka të re kur të njëjtat përvoja përsëriten. Të imagjinojmë sikur të kthehemi në të kaluarën dhe për të dytën herë kthehemi në të njëjtën përvojë dhe të veprojmë pikërisht ashtu siç kemi dashur herën e parë të veprojmë. Në këtë mënyrë ne do të ndryshojmë gjendjen aktuale për më mirë, duke përfituar nga aftësitë dhe përvoja e së kaluarës.

Gazetari pyeti: “Kaq lehtë?”

I thashë: “Më lejo të provojmë këtë së bashku: kujto ndonjë përvojë të hidhur që ke kaluar dhe mendo e kujto se ç’ndjenja kishe atëherë.”

Tha: “E kam në mendje një përvojë të së kaluarës dhe ndjenjat e mia ishin dhe vazhdojnë të jenë negative.

I thashë: “Të supozojmë se koha është kthyer pas dhe për të dytën herë e gjen veten në të njëjtën situatë, a do të jenë sjelljet e tua te njëjta sikurse ishin herën e parë?”

Tha: “Me siguri që jo, sepse unë e kam mësuar nga ajo që më ka ndodhur dhe do të jem më i kujdesshëm dhe veprimet e mia do të jenë më të sakta dhe më të duhurat.”

I thashë: “Dua që tani të mendosh për aftësitë që i ke përfituar nga hera e parë.”

Mendoi dhe më tha: “Jam aftësuar dhe kam mësuar se si të dëgjoj dhe si të dal nga situatat e vështira. Kam mësuar se nuk duhet t’i gjykoj gjërat në ngutje e sipër, por t’i shqyrtoj mirë dhe të përqendrohem në zgjidhje.”

I thashë: “Tani kthehu edhe një herë në atë situatën e keqe dhe vepro me aftësitë dhe mësimet që i mësove nga hera e parë.”

E imagjinoi rastin dhe tha: “Ndiej se e kam plotësisht situatën në dorë dhe se jam shumë më i mirë se herën e parë.”

E pyeta: “Tani kujto një situatë tjetër të vështirë dhe më thuaj ç’ishte ajo gjëja e parë që të erdhi në mendje dhe çka ndjeve në atë moment?”

E imagjinoi dhe tha: “Ajo që më erdhi e para në mendje ishte fuqia ime mbi situatën dhe kontrolli im i plotë ndaj saj dhe u ndjeva shumë i qetë.”

I thashë: “Ti tani e përdore strategjinë e ndryshimit të së kaluarës, e cila të mundësoi të ndërrosh pikëpamjen tënde për të kaluarën, i largove ndjenjat negative dhe shtove aftësitë e tua. Në këtë mënyrë e kaluara negative nuk është më sfidë nga sfidat që ke jetuar, por është shkollë dhe aftësim yti.”

Dhe tani, lexues i nderuar, më lejo që edhe me ty të provojmë strategjinë e ndryshimit të së kaluarës:

  1. Kujto nga e kaluara jote një përvojë të keqe, kujto një rast të përcaktuar dhe kujto veten në atë moment se ç’ke bërë? Si ka qenë fytyra jote? Cilat ishin lëvizjet e trupit tënd? Ç’ndjenja kishe dhe ç’veprime ke bërë?
  1. Tani kujtoji aftësitë që ke përfituar nga ai rast.
  2. Tani imagjino sikur kthehesh prapa në të kaluarën dhe gjendesh përballë së njëjtës situatë. Bëje fytyrën ashtu siç ke pasur dëshirë ta kishe pasur herën e parë, bëji lëvizjet e dëshiruara të trupit ato lëvizje që ke dashur t’i bësh herën e parë dhe futi në funksion aftësitë dhe mësimet që ke marrë kur për herë të parë e ke kaluar atë sfidë.

Vëzhgoji ndjenjat e tua… Do të shohësh se tani ndjenjat i ke më të mira dhe kjo, sepse ti tani përdore aftësitë dhe njohuritë që i ke përfituar nga hera e parë. Tani të menduarit dhe të kuptuarit tek ti janë bërë pozitivë dhe nga kjo vijnë ndjenjat normale dhe pozitive.

  1. Tani imagjino sikurse përballesh me të njëjtën sfidë në të ardhmen. Dhe imagjino se çfarë do të kishe vepruar dhe si do të ishe ndier… Do ta shohësh se sa është shkathtësuar mendja jote në tejkalimin e mirë të situatave nga ky lloj, pra nga lloji që ti e imagjinove problemin tënd.

Përsërite këtë strategji në mënyrë që ta bësh të kaluarën
tënde thesar përplotë me aftësi, njohuri dhe përvojë!

Strategji të të menduarit, Dr. Ibrahim el-Fekij

Artikulli paraprakKatër gabimet më të mëdha të sipërmarrësve të rinj
Artikulli tjetërPasuria s’guxon të shkatërrohet dhe rrënohet